Ndalohet kalimi te “Shqiponja”/ Ja si devijohet trafiku dhe rrugët alternative për të hyrë e dalë nga Tirana

Oct 26, 2020 | 8:50
SHPËRNDAJE

Rrethrrotullimi i doganës, apo siç e mori emrin së fundmi “Sheshi Shqiponja”, pas heqjes së simbolit kombëtar, tanimë nuk do të jetë as shesh. Një kantier i madh ndërtimi ka zënë vendin e saj për të ndërtuar Unazën e Madhe.

shqiponja

Trafiku i rënduar në rrugën kryesore do të zhvendoset detyrimisht në rrugë dytësore, pas mbylljes së detyrueshme të rrethrrotullimit.

Hyrje-daljet në Tiranë janë sqaruar nga kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho. Kështu, mjetet që vijnë nga Jugu do të përdorin rrugën Elbasan-Tiranë, ndërsa ata që vijnë nga Kavaja duhet të përdorin rrugën e Ndroqit.

Për ata që vijnë nga Durrësi drejt qendrës do të devijojnë trafikun në rrugën “Teodor Keko” e më pas drejt “Abedin Hoxhës”, që njihet ndryshe si ish-Fusha e Aviacionit, e cila do të shndërrohet me një sens kalimi me qëllim për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve që vijnë nga qyteti bregdetar. Nga aty, kalimi do të bëhet përmes rrugës “Dritan Hoxha”.

Ndërsa për qytetarët që vijnë nga Jugu rekomandohet përdorimi i rrugës nga Rrogozhina drejt Peqinit për t’u futur në Tiranë përmes Rrugës së Elbasanit. Më të vështirë dota kenë ata që vijnë nga Veriu, të cilët duhet të kalojnë nga Paskuqani ose shinat e trenit, për të depërtuar në “Don Bosko” dhe qendër.

Ky plan menaxhimi, sipas Verdhos, do të zgjasë së paku për tre a katër muaj, kohë e mjaftueshme për kryerjen e punimeve.

Pak ditë më parë drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, dha edhe një rrugë alternative për ata që vijnë nga Durrësi drejt Tiranës, që të zgjedhin kalimin përmes rrugës së vjetër të Ndroqit për të dalë në Kombinat dhe më pas te Pallati me Shigjeta.

Jaupaj u shpreh se do të lihet një korsi emergjence, duke qenë se për shkak të situatës së Covid-19, urgjencat mjekësore do të jenë më të shpeshta.

Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj ka siguruar se galeritë do të hapen në pranverë dhe në fillim të vitit që vjen do të testohet hapja e trafikut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura