Ndahet nga jeta Marko Bitraku, sot homazhet

Oct 9, 2015 | 12:59
SHPËRNDAJE

Lajmëtari i parë i të gjitha gëzimeve e hidhërimeve tashmë, Facebook-u, u tejmbush menjëherë sapo njëri prej miqve të aktorit të ri Besmir Bitraku, e ngushëlloi për humbjen e të atit, Mario Bitraku.

bitraku

Aktori i karaktereve të cilit me siguri të gjithë ia kujtoni aksentin korçar, u nda nga jeta dje në mesditë. Prej kohësh, Mario Bitraku luftonte me një sëmundje të rëndë shëndetësore, kundër së cilës nuk fitoi.

Siç ndodh në raste të tilla sëmundjesh, që duket se të dhurojnë edhe disa ditë rimëkëmbje, Bitraku, u duk i përmirësuar për njëfarë kohe, deri sa lajmi i hidhur erdhi dje nga familjarët e më pas u njoftua nga Teatri Kombëtar.

Në këtë të fundit, do të bëhen sot homazhet pikërisht në orën që dje aktori u largua nga jeta. Nga ora 12:00-14:00, miqtë, të afërmit apo edhe vetëm dashamirës të teatrit e aktorëve të tij, do t’i japin lamtumirën e fundit aktorit, për ta përcjellë në shtëpinë e tij të gjithmonshme.

Marko Bitraku pat lindur më 15 janar të vitit 1951, në Lavdar të Oparit të rrethit të Korçës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve, në vitin 1974 fillon punën si aktor profesionist në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Në skenën e këtij teatri do të interpretojë me dhjetëra role, të cilat do ta bëjnë të njohur për publikun artdashës.

Këtu mund të përmendim interpretimet e tij në rolin e Bomarshesë në komedinë “Berberi i Seviljes” apo rolin e Hajnit në dramën “Franku i V-të” i Dyrrenmat. Roli i tij më i fundit do të jetë ai i Jovan Bregut në komedinë “Jovan Bregu, refugjat” e Adelina Balashit. Më vitin 2008, ai do të realizojë edhe regjinë e monodramës “Velloja e bardhë” e Odise Plakut.

Në kinematografi ka interpretuar më shumë se 13 role. E nëse keni harruar ato të hershmit, me siguri që e kujtoni te filmat e viteve të fundit, si “Parrullat” apo “I dashur Armik”. Roli i tij i parë në filmin televiziv ka qenë te “Flamur në dallgë”, në vitin 1977.

Më tej do të vazhdonte me role të tjera si ai Komandantit të xhandarëve në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Selmanit në filmin “Asgjë nuk harrohet” në vitin 1985, rolin e Rushkës në filmin “Njerëz në rrymë” etj. Interpretimi më i fundit i aktorit ishte në filmin “Femrat” në vitin 2004, pra rolet, siç kuptohet, datojnë vite më parë, ndërsa më të vona janë shfaqet e tij në teatër.

• EMA ANDREA Me sa duket, qielli nuk pyet për boshllëkun që po lë pas këtu poshtë largimi yt…. ndaj të zgjodhi për veten……një buzëqeshje më pak, një përqafim më pak, një mungesë më shumë!! Rrugë të lehte e prehje të paqtë, i dashur Marko Bitraku!

• ELTON DEDA Marko Bitraku. Ti personazh i dashur dhe artist i madh. Ike shumë shpejt si shumica e të mëdhenjve. Do vazhdoj të të ndjek me kënaqësi. “3 urraaa për fuqitë e mëdha”! R.I.P.

HERVIN ÇULI Sot u nda nga jeta një mik i mirë, një aktor i shkëlqyer, u nda nga jeta Marko Bitraku. Ju prehtë shpirti në paqe Markos tonë të dashur…

• ZAMIRA KITA Kujtoj rolet e tua të panumërta, humorin tënd brilant, karakteret e papërsëritshme … Filmat, komeditë, dramat… Kujtoj bisedat e bukura, udhëtimet, provat, shakatë e tua, ëndrrat tona të përbashkëta, festivalet dhe çmimet! Dëshirën e madhe për të bërë teatër!

• MEVLAN SHANAJ Na iku Marko Bitrako. Lamtumirë miku i mirë, aktori brilant i karaktereve. Nuk ka shqiptar që të mos jetë rrëmbyer nga krijimet e Marko Bitrakos. Ne, miqtë e tij, jemi të parët që njohëm madhështinë e tij shpirtërore, humorin dhe inteligjencën krijuese. Mik i çdo rrethane, pse ike me kaq vrull? I pavdekshëm në ekran, i paharruar për të gjithë ne. Lamtumirë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura