Ndahet nga jeta Shyqyri Çoku, ish-hetuesi dhe torturuesi i At Zef Pllumit në komunizëm

Aug 29, 2018 | 22:25
SHPËRNDAJE

Ish-hetuesi Shyqyri Çoku, të mërkurën, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare. Çoku është i njohur për hetimin dhe torturimin e 92 të dënuarve politik në veri të vendit dhe veçanërisht për torturimin e At Zef Pllumit.

Ai rezulton të ketë qënë një prej hetuesve më aktivë të diktaturës në veri të vendit, ndërsa u bë i njohur në opinionin publik pas daljes në dritë të faktit se qeveria shqiptare e dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”, si veteran të Kategorisë së Parë me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit.

Shyqyri Çoku në periudhën kur torturoi klerikët
Shyqyri Çoku në periudhën kur torturoi klerikët

Po kush është Shyqyri Çoku, hetuesi i diktaturës komuniste?

Shyqyri Çoku ka hetuar dhe torturuar 92 të dënuar, kryesisht politikë (më poshtë lista e plotë). “Çoku, i cili e ka mbyllur karrierën e tij si oficer i lartë i Sigurimit në vitin 1990, ka qenë hetues në çështje të rëndësishme, kryesisht në Veri të vendit, me përfaqësues të lartë të kishës katolike. Ndër më të spikaturit mbeten At Zef Pllumi, por edhe imzot Ernest Çoba, Ipeshkëv i dioqezës së Shkodrës, apo meshtarin Marin Shkurti dhe vëllain e tij, Ndrekë Shkurti, po ashtu edhe Dom Lec Sahatçinë. Ata që kanë vuajtur nga torturat e Çokut dhe proceset e improvizuara politike të tij, tregojnë se ai ishte një njeri që donte të përmbushte misionin e luftës ndaj klerit, duke përpiluar deklarata dhe fakte të paqena në dosjet e tyre”, shkruan Panorama.

At Zef Pllumi e përmend Shyqyri Çokun në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”, i botuar në Tiranë në vitin 2001 nga shtëpia botuese Hylli i Dritës. Titulli në fjalë është vëllimi i tretë i Rrno vetëm për me tregue. Vëllimi i parë është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997 (burimi Ëikipedia).

Hetuesi Çoku ka përdorur deklarimet e At Zef Pllumit rreth fjalimeve të Enver Hoxhës për ekzistencën e lirisë së fesë dhe besimit në Shqipëri, si akuza për t’i ngritur atij një proces tërësisht politik kundër regjimit komunist e për ta dënuar me 25 vjet burg.

Torturat dhe përndjekjet e Shyqyri Çokut i ka provuar edhe publicisti dhe historiani Sami Repishti, i cili pati një reagim të ashpër pas lajmit se “xhelati” i tij ishte dekoruar, duke kërkuar edhe dorëheqjen e Ministres së Mbrojtjes.

Reagim të ashpër pati edhe në media. Por këtë “faj”, falja e kërkuar nga Rama e la pa autor. Pas gjithë kësaj zhurme dhe drejtimit të gishtit nga vetë të persekutuarit nga Çoku drejt qeverisë, kryeministri e hoqi përgjegjësinë nga vetja dhe e degdisi në vitin 1994, ndonëse dekorimet janë akte nominale dhe jo kolektive. Pasi, Shyqyri Çoku nuk u dekorua si anëtar i ndonjë çete, por si person me kontribute të veçanta në çlirimin e Atdheut.

Shyqyri Çoku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura