Ndarja nga jeta e filozofti dhe estetit Alfred Uçi, aktiv deri në fund

Oct 27, 2016 | 11:07
SHPËRNDAJE

Deri në fund të jetës ai nuk rreshti së punuari. Një ndër meraket ishte e ardhmja e Akademisë së Shkencave dhe jo shumë larg do të ngjiste shkallët e gazetës “Panorama”, për të thënë të vetën, me qëllim që ky institucion të dilte nga “apatia”. Ishte 86 vjeç, por ndihej ende i ri e ligështohej kur e quanin të moshuar dhe e hiqnin mënjanë. Por gjithsesi vitet nuk të falin.

uci alfred

Dje, Prof. Dr. Alfred Uçi, anëtar i Akademisë së Shkencave, profesor, studiues i filozofisë, estetikës, folklorit, letërsisë dhe kulturës kombëtare, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare, u nda nga jeta. Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Biblioteka Kombëtare u kanë shprehur ngushëllimet familjarëve dhe kanë shprehur vlerësimin për figurën e estetit Alfred Uçi. Madje, Biblioteka Kombëtare ka hapur edhe një ekspozitë me veprat e tij.

Akademik Alfred Uçi lindi më 15.12.1930, në qytetin e Korçës. Në moshë të re, ai, ashtu si dhe familja e tij, u rreshtua në krahun antifashist. U formua si studiues në Universitetin Lomonosov në Moskë, Rusi. Me themelimin e Universitetit të Tiranës u emërua profesor i filozofisë dhe kontribuoi si hartues i teksteve të para universitare të kësaj lënde. “Akad.

Alfred Uçi është themelues i lëndës së estetikës në historinë e arsimit universitar në Shqipëri. Ai iu kushtua për dekada me radhë kësaj disipline, duke u bërë faktor primar për tejkalimin e traditës fragmentare të deriatëhershme. Me studimet e tij si estet akad. Alfred Uçi e vendosi këtë disiplinë teorike në raporte të kushtëzuara me letërsinë, traditën folklorike, kulturën dhe artin shqiptar”, shkruan Akademia e Shkencave në nekrologjinë kushtuar Uçit. Si studiues akad.

Alfred Uçi la një trashëgimi të pasur studimore në historinë e mendimit filozofik e estetik që nga Rilindja Kombëtare e në vijim, në leximin estetik të veprës letrare të shkrimtarëve më të shquar shqiptarë (Migjeni, Kadare). Autor i rreth 20 veprave monografike në disa fusha të dijeve albanologjike, ai zhvilloi mendimin shkencor shqiptar në fushë të filozofisë (me veprat kushtuar Jani Vretos dhe Teodor Kavaliotit); në studimet teorike- letrare për kategoritë estetike (duke përfshirë ciklin e studimeve për groteskun në traditën letrare shqiptare).

Ak. Alfred Uçi ka mbajtur funksione të larta shtetërore. Në vitet 1979-1986 ishte drejtor i Institutit të Kulturës Popullore dhe kryeredaktor i revistës shkencore “Kultura popullore”. Në këtë detyrë ai ndryshoi në kahje pozitive funksionet e këtij instituti dhe raportet e tij me botën. Ai është autori i një vargu botimesh shkencore e dokumentare të atij instituti. Në vitet 1987-1990, kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve dhe ministër i Kulturës.

Pas kësaj iu kushtua tërësisht punës shkencore duke botuar një varg studimesh nga fusha e estetikës dhe duke marrë në vështrim jo vetëm autorë shqiptarë, por edhe autorë nga më të njohurit e letërsisë botërore. Ndër veprat kryesore të tij janë: “Estetika, jeta, arti” (1970), “Probleme të estetikës” (1976), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986), “Estetika” (në tri vëllime, 1986-1988), “Shekspiri në botën shqiptare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1997), “Ferr-Parajsa danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (bot. greqisht, Athinë 1998), “Grotesku kadarean” (1999), “Estetika e groteskut” (vëll. I-IV, 2000), “Estetika në letërsinë shqipe” (2001), “Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi: N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni” (Shkup 2003), “Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit” (2004), “Estetika e folklorit” (2007), “Universi estetik” (vëll. I-III, 2004-2007). “Estetika metateorike mbi artin: klasika apo nonklasika?” Vëllimi I, (2008), “Filozofia e DonKishotizmit” (2010), “Petro Nini Luarasi, mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare: 1865-1911: jetëshkrimi, studime, vepra” (2011), “Estetika Migjeniane: fryma moderne në letërsinë shqipe” (2013), “Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare” (2015), “Ese dhe etyde filozofiko-estetike” (2015).

Akad. Alfred Uçi është fitues i Çmimit të Republikës të Shkallës I dhe i disa mirënjohjeve dhe nderimeve të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura