Ndalimi i ish-deputetit/ Avokati i Ndocajt jep detajet: Ja e vërteta

Oct 11, 2017 | 14:30
SHPËRNDAJE

Avokati i ish-deputetit Ndocaj, ka dhënë sot detaje të tjera rreth të vërtetës së shoqërimit të klientit të tij në portin e Durrësit, pas kallëzimit të bërë nga një shtetas italian, i cili ka pretenduar se ai e kishte mashtruar.

avokati-i-ndocaj

Në një prononcim për “News 24” avokati Jordan Daci ka theksuar se ish-deputeti Ndocaj nuk ka asnjë akuzë nga prokuroria dhe asgjë lidhur me ndalimin, apo edhe mashtrimin ndaj shtetasit italian nuk është e vërtetë.

“Policia e Lezhës e shpalli në kërkim pas një denoncimi të një shtetasi italian dhe në bazë të kësaj kërkesë, pa bërë asnjë verifikim, duke qenë se Ndocaj është ish deputet dhe lehtësisht i gjetshëm, u shoqërua për verifikim në portin e Durrësit. Nuk ka asnjë akuzë nga prokuroria, Ndocaj nuk ka asnjë lidhje me sa po thuhet lidhur me mashtrimin. Në shkurt të vitit të kaluar, shtetasi italian pasi kishte dhënë automjetin për një shtetas tjetër që kishte lidhje me Ndocajn, makinës iu bë leja e qarkullimit dhe gjithçka tjetër e dokumentuar dhe sipas ligjit, shkoi e bëri denoncim sikur makina është vjedhur, mbi këtë bazë policia Kukës mori kallëzimin. Arsyet pse e bëri kallëzimin vetëm ai mund t’i dijë. Ndocaj nuk është thirrur, dhe nuk ka reaguar interes se nuk ishte përfshirë. Të shtunën e kaluar ky shtetas ka bërë kallëzim në Lezhë, dhe policia pa bërë asnjë verifikim e shpalli në kërkim policor”- tha avokati.

Reagimi i avokatit pas shoqerimit 

Avokati i Eduart Ndocaj ka reaguar lidhur me ndalimin e ish-deputetit nga policia kufitare në Durrës. Me anë të një deklarate për media ai bën të ditur se Ndocaj është ndalur në Durrës pasi  denoncimiit të bërë nga “shtetasi Italian të quajtur ….që ka disponuar me kontratë ligjore një automjet… i cili më vonë e ka denoncuar si të vjedhur për qëllime që vetëm ai mund t’i dijë…”.

ndocaj

Ndërsa më tej në deklaratë thihet se “po për të njëjtin fakt juridik që nuk ekziston, ky shtetas ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, më 07.10.2010 dhe kjo e fundit, pa bërë asnjë verifikim dhe asnjë përpjekje për të kontaktuar me z. Ndocaj, ndonëse ky i fundit është ndër personat më publik në Shqipëri”.

DEKLARTË PËR SHTYP

E MBROJTËSIT TË Z. EDUART NDOCAJ

Të nderuar përfaqësues të media,

Duke marrë shkak nga publikimi i disa lajmeve të pavërteta dhe keqdashëse të publikuar në mediat elektronike, në cilësinë e mbrojtësit të z. Eduart Ndocaj dëshirojmë t’ju bëjmë me dije si vijon:

Eduart Ndocaj është një qytetar i lirë dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë për ndonjë vepër penale nga organet e hetimit dhe organet gjyqësore të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht ai po udhëton drejt familjes së tij në Itali.

Është i pavërtetë lajmi i arrestimit apo i ndalimit të tij. Mbrëmjen e djeshme ai i është nënshtruar një verifikimi policor sikurse mund t’i nënshtrohet çdo qytetar tjetër i lirë dhe në asnjë rast atij nuk i është hequr liria si person i ndaluar ose arrestuar. Ngjarja ka marr shkas nga denoncimi i një shtetasi Italian të quajtur ….që ka disponuar me kontratë ligjore një automjet… i cili më vonë e ka denoncuar si të vjedhur për qëllime që vetëm ai mund t’i dijë… Pas denoncimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, pasi është njohur me provat shkresore ia ka lënë automjetin nën ruajtje z. Ndocaj. Më tej, po për të njëjtin fakt juridik që nuk ekziston, ky shtetas ka bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, më 07.10.2010 dhe kjo e fundit, pa bërë asnjë verifikim dhe asnjë përpjekje për të kontaktuar me z. Ndocaj, ndonëse ky i fundit është ndër personat më publik në Shqipëri, e ka shpallur në kërkim policor. Shuma e pretenduar nga ky shtetas në fakt është shuma e vlerës së automjetit sipas kontratës ligjore që është vënë në dispozicion të organeve të hetimit… Për këtë ngjarje s’mund të japim më shumë informacion për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor…

Në cilësinë e mbrojtësit, ju bëjmë me dije që veprimet e Policisë së Shtetit kanë qenë krejtësisht jo profesionale dhe të pajustifikuara pasi policia kishte mundësinë që nëpërmjet sistemeve në përdorim të saj, të verifikonte fatin e hetimit të filluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, si dhe të kontaktonte drejtpërdrejtë me z. Ndocaj. Ky i fundit ndryshe ngase ka pretenduar Policia e Shtetit, ka qenë në ditën e premte, datë 06.10.2017 në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, ku si ish deputet ka shkuar për të përfunduar dorëzimet e rastit. Pra shpallja në kërkim ishte e padrejtë dhe e pa bazuar në prova, fakte dhe në ligj. Megjithatë, sqarojmë që e njëjta polici, e cila ka gabuar në shpalljen në kërkim policor të tij pa bërë asnjë verifikim të nevojshëm, pasi u njoh me provat shkresore dhe thëniet e z. Ndocaj, nuk kreu asnjë veprim të mëtejshëm duke mos cenuar lirinë e tij.

Lidhur me publikimet në media, ju bëjmë thirrje gjithë organeve të nderuara të medias, të mos publikojnë lajme të pavërteta dhe me qëllime dashakeqëse ndaj z. Ndocaj. Gjithashtu, u bëjmë thirrje mediave që kanë publikuar të heqin lajmin menjëherë dhe të mos dezinformojnë publikun për gjëra që nuk ekzistojnë. Ndërkohë, u bëjmë thirrje organeve të hetimit të fillojnë një hetim për veprën penale të “Zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal në lidhje me nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, pasi informacionet e publikuara (duke përfshirë pasaportën) e z. Ndocaj janë nxjerrë nga aktet e hetimit dhe më pas janë manipuluar për qëllime të dëmtimit të imazhit të z. Ndocaj.

 

Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo sqarim që nuk cenon sekretin hetimor.

 

Ju falënderojmë për mirëkuptimin!

 

Mbrojtësi i z. Ndocaj

 

Av. Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura