Ndarja e kufirit/ Myslim Pashaj tregon dy ishujt ku bazohet “loja” greke me detin”: Të negociohet për…

Sep 1, 2020 | 15:10
SHPËRNDAJE

Koloneli Myslim Pashaj ka reaguar edhe një herë tjetër për çështjen e detit dhe ndarjen e kufirit greko-shqiptar në detin Jon.Myslim Pasha-harta-greqia-deti

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Pashaj ka folur për rëndësinë që kanë cekëtinat shkëmbore në caktimin e vijës kufitare mes dy vendeve. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese në vitin 2010, kur rrëzoi marrëveshjen Shqipëri-Greqi për detin, e ka rrëzuar mundësinë që mikroishujt në detin Jon të përdoren si pika referenca për të aplikuar parimin e 12 miljeve për zgjerimin e detit territorial.

Në këtë pikë, Pashaj thekson që Shqipëria do duhet të negociojë mbi rolin që duhet të kenë dy mikroishujt Othonoi e Erikuza në veri të Korfuzit në përcaktimin e vijës delimituese mes dy vendeve.

Nga MYSLIM PASHAJ

Për kushtet speciale, gjeografike, historike në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë shfaqen veçori, të cilat nuk lejojnë që automatikisht të aplikosh këtë zgjerim të ujërave territoriale pa negociatë dhe pa një marrëveshje.

Pse ndodh kjo pengesë? Sepse në shtrirjen ekstremale veriperëndimore, në ngushticën e Otrantos dhe vijimit të kanalit të Korfuzit, Republika Greqisë përfaqësohet me bashkësi ishullore të Korfuzit, ku ishulli Othonoi dhe Erikuza ndodhen përballë dheut kontinental të Republikës së Shqipërisë.

Kështu, është e nevojshme që sipas këtyre veçorive (ishujt) të negociohet për metodën e ndarjes. Kjo nxjerr në pah efektin e ishujve, pra a do ta marrë ishulli Othonoi të drejtën e plotë që të zgjerohet në 12 milje detare në detin territorial, apo do të marrë 6 milje, 8 milje? E njëjta gjë edhe për ishullin Erikuza.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është i pakapërcyeshëm. Kjo Gjykatë ka hedhur poshtë përfitimin e 12 miljeve detare me efekt të plotë të ishujve dhe cekëtinave shkëmbore. Pranimi i zgjerimit të 12 miljeve shikohet si një pranim parimor, por ama, se sa i takon, këtë e vendos negociata e dy vendeve, në bazë të së Drejtës Detare Ndërkombëtare, çka është e domosdoshme.

Mirëpo, vini re në këto momente se ç’ndodh me qëndrimin e Republikës së Greqisë ndaj Republikës së Shqipërisë? Një ndër aktet e para të deklarimit edhe para sekretarit Stotlenberg ishte botimi i hartës së zgjerimit të Greqisë në 12 milje detare në krahun perëndimor, ku hapësira detare është e gjerë deri në veri të ishullit Othonoi.

Akti i dytë bashkëngjitës është botimi i hartës së Korfuzit dhe arkipelagut që ndodhet përballë Shqipërisë ku janë përvijuar kufijtë detarë midis të dy vendeve, kur dihet se ata nuk ekzistojnë dhe se janë përmbysur nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Qeveria greke, drejtpërsëdrejti nuk e ka mbajtur të fshehtë qëllimin e saj, se pas të Drejtës Ndërkombëtare Detare të kalimit nga 6 milje detare në 12 milje detare, ka përfshirë në të njëjtin dokument hartografik edhe delimitimin e njëanshëm të vijës kufitare detare të detit territorial të Shqipërisë në 112 km gjatësi, nga mesi i ngushticës së Otrantos deri në gjirin e Ftelias, në puqje me piramidën tokësore n.r 49.

Këto ditë keni parë këtë hartë, e cila bart brenda saj me simbole të qarta hartografike projektin e ndarjes së detit në kanalin e Korfuzit, që është hapësirë e detit territorial të të dyja vendeve. Aty përvijohet qëllimi për projektin e nesërm të zbatimit të diktatit “duke e ndarë detin me mënyrën e vijës së mesit, baraslarguar nga brigjet”, e aplikuar në vitin 2009 në paktin detar, tanimë të përmbysur.

Nga opinioni i gjerë shqiptar, kjo hartë është parë pa vëmendje për ta lexuar dhe interpretuar se ç’përfaqëson ajo vijë. Kjo hartë është vizatuar dhe përtërirë pa dijeninë e Republikës së Shqipërisë. Ndiqni me vëmendje hartën e Arkipelagut të Korfuzit!

Në krahun perëndimor dallohen hapësirat e detit territorial të zgjeruar nga 6 milje detare në 12 milje detare, e përvijuar me pika të bardha deri në përfshirje të Othonoit dhe në veri të ishullit Erikuza. E gjitha kjo vijë është “toidhio” si ajo e vitit 2009. Greqia fqinje realizon objektivat e saj strategjike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura