Ndarja territoriale e konceptuar dhe realizuar në mënyrë të njëanshme ka pasur ndikim në rezultatin zgjedhor të 21 qershorit 2015. Ajo është konceptuar më së pari për t’u bërë “tërheqëse/atraktive” për përfaqësuesit e oligarkisë dhe individët me rekorde kriminale. Kjo është realizuar. Nën presionin ndërkombëtar në rritje, kupola e oligarkisë në disa raste ka vendosur, thjesht si maskë, në krye të bashkive “kukulla/manekine/bedelë” të përfaqësuesve më të lartë të kupolës së oligarkisë dhe krimit. Kjo ndarje është realizuar edhe duke përdorur teknikën “xherimender” për të favorizuar politikisht maxhorancën aktuale dhe ky fakt ka pasur ndikim të ndjeshëm në rezultatin zgjedhor. Kjo është po ashtu një ndarje diskriminuese me ndikim në sensibilitetet krahinore e më gjerë se kaq. Kjo është një ndarje që s’ka gjasa të funksionojë dhe që s’do të jetë e largët dita që ajo do të duhet të ndryshojë dhe pa asnjë hezitim duhet të ndryshojë.
1. Ndarje territoriale “atraktive” për oligarkët dhe “bedelët” e tyre
Rama përmes ndarjes së re territoriale ka synuar jo vetëm të vendosë në krye të tyre “pashallarë/oligarkë” apo “kukulla/bedelë” të panjohur publikisht, por njëkohësisht, përmes teknikës “xherimender’, të favorizojë maxhorancën në pushtet me fitimin në tavolinë të një numri bashkish, minimalisht mbi 10 për qind më të lartë sesa ai që do të rezultonte me të njëjtën sasi votash, me ndarjen e mëparshme elektorale (373 bashki-komuna). Më 21 qershor 2015, Rama ia ka arritur të dy qëllimeve. Pushteti vendor mavi është zgjatim i pushtetit qendror oligarkik/kriminal. Në shumë nga bashkitë e vendit drejtojnë individë me rekorde kriminale; pjesëtarë të klientelës oligarkike apo “kukulla/bedelë” të caktuar nga kupola oligarkike. Theksoj se në këto zgjedhje, për shkak të presionit ndërkombëtar në rritje, kupola e oligarkisë ka vendosur në krye të bashkive “kukulla/marioneta” thjesht për të humbur gjurmët sepse prapa tyre qëndrojnë oligarkët e kupolës, politikanë, biznesmenë apo drejtues të medias; do të jenë pikërisht ata që do të drejtojnë realisht bashkitë mavi dhe do të jenë ata që do të kontrollojnë buxhetet e fondet publike, madje pa pasur asnjë risk për vete përderisa nuk firmosin. Pas 21 qershorit 2015, në Shqipëri, krahas pushtetit qendror qartësisht oligarkik po instalohet një pushtet vendor oligarkik, vende-vende i maskuar me një pushtet të “bedelëve” të kupolës oligarkike, të emëruar prej tyre dhe në shërbim të tyre.
2. Dy pyetje për rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit 2015…
Para se të diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve të miratuar nga KQZ, e cila përcakton se 15 bashki do të drejtohen nga APPD dhe 45 bashki nga ASHE duhet t’u jepen përgjigje dy pyetjeve: i) A kanë ndikuar dhe në çfarë mase “dhunimet, shkeljet, parregullsitë dhe manipulimet” në rezultatin zgjedhor, konkretisht në sasinë e votave të grumbulluara nga kandidatët e APPD?; dhe ii) A ka ndikuar ndarja territoriale politikisht “diskriminuese” në rezultatin zgjedhor? Përgjigjet e këtyre dy pyetjeve natyrisht s’kanë dhe s’duhet të kenë asnjë lidhje me asnjë lloj alibie për analizën e “brendshme” të rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit 2015. Në çdo rast analiza e brendshme është e nevojshme, natyrisht me sens pozitiv dhe orientim nga e ardhmja.
3. Ndarja territoriale me ndikim të ndjeshëm në rezultatin zgjedhor…
Përgjigjja e menjëhershme dhe pa ekuivok e pyetjes së mësipërme për mendimin do të ishte: Ndarja territoriale, më shumë se politikisht “diskriminuese”, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit 2015. Përmes analizës së të dhënave arrihet lehtësisht në përfundimin se “ndarja e re territoriale favorizon qartas maxhorancën aktuale” dhe kjo është arritur përmes a) zvogëlimit artificial e të programuar të numrit prej 373 bashki/komunave në 61 të bashkive dhe b) përdorimit të teknikës “xherimender” për përcaktimin e kufijve dhe madhësive të këtyre 61 bashkive. Synimi konkret ka qenë: i)fitorja në “tavolinë” apo më siguri të lartë i rreth 40 bashkive, ii) konkurrimi me shanse të larta fitoreje në 10 bashki të tjera dhe iii) lënia e fitores për aleancën e djathtë në vetëm më pak se 10 bashki, kryesisht në veri të vendit dhe/ose në disa zona bastion të së djathtës. Ky qëllim, po t’i referohemi rezultatit zgjedhor, duket përgjithësisht i realizuar më përjashtim të disa “incidenteve” lokale.
4. Ndarja territoriale me devijim të lartë nga vlera mesatare…
Lista zgjedhore për zgjedhjet e 21 qershorit kishte 3.372.471 zgjedhës të shpërndarë në 61 bashki. Numri mesatar i zgjedhësve për çdo bashki është i barabartë me 55286=3372471/61. Kjo shifër është më e lartë sesa vlera përkatëse në vendet e tjera të Europës, ndërkohë që terreni shqiptar është më i përthyer dhe infrastruktura është shumë më e dobët. Po të llogaritet Vlera e Devijimit në Përqindje të Numrit të Zgjedhësve (VADPNZ) për çdo bashki, rezulton se vetëm 10 bashki (Kurbin, Dibër, Krujë, Kavajë, Maliq, Kuçovë, Sarandë, Kukës, Malësi e Madhe dhe Gjirokastër) kanë një vlerë më të ulët sesa +/-25 për qind, të gjitha të tjerat devijojnë me mbi 25 për qind nga vlera mesatare prej rreth 55 mijë zgjedhës. Natyrisht kjo madhësi arrin vlera mbi 100 për qind në rastin e qyteteve të mëdha, qendër qarku, të tilla si Vlora(178%), Fieri(180 %), Shkodra(185%), Elbasani(187%) dhe Durrësi (322%) pa marrë parasysh Tiranën që ka një numër zgjedhësish prej 609 mijë, pra 11 herë më të madh sesa vlera mesatare. Pra, në 51 nga 61 bashkitë ose mbi 85 për qind të bashkive, numri i zgjedhësve është shumë larg vlerës mesatare, gjë që duket se është bërë në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar maxhorancën aktuale.
5. Rezultatet sipas 61 bashkive: ASHE-73.8% dhe APPD-24.6%
Nga të dhënat e KQZ (të cilët pa asnjë dyshim janë të deformuara nga dhunimet e manipulimet si dhe nga ndikimi i ndarjes territoriale) për zgjedhjet e 21 qershorit 2015 rezulton se nga 61 bashkitë, Aleanca e majtë-ASHE ka fituar 45 bashki ose 73.8 për qind të tyre, Aleanca e Djathtë ka fituar 15 bashki ose 24.6 për qind të tyre dhe 1 bashki (FINIQ) ose 1.6 për qind është fituar nga Mega. E thënë ndryshe, maxhoranca me 840 mijë vota ka fituar 45 bashki megjithëse (me një mesatare prej rreth 18 mijë votash për një bashki) ka fituar edhe bashkitë më të mëdha të vendit, kurse e opozita me rreth 690 mijë vota ka fituar 15 bashki (me një mesatare prej 45 mijë votash për një bashki, pra i janë dashur gati 2.5 herë më shumë vota për të fituar një bashki, ndërkohë që qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora…janë fituar nga maxhoranca); përtej efekteve që ka një sistem maxhoritar, kjo zbulon qartas “dorën diskriminuese” që ka shënuar kufijtë e madhësitë e bashkive të kësaj ndarjeje territoriale.
6. Rezultatet me ndarjen e vjetër: ASHE-63.1%, APPD-34.2% e tjerat-2.7%
Po t’i referohemi po ashtu rezultateve të zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, por sipas ndarjes së vjetër territoriale, në 373 bashki/komunat, rezulton se ASHE ka fituar 63.1 për qind të bashki/komunave dhe APPD ka fituar 34.2 për qind të tyre, ndërkohë që 2.7 për qind i kanë fituar kandidatët e pavarur ose ato jashtë këtyre dy koalicioneve. Vihet re që ASHE është e favorizuar nga ndarja e re territoriale me mbi 10 për qind: konkretisht për të njëjtën sasi votash të fituara, ASHE me ndarjen e re fiton rreth 74 për qind të 61 bashkive, kurse me ndarjen e vjetër me 371 bashki-komuna do të fitonte jo më shumë se 63 për qind, pra mbi 10 për qind më pak. Po e njëjta gjë ndodh me APPD, e cila defavorizohet nga ndarja territoriale e re; konkretisht me të njëjtën sasi të votave, APPD më ndarjen e re territoriale fiton rreth 24.6 për qind të 61 bashkive kurse me ndarjen e vjetër do të fitonte 34.2 për qind ose rreth 9.6 për qind më shumë. Po ashtu, nëse llogarisim sa për qind më shumë ka fituar ASHE në krahasim me APPD sipas bashkive të reja del 73.8-24.6=49.2 për qind, kurse sipas ndarjes së vjetër kjo shifër del 63.1-34.2=28.9 për qind. Përfundimi është i qartë: edhe nga ky krahasim i rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2015: ndarja territoriale favorizon minimalisht duke rritur rezultatin e ASHE me mbi 10 për qind.
7. Votat në shkallë kombëtare: ASHE-53% dhe APPD-43%
Po t’i referohemi votave të grumbulluara nga kandidatët konkurrues në 61 bashkitë e vendit rezulton se ASHE ka fituar 52 për qind të votave ose rreth 840 mijë vota, kurse APPD ka fituar 43 për qind të votave ose rreth 690 mijë vota (po të shtojmë edhe votat e munguara të Kurbinit e të Këlcyrës). Duke pasur parasysh se sistemi i zgjedhjes së kryetarëve të bashkive është maxhoritar dhe përsëris disproporcionaliteti sasi votash-numër kryetarësh është i pranueshëm në një sistem maxhoritar, por është për t’u vënë në dukje fakti që: “hendeku” prej rreth 9 për qind në vota në shkallë kombëtare (ose rreth 150 mijë vota diferencë në shkallë kombëtare) midis ASHE e APPD ka “prodhuar” një “hendek” prej 50 për qind për sa i përket numrit të bashkive të reja të fituara nga ASHE dhe APPD (ose një diference prej 30 bashkish në numër bashkish). Ndërkohë që po me të njëjtën sasi të votave apo me të njëjtin “hendek” votash prej 9 për qind midis ASHE e APPD nga zgjedhjet e 21 qershorit 2015, “hendeku” i numrit të bashkive të fituara nga ASHE dhe APPD me ndarjen e vjetër do të ishte vetëm rreth 29 për qind, pra një disproporcionalitet shumë më i zbutur.
8. Në vend të përfundimit…
Kjo ndarje territoriale e konceptuar për të i) shtrirë interesat e kupolës së oligarkisë në pushtetin vendor dhe ii) për të favorizuar maxhorancën aktuale ja ka arritur qëllimit më 21 qershor 2015. Rezultati zgjedhor është i deformuar jo vetëm nga ndikimi i “dhunimeve, shkeljeve dhe manipulimeve të shumta”, por edhe nga ndarja “oligarkike” e diskriminuese, e cila, po ashtu, ka pasur ndikim të ndjeshëm në rezultatin zgjedhor. Në krye të bashkive të “fituara” nga maxhoranca janë përfaqësues të kupolës oligarkike i) individë me rekorde kriminale, ii) “kukulla/bedelë” të kupolës së oligarkisë, politikanë, biznesmenë apo përfaqësues të medias. Duket sikur ka një paradoks sepse nga njëra anë rezultati “pranohet” ligjërisht, kurse nga ana tjetër, ai është moralisht e politikisht ilegjitim. Ky paradoks, tashmë prezent prej shumë vitesh në Shqipëri, s’është më i çuditshëm dhe do të tentohet të zgjidhet përmes i) ndryshimit të ndarjes territoriale në momentin adekuat; ii) ndryshimit politik deri në 2017 duke çrrënjosur oligarkinë, krimin dhe banditizmin me të gjitha mënyrat e mjetet demokratike.