Ndalohen ish-spiunët dhe anëtarët e Byrosë, zbardhet formulari për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së! Ja kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

May 19, 2021 | 13:30
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Kur kishin mbetur edhe 4 ditë nga përfundimi i afatit për të dorëzuar dokumentet për kandidat për kryetar të Partisë Demokratike, komisioni zgjedhor i ngritur në selinë blu publikoi kriteret që duhen përmbushur.

pd-zgjedhja e kryetarit

Sipas njoftimit të bërë nga zyra e PD-së, komisioni vendosi dje që çdo person që aspiron të kandidojë për të drejtuar PD-në në 4 vitet e ardhshme duhet të plotësojë disa kritere. Një nga kriteret është kohëzgjatja e anëtarësimit në PD dhe shfaqja si simpatizant i PD-së, por në fakt në të nuk përcaktohet afati, një kufi dysheme për secilin kandidat.

Ndërsa kriteri i radhës është që çdo kandidat do të vlerësohet për kontributin që ka dhënë në fushatat elektorale të Partisë Demokratike, por njësoj si në kriterin e parë, nuk jepet një njësi matëse e kontributit.

“Kontributi profesional e politik në parti, si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në; aktivizimit në jetën politike e publike të vendit; mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi”, përcaktohen kriteret e tjera. Pa dhënë shumë detaje, komisioni sqaron se kriteret e vendosura bazohen në pikën 4 të nenit 10 të statutit të Partisë Demokratike. Por çfarë shkruhet në pikën 4 të nenit 10 në rregulloren kryesore të PD-së: “Karriera e çdo anëtari dhe/ose simpatizanti të PDSH-së, në funksionet brenda organeve të partisë apo funksionet politike përfaqësuese dhe/ose shtetërore, bazuar në meritokracinë dhe kontributin politik, elektoral dhe profesional të tij, është e garantuar. Zgjedhja apo caktimi në këto funksione bëhet bazuar në kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj; kontributit në fushata elektorale; kontributit profesional e politik në parti, si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në; aktivizimit në jetën politike e publike të vendit; mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi”, shkruhet në statut.

formulari per kreun e pd

FORMULARI

Çdo kandidat që plotëson kushtet e mësipërme duhet të plotësojë një formular që gjendet në faqen e PD-së dhe më pas dorëzohet në sekretarinë komisionit të zgjedhjeve. Formulari që plotësojnë kandidatët për kryetar të PD-së ndahet në 5 kapituj, ku fillimisht ata duhet të deklarojnë gjeneralitetet dhe angazhimet politike sipas viteve.

Po ashtu, kandidatët duhet të deklarojnë gjendjen gjyqësore të tyre në formularin e vetëdeklarimit. Nëse po, atëherë ata duhet të shtjellojnë rastin. Ndërkohë, një vëmendje të veçantë në formular ka edhe koha e komunizmit. Kandidatët duhet të deklarojnë nëse kanë pasur ndonjë rol në kohën e komunizmit dhe nëse kanë pasur, duhet të shpjegojnë pozicionin.

“Në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 a keni qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ishSigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme?”, thuhet në pikën 5 të formularit. Nëse verifikohet se të dhënat që japin kandidatët janë të falsifikuara, atyre u hiqet mandati edhe nëse zgjidhen kryetar të partisë.

“Komisioni, pas verifikimit të deklarimeve të pasakta ose të pavërteta, u propozon strukturave përkatëse të PD-së të ndërpresin çdo funksion që mbajnë individët, të cilët kanë falsifikuar të dhënat e tyre personale. Mundësitë e çdo individi për riverifikim, pas këtij vendimi, rriten ndjeshëm në qoftë se ai i përgjigjet duke shkruar të vërtetën në pyetjet përkatëse të formularit. Çdo individ do të ketë të gjitha mundësitë të japë shpjegime rreth përgjigjeve të dhëna në formular. Qartësimet e shpjegimet e dhëna me këtë rast edhe mund të mos ruhen zyrtarisht”, thuhet në formularin e verifikimit të integritetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura