I penduari i Tom Doshit, asnjë akuzë zyrtare për atentatin ndaj deputetëve

Mar 4, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Personi i dyshuar si atentatori që u pagua për ekzekutimin e deputetëve Tom Doshi e Mhill Fufi u ndalua në Hanin e Hotit, në tentativë për t’u “arratisur” drejt Malit të Zi. Policia tha se i dyshuari është Durim Bami, 36 vjeç, nga Nikla e Krujës, pronar i disa pikave të basteve në Fushë- Krujë, i cili i shpëtoi një atentati me eksploziv një javë më parë.

Durim Bami gjate shoqerimit per ne polici

Burime zyrtare të Policisë thanë dje se në orët e para të mëngjesit Durim Bami u kap në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, pasi ishte shpallur në kërkim. Ky është i vetmi njoftim zyrtar në lidhje me ndalimin e 36-vjeçarit, pa dhënë arsye konkrete për shoqërimin e tij. Fillimisht Bami është ndaluar pasi ishte shpallur në kërkim me kartelë të verdhë, si person që mund të kishte dijeni për rrëmbimin e Enver Stafukës, po ashtu edhe për eksplozivin që iu vendos një biznesmeni në Fushë- Krujë, mbrëmjen e së hënës.

Përveç këtyre dy rasteve, arsyeja tjetër e ndalimit të tij janë pikërisht akuzat e ngritura së fundmi nga deputeti Tom Doshi, për persona që ishin paguar për vrasjen e tij. Burime nga Policia e Shtetit thanë se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, të ndaluarit nuk i është komunikuar asnjë akuzë zyrtare për atentatin ndaj Doshit.

Ndërsa gjatë gjithë seancës së marrjes në pyetje nga oficerët e Krimeve të Rënda, 36- vjeçari nuk ka pranuar të flasë rreth lakimit të emrit të tij për sulmin ndaj deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Ky fakt është pohuar dje në mbrëmje nga burime jozyrtare të Policisë së Shtetit, ndërsa nga dëshmia nuk konfirmohet asgjë nga Prokuroria.

ME AUTOBLINDË NGA SHKODRA
Pasi u ndalua në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, në Hanin e Hotit, 36-vjeçari Durim Bami është transportuar nga Shkodra në Tiranë, nën masa të rrepta sigurie. Për shkak të atentatit që iu bë një javë më parë në Fushë–Krujë, me eksploziv në makinën e tij, Policia ka marrë përsipër që të sigurojë jetën e tij gjatë transportimit për në kryeqytet. Shoqërimi i Bamit nga Shkodra në Tiranë u është besuar forcave speciale RENEA. I gjithë udhëtimi është bërë me një automjet të blinduar të forcave speciale, ndërsa 36-vjeçarit i ishte veshur edhe një antiplumb.

Lajmin e plote e lexoni sot ne “Panorama” print 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura