Ndërhyri për të ndihmuar fqinjin, u vra nga grabitësit/ Burg përjetë për 3 autorët që i morën jetën “Qytetarit të Nderit”

Jul 2, 2020 | 14:39
SHPËRNDAJE

agur vrenozi fier

MAJLINDA RAMA/ Prokuroria e Fierit ka paraqitur në Gjykatë pretencën për tre autorët e grabitjes së 2 marsit të vitit 2018, ku gjatë grabitjes së një pike të këmbimit valutor, u vra Agur Vrenozi dhe u plagos Gëzim Hoxha.

Siç bëhet e ditur nga burime brenda organit të akuzës, përfaqësuesi i kësaj të fundit ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të pandehurit: Lulëzim Demiraj, 42 vjeç, banues në Vajzë të Vlorës, Zini Fyraj, 37 vjeç, banues në Sevaster, Vlorë, dhe Dashamir Gergali, 41 vjeç, banues në Zhupan, Fier.

Mbi këta persona rëndojnë tri akuza: “Vjedhje me pasojë vdekjen”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vjedhje”. Së shpejti pritet që të zhvillohet seanca në Gjykatën e Fierit, ku do paraqiten edhe pretendimet e mbrojtjes dhe do të merret me tej vendimi për tre autorët.

NGJARJA

Dy vite më parë, tre shtetasit, Demiraj, Fyraj dhe Gergali, të armatosur, grabitën një pikë të këmbimit valutor që drejtohej nga Gëzim Hoxha. Ngjarja e rëndë u shënua në një zonë shumë të populluar të qytetit, pikërisht pranë gjimnazit “Janaq Kilica”.

Gjithçka ndodhi rreth orës 10:55 kur lëvizja e qytetarëve ishte shumë aktive. Autorët shfrytëzuan pikërisht zonën e rrëmujshme në pikun e lëvizjeve, për të bërë grabitjen.

Ata zbritën nga një makine tip “Benz” me targa AA 879 JG, që ishin të falsifikuara dhe nën kërcënimin e armës i kërkuan pronarit të pikës valutorore, Gëzim Hoxha, t’u jepte paratë. Hoxha ka kërkuar ndihmë dhe i vetmi që i ka shkuar ka qenë fqinji i tij, një tregtar tjetër, pronar i një byrektoreje, Agur Vrenozi, 53 vjeç.

Ky i fundit, gjatë kohës që ata i drejtonin armën pronarit të exchange, Gëzim Hoxha, ka qëlluar me arkën e bananeve pas koke njërin prej tyre. Kjo ka bërë që tjetri ta qëllojë atë me armë duke e plagosur rëndë në kokë, ndërsa ka qëlluar edhe në drejtim të Hoxhës, që po ashtu ka dashur të përfitojë nga rrëmuja dhe të vetëmbrohet.

Autorët, pasi i kanë plagosur të dy shtetasit, kanë marrë çantën me para dhe kanë hipur në makinën nga ku zbritën, e cila i priste para pikës valutore. Vetëm në pak minuta, Policia arriti të vërë në pranga autorët, ku në atë kohë u deklarua se ata e braktisën mjetin dhe u larguan.

Njëri prej tyre u gjet në lumin pranë fshatit Baltëz, tjetri, në vendin e quajtur “Ura e Baltëzës” dhe i treti, në një banesë në fshatin Baltëz. Edhe pse të plagosurit u shoqëruan në spital, vetëm njëri arriti të mbijetojë. Ai ishte Gëzim Hoxha, ndërsa fqinji i tij që i shkoi në ndihmë, Agur Vrenozi, nuk arriti dot të mbijetojë pasi kishte marrë dëmtime të rënda në kokë.

Pas ngjarjes së rëndë, akti i Vrenozit i cilësua si akt heroik dhe pak ditë pas ngjarjes së rëndë, Bashkia e Fierit e shpalli “Qytetar Nderi”, ndërsa Presidenti i vendit akordoi për Agur Vrenozin Medaljen e Dekoratës së Artë të Shqiponjës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura