Ndarja nga jeta e Edi Luarasit, ikona e Festivalit XI!/ Rrëfimi i saj për vitet e dënimit: Punova si rrobaqepëse dhe ngrija arka

Dec 4, 2021 | 11:44
SHPËRNDAJE

Një nga karakteret më të spikatura të skenës shqiptare, emblema e Festivalit XI në Radio Televizion Shqiptar, u shua dje në moshën 81-vjeçare.

-640-0-61aa5c1dabb9d

Prej vitesh, artistja ishte larguar nga jeta skenike dhe ajo publike. Lajmin e vdekjes e ndau djali i aktores, Eldon Luarasi, i cili njofton po ashtu edhe orarin dhe vendin e ceremonisë mortore.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se sot, më datë 3 dhjetor 2021, ndërroi jetë nëna jonë e shtrenjtë, Edi Mirdita Luarasi”.

Sipas njoftimit, varrimi do të bëhet sot, në orën 14:00, ndërsa ceremonia mortore zhvillohet tek Internacionali i vjetër, në Rrugën e Kavajës, mbrapa ish-Lidhjes së Shkrimtarëve.

Kanë qenë me qindra mesazhet e ngushëllimit drejtuar familjarëve të artistes, që i mbijetoi me dinjitet kalvarit komunist, që nuk e kurseu çiftin e artistëve të talentuar Mihallaq dhe Edi Luarasi, të cilët sfidonin kohën me artin e tyre.

Nuk munguan edhe ngushëllimet e figurave politike.

edi-luarasi

“Me shumë keqardhje mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktores së mirënjohur dhe të talentuar, Edi Luarasi, një prej ikonave të filmit dhe skenës shqiptare, të cilën vetëm pak muaj më parë pata privilegjin ta vlerësoj me Dekoratën e Lartë ‘Nderi i Kombit’. Edi Luarasi do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj, veçanërisht për vajzat dhe gratë, si shembull i kurajës qytetare, lirisë, vlerave dhe dinjitetit njerëzor, që sfidoi diktaturën për të triumfuar si dëshmitare e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar. Duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe komunitetit të artistëve, lutem të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ka ngushëlluar po ashtu Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

“Sëmundja e rëndë nuk e kurseu një nga aktoret më të spikatura në skenë, Edi Luarasin. Një ditë e dhimbshme për artin, për bashkëkohësit, për të gjithë ata që u dashuruan me figurën, elegancën dhe zërin e vajzës me nishan. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e njohur Luarasi, miqtë e kolegët e kësaj zonje të veçantë”, shkruan Kryetarja e Kuvendit.

72be3e570b8a46e2a434b53a16012160

Për ministren e Kulturës, Elva Margariti, ajo ishte emblema e Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH.

“Lamtumirë Edi Luarasi, e talentuara, e bukura, fisnikja, emblema e Festivalit XI. U prehsh në paqe pranë bashkëshortit tënd, me të cilin ndave një jetë plot tallaze, sukseset e skenës dhe përndjekjen për hir të artit”, shkruan ajo.

ARTISTJA

Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940 dhe ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës. U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor.

download

Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin. Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën te “Doktor Aleksi”, Kordelja te “Mbreti Lir”, Cuca te “Cuca e maleve”, Kristina te “Fytyra e dytë” etj. Ajo u përjashtua nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974, pas Festivalit të 11-të dhe dënimit të të shoqit, Mihallaq Luarasi.

Pas kësaj pasuan vite të vështira, gjatë të cilave u detyrua të bëjë punë të rëndomta. U rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”. Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve” etj.

Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar” dhe vetëm pak muaj më parë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Nga skena, në punë hamalli, Edi Luarasi: Punova si rrobaqepëse dhe ngrija arka

Edi Luarasi nuk ishte një nga ata njerëzit që preferonte daljet mediatike. Në një nga intervistat e saj të pakta, ajo do të tregonte për vitet e vështira pas dënimit të të shoqit dhe largimit nga Teatri Kombëtar, asokohe Popullor.

“Ishin ditët nga më të bukurat, por dhe ditët që po përgatitej skema e goditjes ndaj Mihallaqit. Kishte vite që Sigurimi i Shtetit po kërkonte ta dënonte gjoja për prirje liberale. Dhe rasti erdhi në Festivalin e njëmbëdhjetë. Ai Festival që bëri bujë. Unë isha prezantuese. Kisha veshur një fustan të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve. Orkestra në disa raste kur luante çohej në këmbë. Emocionet ishin të mëdha. Dy herë prezantuese, kur dihet që të gjithë sytë i kishin në Radio Televizion, pasi Festivali ishte ngjarja më e madhe kulturore e vitit. Festivali bëri bujë. Këngët e Festivalit këndoheshin në rrugë. Mua më përshëndesnin kudo. Pa u shuar gëzimi, erdhi goditja. Mihallaqi u gjykua për tendenca të huaja, pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë. Pra, ajo që Sigurimi e priste, erdhi. Mihallaqi u dënua me 8 vjet burg”.

E paskëtaj pasoi largimi nga Teatri Kombëtar dhe një jetë e vështirë: Nga skena në punë krahu.

“Nuk kishte rrugë tjetër. Një jetë tjetër më priste. Një jetë larg skenës. U futa në punë në rrobaqepësi. Ishte një punë e re, por që e kapa shpejt. Atëherë unë, për të marrë gjysmë pension, më duhej të punoja punë si hamalle që të plotësoja 15 vjet punë të vështirë. Më duheshin 6 muaj për të plotësuar kaq vite punë. Pra, kjo punë mund të ishte e barasvlershme vetëm në qoftë se punoja si hamalle. E provova, por s’e përballova. Ngrija arka me domate. Vetëm një muaj munda. Kaq, u bëra kockë e lëkurë”, shton ajo. Bashkë me largimin nga teatri, nisi edhe izolimi.

Disa miq nuk na flisnin më. Ndoshta kishin të drejtë. Dhe unë u shmangesha. Bile në shtëpi kisha vendosur perde të errëta që të mos dukesha nga jashtë. Doja të isha sa më larg realitetit”, tregonte dikur Luarasi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura