Nderimi i viktimat e Holokaustit, Veliaj: Ne dimë ta hapim derën pavarësisht fesë apo përkatësisë

Jul 9, 2020 | 11:22
SHPËRNDAJE

Veliaj viktimat holokaustiNë ceremoninë e përurimit të Memorialit në nder të viktimave të Holokaustit, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se ajo vlerë e treguar në ato vite të vështira, bëjnë krenar të gjithë shqiptarët.

“Për ne shqiptarët, padyshim që dimë të hapim derën dhe zemrën për këdo që ka nevojë, pavarësisht përkatësisë fetare, ngjyrës së lëkurës apo origjinës. Kryeministri Edi Rama ka qenë kryetar Bashkie kur u iniciua ky projekt në kohën e Ambasadorit Withers.

Dua të falënderoj edhe ish-ambasadorin Amerikan në Shqipëri, John Ëithers, i cili me mbështetjen e Edi Ramës, në atë kohë kryetari Bashkisë, vendosën të sillnin në vëmendje përmes këtij memoriali, meritën që populli shqiptar ka fituar për veprat heroike gjatë Holokaustit. Për fat të keq këtë proces e zuri gjysmë hija e një administrate të mëparshme, për ta rifilluar sërish procesin në vitin 2015, aty ku kishte ngecur. Jam sot shumë mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë nga ana e Komisionit të SHBA-së për Ruajtjen e Trashëgimisë dhe punën e palodhur të APR-së për përfundimin e kësaj vepre që është realisht një stoli për Tiranën në 100-vjetorin e saj”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi ndaj hebrenjve në Shqipëri, ndërsa theksoi se për shqiptarët e Kosovës, ashtu edhe për hebrenjtë, sot emrat e Franklin Rusvelt dhe të Bill Klinton jehojnë po aq fuqishëm sa heronjtë e historisë së tyre. “Shqipëria ndodh që të jetë një nga tokat e rralla në Europë, sot ku paragjykimet fetare dhe urrejtja nuk ekzistojnë, edhe pse vetë shqiptarët besojnë në besime të ndryshme fetare. Në 100 vitet e Tiranës kryeqytet, tiranasit u solidarizuan pasivisht, dy herë. Me hebrenjtë në luftën e dytë botërore dhe me vëllezërit kosovarë, gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe gjithë gjenocidit serb në Kosovë. Me këta njerëz që për fat kanë dy të përbashkëta. Përjetuan ligësinë më të paimagjinueshme njerëzore dhe u nxorën nga ferri nga i njëjti engjëll shpëtues. E për fat të mirë, si për shqiptarët e Kosovës, ashtu edhe për hebrenjtë, sot emrat e Franklin Rusvelt, Bill Klinton jehojnë po aq fuqishëm sa heronjtë e historisë së tyre”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se fryma e treguar në ato vite të vështira duhet ruajtur dhe kultivuar për gjithë gjeneratat që vijnë. “Kam shumë shpresë se ky memorial do ta ruajë këtë raport special me popullin hebre, me komunitetin hebraik në Tiranë dhe miqtë në Amerikë dhe miqtë e besimeve të tjera që kultivojnë çdo ditë këtë frymë vëllazërie. Sot jam shumë krenar që po ndërtojmë raporte speciale dhe ura bashkëpunimi mes Tel Avivit, Haifa dhe Jeruzalemit. Shqipëria, Tirana dhe populli shqiptar ka shumë për të mësuar nga shembulli i Izraelit dhe komuniti hebraik qoftë përmes ruajtjes së historisë, qoftë për unitetin dhe bashkimin si mjet për të arritur qëllimet e përbashkëta në 100 vitet e ardhshme të kryeqytetit tonë”, deklaroi Veliaj.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim falenderoi kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj që e bënë realitet këtë projekt. “Jam krenare që qeveria ka mundësinë që të vlerësojë guximin e popullit shqiptar përmes këtij memoriali. Do të doja të falenderoja kryeministrin Edi Rama dhe veçanërisht kryetarin Veliaj dhe Bashkinë e Tiranës që e shndërruan në realitet këtë projekt. Doja të falenderoja popullin shqiptar që na dha një shembull të shndritshëm”, theksoi Kim.

Memoriali përbëhet nga pllakada me të njëjtin mesazh në gjuhën angleze, hebreje dhe shqip. “Ky monument ngrihet për të kujtuar dhe nderuar gjashtë milion hebrenjtë e Evropës që u vranë, si dhe qytetarët e Shqipërisë, që vepruan me vetëmohim për të mbrojtur hebrenjtë në një kohë kur pjesa tjetër e botës nuk i mbronte”, thuhet ndër të tjera në këtë mesazh.

Asnjë hebre i vetëm nuk humbi jetën në Shqipëri për shkak të guximit atyre qindra familjeve shqiptare që i morën dhe i strehuan në shtëpitë e tyre dhe kodit të “Besës” së shqiptarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura