Ndaj Moldavisë luhet për të “djegur” talentet, vëmendja edhe te Reja. Ja strategjia e Kombëtares

Oct 14, 2019 | 10:11
SHPËRNDAJE

Ka gjithmonë motive dhe stimuj për të luajtur një ndeshje futbolli, pavarësisht se objektivi maksimal për t’u kualifikuar në Europianin 2020 u venit pas humbjes së Shqipërisë në Turqi. Kjo nuk do të thotë se futbollistët e Kombëtares duhet të humbasin motivimin, apo përqendrimin.

Shqiperia

Kanë për detyrë që në çdo sfidë të zbresin për të dhënë maksimumin dhe për të fituar. Por për çfarë luan sot ekipi kombëtar kundër Moldavisë? Sigurisht që luan për ta fituar këtë ndeshje, sepse në futboll secili dëshiron të fitojë. Nuk ka rëndësi për çfarë ndeshjeje bëhet fjalë. Edhe kur luan me miqtë në futboll amator, të gjithë kërkojnë fitore.

“TË DJEGIM YJET”-

Por në një sfidë të tillë ku rezultati vlen jo shumë sepse tani objektiv mbetet vendi i tretë, trajneri Edi Reja dhe stafi i tij duhet ta përgatisin për të dhënë disa mesazhe të qarta për lojtarët e rinj. Ai duhet të tregojë se i ka në planet e së ardhmes, por duhet t’ua djegë atyre shansin njëherë e përgjithmonë për të luajtur me kombëtare të tjera. Le të marrim shembullin e mbrojtësit Marash Kumbulla.

marash kumbulla

Rritja e jashtëzakonshme dhe shkëlqimi i tij në Serinë A italiane ka bërë që drejtuesit e federatës italiane të shfaqnin interes ndaj tij. Kumbulla ka qenë gjithmonë i bindur dhe i predispozuar për të mbrojtur fanellën kuqezi, por Reja duhet të tregohet i kujdesshëm për ta menaxhuar atë. Është vetëm 19- vjeçar dhe sigurisht që duhet ta bëjë të ndihet mirë, duke i dhënë minuta. Frika se mos interesimi i Italisë mund të jetë konkret në të ardhmen, duhet të shtyjë Shqipërinë që ta aktivizojë në një ndeshje zyrtare si kjo e sotmja dhe në këtë mënyrë, Kumbulla nuk mund të luajë dot me asnjë skuadër tjetër përveç kuqezinjve. edi reja

KONTRATA

Edi Reja sigurisht që luan edhe për një arsye të rëndësishme, për të arritur rinovimin e kontratës me Kombëtaren shqiptare për eliminatoret e Botërorit. Në nëntor do të bëhet bilanci i punës së tij dhe në rast se e mbyll në vendin e tretë, sigurisht që ka shumë shanse për të qenë ai timonieri i Shqipërisë edhe për dy vitet e ardhshme.

Deri tani puna e tij ka qenë e mirë sepse ka rikthyer besimin te një grup, i cili pak muaj më parë dukej i shpërbërë dhe pa ide. Por bilancet do të bëhen në fund.

GENTJAN ALINANI

(LAJMIN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura