Ndërron jetë regjisorja e njohur, frymën e fundit e dha në Ministrinë e Kulturës

Oct 27, 2021 | 22:15
SHPËRNDAJE

Ka vdekur në moshën 51-vjeçare regjisorja e njohur nga Kosova, Burbuqe Berisha. Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

burbuqe berisha

“Frymën e fundit e dha në Ministrinë e Kulturës. Kishte ardhur për punët përgatitore të koncertit të Operas, po e bënte regjinë e koncertit”, ka shkruar ndër tjerash ministri Çeku.

E lindur në Shkup, regjisorja Berisha studimet themelore dhe master i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve, dega Regji e Filmit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Autore e një numri të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore, Burbuqe Berisha është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar.

Në vitin 2019 Berisha u shpall fituese e Çmimit Kombëtar për Kinematografi.

Për katër vjet me radhë ka punuar si drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pastaj anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe kryetare e këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Së fundi ishte pro -dekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB. Ka ligjëruar lëndët Film Dokumentar, Regji televizive, Regji për film, teatër dhe televizion.

Burbuqe Berisha ishte drejtoreshë artistike e festivalit “Prishtina Internacional Theater Festival”.

Në shumë festivale filmash ka qenë anëtare e jurive profesionale me karakter ndërkombëtar dhe është aktiviste e shumë kampanjave bamirëse.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura