Ndërron jetë këngëtari i njohur, mban titullin “Mjeshtër i Madh”

May 31, 2020 | 10:20
SHPËRNDAJE

Ndërron jetë pas një sëmundje të rëndë këngëtari i njohur dibran Qerim Sula.

Sula mban titullin Mjeshtër i Madh.

Këngëtari i këngëve epike dhe traditës u nda nga jeta në moshën 69 vjeçare.

Ai ka lënë edhe një amanet të fundit: “Më varrosni në Zall-Dardhë, aty ku linda”.

101637068_2587043384851906_3681050915592208384_n

Edhe pse mbaroi shkollën mekanike, ai ishte i dashuruar dhe i përkushtuar për muzikën, ndaj që në moshë të re u aktivizua me grupet amatore të Zalldardhës, ndërsa në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”.

Një vit më pas, më 1968 bën prezantimin e parë në Festivalin e Parë Folklorik të Gjirokastrës me këngën e Hazis Ndreut, “Kënga e Lam Dacit”, ku u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij. Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri deri në vitin 2000.

Ai është aktivizuar në mjaft trupa e ansamble, si dhe ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë. Ka kënduar në shumë skena të vendit por edhe jashtë shtetit, si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj.

Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kuksi i ri”. Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, duke qenë nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së veriut, i vlerësuar me mjaft çmime e diploma të ndryshme, në aktivitet kombëtare. Ka realizuar dy albume me këngët më voluminoze dibrane.

Ka punuar me shumë artistë, por mund të veçojmë Liri Rashën, me të cilën ka qenë në Estradën profesioniste të Peshkopisë, me Arif Vladin një artist i kompletuar, Vera Laçi një këngëtare shumë e vlerë, me Sherif Dervishin, me të madhin Haziz Ndreun, i cili ishte profesori i tyre.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura