Ndërprerja e sinjalit të TV/ PD: Shteti të pajisë me dekodera qytetarët, po shkelet Kushtetuta

SHPËRNDAJE

Partia Demokratike kërkon që shteti të pajisë qytetarët me dekoderat e nevojshëm për marrjen e sinjalit dixhital audioviziv.

“Bazuar në raportet e Bankës Botërore, rezulton se më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Në kohën që çdo qytetar paguan taksën e aparateve televizive si pjesë e faturës së dritave, e konsiderojmë një ‘taksë’ të shtuar, të papërballueshme e të panevojshme, dhe abusive blerjen e një dekoderi që do t’u sigurnte aksesin në informacion. Duhet të sjellim në vëmendjen tuaj se shteti dhe institucionet e tij kanë detyrimin jo vetëm të njohjes së të drejtave formalisht, por edhe të garantimit të tyre në praktikë”, shkruhet në kërkesën e Kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi për AMA-n, firmosur nga të gjithë deputetët e opozitës në këtë komision.

Partia Demokratike kërkoi edhe shtyrjen e afatit të kalimit në transmetimin dixhital deri në momentin që çdo qytetar të ketë të siguruar nga shteti një dekoder. Nëse kjo nuk realizohet, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës, arsyetohet në letrën e deputetëve demokratë.

1

2

LETRA E PLOTË

KUVENDI

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim

Lënda:                        Kërkesë për rishikim afati

Drejtuar:                                           Z. Gentian SALA

                                    Kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive 

Anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive

Për dijeni:                                          Z. Damian GJIKNURI

Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

  1. Thoma GËLLÇI

Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar

 

  1. Kristaq TRAJA

Kryetar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar

Anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar

Tiranë

I nderuar Z. Sala, 

Të nderuar anëtarë,

Deputetët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në përmbushje të detyrës së tyre dhe në përgjigje të shqetësimeve të shfaqura nga Shoqata e Transmetuesve Radiotelevizive Kabllore – Valore (RRTL), organizuan në datë 24 Korrik një tryezë diskutimi në lidhje me problemet e hasura nga transmetuesit lokalë gjatë procesit të dixhitalizimit.

Në përfundim të kësaj tryeze, duke qenë se shumë çështje u konsideruan të nevojshme për t’u trajtuar në një tryezë më të ngushtë të nivelit teknik, për të parë të gjitha mundësitë më oportune për të mbështetur këta transmetues në përballimin e sfidave që po hasin nga procesi i digjitalizimit, u vendos të organizohej një tryeze më e ngushtë teknike në fillim të shtatorit 2018, për të trajtuar disa nga çështjet që u sollën në këtë tryezë, si më poshtë vijon:

  1. Të shihet mundësia e shtyrjes së datës së mbylljes së frekuencave analoge deri në fund të vitit.
  2. Të shikohet rishikimi i tarifave sipas praktikave europiane.
  3. Të shikohet mundësia e mbështetjes financiare të RTSH –së për të subvencionuar tarifat për mediat lokale.
  4. Të shikohet mundësia e ndërtimit të një modeli të ri më të drejtpërdrejtë rimbursimi të tarifës mujore.
  5. Të shikohet  vënia në dispozicion e një frekuence për tv lokale sipas parashikimeve të strategjisë së digjitalizimit të transmetimeve audiovizive ne Shqipëri.
  6. Të realizohet monitorimi i vazhdueshëm i shpërndarjes së reklamave shtetërore sipas kushteve të vendosura nga BE-ja.
  7. Të studiohen gjobat, që të jenë më të arsyeshme.

Duke shprehur angazhimin tonë si deputetë të komisionit për median, në mbështetje të plotë për trajtimin çështjeve të lrpërmendura, kërkuam kontributin e secilit prej institucioneve tuaja, për t’u mbledhur në tryezën e shtatorit dhe për të ofruar zgjidhjet më të mira për transmetuesit lokalë.

Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga transmetuesit lokalë, AMA vendosi shtyrjen e afatit për mbylljen e transmetimeve analoge deri në datën 10 Shtator.

Pavarësisht kësaj, asnjë mbledhje nuk u organize në ditët e para të shtatorit ndërkohë që Autoriteti i Mediave Audiovizive vendosi me datën 10 Shtator mbylljen e transmetimeve analoge për qarqet Tiranë-Durrës, duke krijuar kështu një situate mjaft shqetësuese për më shumë se një milionë shqiptarë, të cilëve iu ndërpre në mënyrë të papritur transmetimi televiziv. Shtyrja e datës së organizimit të tryezës teknike nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë për në datë 14 shtator 2018, dhe mbledhjes së Bordit të AMA-s për në datë 12 shtator, na bëjnë të mendojmë se kemi të bëjmë me veprime të qëllimshme për t’i vendosur palët para faktit të kryer. 

Në datën 5 Shtator 2018, transmetuesit audiovizivë, lokalë dhe rajonalë, të qarqeve Tiranë-Durrës, i janë drejtuar përsëri me një kërkesë Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, me anët të së cilës kërkojnë përmbushjen e rekomandimeve të dakordësuara në takimin e datës 24 Korrik, konkretisht shtyrjen e afatit të mbylljes së transmetimeve deri në fund të vitit dhe organizimin e tryezës teknike në një datë sa më të parë.

Ne datë 10 shtator të gjithë ne deputetët kemi marrë me qindra ankesa nga qytetarët e Durrësit dhe Tiranës të cilët janë ndeshur me nërprerjen e sinjalit të të gjitha kanaleve në transmetim analog si dhe ngrenë pretendimin e mungesës e transparencës dhe informimit për gjithë këtë proçes.

Ndërprerja e transmetimeve televizive është, ndër të tjera, një shkelje e hapur e të drejtës kushtetuese për informim, siç parashikohet në nenin 23 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Bazuar në raportet e Bankës Botërore, rezulton se më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Në kohën që cdo qytetar paguan taksën e aparateve televizive si pjesë e faturës së dritave, e konsiderojmë një “taksë” të shtuar, të papërballueshme e të panevojshme, dhe abusive blerjen e një dekoderi që do t’u sigurnte aksesin në informacion. Duhet të sjellim në vëmendjen tuaj se shteti dhe institucionet e tij kanë detyrimin jo vetëm të njohjes së të drejtave formalisht, por edhe të garantimit të tyre në praktikë.

Duke pasur parasysh sa më sipër, dhe rolin thelbësor që luajnë mediat lokale në informimin e publikut shqiptar dhe mbulimin e të gjithë territorit; pamundësinë ekonomike të një numri shumë të madh qytetarësh për blerjen e dekoderave; faktin që cdo familje paguan tashmë taksën e aparateve televizivë, në cilësinë e deputetëve të Komisionit përgjegjës për çështjet e medias dhe të drejtën e informimit publik, kërkojmë nga anëtarët e Bordit të AMA-s:

  • trajtimin me përparësi të kësaj çështjeje në mbledhjen e datës 12 Shtator
  • mundësinë e rishikimit të vendimit për mbylljen e operatorëve lokalë në qarqet Tiranë e Durrës;
  • shtyrjen e mbylljes së transmetimeve të tyre deri në një moment të dytë kur shteti të ketë siguruar që cdo qytetar I Republikës së Shqipërisë të jetë pajisur me një aparat që do t’I mundësojë aksesin në informacionin public mediatik;
  • organizimin e një tryeze të ngushtë teknike në muajin Shtator me përfaqësues të shoqatës, AMA-s, RTSH-së, AKEP-it dhe palëve të tjera të interesuara, rishikimin e mundësisë për shtyrjen e afatit deri në momentin që cdo qytetar të ketë të siguruar nga shtetinjë decoder.

Cdo vendim tjetër do të binte ndesh me të drejtat kushtetuese të qytetarëve në Republikën e Shqipërisë.

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakNdërron jetë Oliver Hoare, princeshë Diana ëndërronte të jetonte me të
Artikulli tjetër10 milionë shikime kënga e re, këngëtarja shqiptare falenderon fansat me këtë foto

S'KA KOMENTE

Comments are closed.