Ndahet nga jeta Pano Taçi, bohemi i poezisë shqipe

Jun 14, 2012 | 15:16
SHPËRNDAJE

U nda nga jeta në moshën 83-vjeçare poeti i persekutuar.

Ceremonia e lamtumirës zhvillohen sot në orën 10:00-11:00 në hollin e Teatrit Kombëtar.

“Po iki, e di, s’kthehem më/ Nga jeta një të mirë s’pashë/ Nuk di për mall pas nëse lë/ Një fjalë të çiltër që thashë”.
Kështu shkruante dikur poeti Pano Taçi në poezinë e tij “Për ç’heq e vuaj”, i cili u nda dje nga jeta, pa lënë pas në të vërtetë “mall e gjë”, por vetëm poezi brengash e dashurie. Ndonëse nuk iu tut sëmundjes deri në momentin e fundit, në moshën 83-vjeçare, pas një jete plot mundime, poeti mbylli sytë. Tavolina e preferuar tek bar “Europa” do të mbetet bosh, miqtë e kamerieret nuk do të dëgjojnë më zhurmën e motorit të tij apo histori burgjesh e të dashurash, që ai i tregonte gjithnjë me të qeshur. Pano Taçi kaloi një jetë shumë të vështirë gjatë viteve të diktaturës, por edhe pas saj, pasi sistemi i shkuar tashmë ia kishte rrënuar jetën dhe të ardhmen. Poeti i aq shumë vargjeve të dashurisë i ngrysi ditët e tij i vetmuar, në një shtëpi me qira dhe të gjitha shpenzimet e ceremonisë mortore i ka marrë përsipër Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Instituti i të Përndjekurve Politikë. Homazhet për poetin do të zhvillohen sot nga ora 10:00-11:00 në hollin e Teatrit Kombëtar.
Mes burgjeve dhe kampeve të internimit
“…e kalova jetën time në burgje e internime. Nuk më donte regjimi mua. Kisha sjellje ‘borgjeze’. Kështu më thanë në fillim. Pastaj bëja ‘agjitacion e propagandë’, pastaj shkruaja edhe ‘poezi të rrezikshme’… kishte gjithfarë arsyesh regjimi për të mos më dashur mua…”. Kështu thoshte poeti kur ish gjallë, teksa numëronte kalvarin e gjatë të burgimeve dhe internimeve anekënd Shqipërisë. Pano Taçi, i ditëlindjes 1928, ka qenë partizan gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ka qenë në Brigadën 43 dhe ka marrë pjesë në çlirimin e Kosovës nga gjermanët në vitin 1944. Por kjo nuk do ta shpëtonte dot nga arrestimi i vitit 1947. E arrestuan për shkelje kufiri pasi donte të arratisej në Greqi, për të shkuar më tej në Amerikë, ku kishte të gjyshin Zoto Taçi, që me sa tregonte vetë poeti në të gjallë, kishte qenë sekretar i Fan Nolit (Nga vepra e këtij të fundit Taçi ka qenë gjithnjë i frymëzuar). Pas dy viteve burg, do të internohej 6 vjet në Lushnjë. Pas kthimit në Tiranë do të riniste të shkruante. Një nga poezitë që do ta kthente sërish në qeli e ku atakonte drejtpërdrejt Enver Hoxhën, ishte “Shokut Zot”. Kësaj here e priste Spaçi. Më vonë nuk do të pranonte të votonte e sërish dënim. Kështu do të vijonte jeta e Pano Taçit deri në vitin 1990, nga njëri burg në tjetrin, nga njëri kamp internimi në tjetrin. Nga Valiasi në Kavajë, në kënetat e Maliqit, ku ishin punët më të rënda. Gjatë periudhave të pakta që ishte tej qelisë e telave me gjemba, ai mundi të botonte tek-tuk ndonjë poezi me pseudonim i ndihmuar nga Lasgush Poradeci, të cilin e kishte mik apo nga Ismail Kadare, me të cilin e lidhte qyteti i lindjes, Gjirokastra e pa dyshim letërsia.
Poeti
Edhe pse nisi të shkruante qysh në moshë fare të re, që në vitet ’43-’44, për shkak të persekutimit të vazhdueshëm, poeti Pano Taçi mundi të botonte vëllimet e tij poetike vetëm pas viteve ’90. Ndoshta liria për të botuar dhe mirëpritja që i bëri poezisë së tij lexuesi e kritika, ka qenë një nga kënaqësitë e pakta që jeta i dha atij. Botoi vëllime të tëra poetike, si “Poezi të zgjedhura”, “Blerim i thinjur”, “Hukama e Venusit”, “Prit e prit”, “Dhe vdekja do paguar”, “Sa pak qiell”, “Trokas në qiell” etj. Por lëvroi gjithashtu edhe dramën si “Flakë në terr” apo “Qirinjtë”, por edhe fabulën e përrallën. Pano Taçi i këndoi deri në fund dashurisë, dalldisjes pranverore, femrës plot mall e brengë, vështrimeve djegëse, por edhe revoltohej me veten apo me vendin e tij, me popullin e tij që e quante “vulëhumbur”. “Mos ma shani popullin tim maskara/ Shiko se bëhet njëra/ Paçka se sot maska i ra/ Që dramat i luan komedi të tëra”. Kjo është një nga strofat e poezisë “Populli im vulëhumbur”.

Pano Taçi e meriton Parajsën!
Sigurisht që do të vdiste një ditë. Dhe e mbajti fjalën. Siç do ta mbajmë edhe ne, tani për tani ende gjallë, kur të na vijë dita të ndjekim shtegun dhe shembullin e tij. Vdiq Pano Taçi, rrugaçi, i pabinduri, margjinali, outsider-i, vulëhumburi dhe vetvetegjeturi, i pafati e dhimbjelarti.
Edhe sikur Parajsa të mos ekzistonte, do të ishte e nevojshme të shpikej vetëm për atë, poetin e mallkuar, e ndaluar, grushtshtrënguar, zemërmjaltë e shpirtbukur. Të shpikej jo vetëm se emri i tij fillon me të njëjtën rrokje si ajo.
Po t’ju bjerë rruga, shkoni te kafe “Europa”, pyeteni kamerierin ku ulej zakonisht Pano Taçi dhe rrini disa çaste atje. Nuk do të vonojë dhe veshi e zemra do t’ju dëgjojnë zërin e tij të heshtur ose heshtjen e tij tingëllore. Që vjen nga Parajsa. Me damkën e mrekullueshme të lirisë e të erosit.
Nga Parajsa ku ai rikrijon e rijeton vetveten për vete dhe për ne të tjerët. Ku ai vazhdon të shkruajë rrethuar nga krijesa qiellore me një shije sajuar enkas për të.
Nga Parajsa pa dyer e dritare, ku shkojnë vetëm poetët si ai. Poetët që vuajtën dhe me vuajtje shkruan të parrëfyeshmen para se të vdisnin. E shkruan për ne. Edhe te kafe “Evropa”. Ku secila e secili nga ne mund të bëjë herë pas here, por heshtazi, homazhe për Pano Taçin. Herë pas here, një pelegrinazh shpirtëror për atë që, tashmë në Parajsë, habit shenjtorët e engjëjt, madje edhe vetë Zotin, me veçantësinë e tij çapkëne të papërsëritshme.
Po, Pano Taçi e meriton plotësisht Parajsën. Dhe meqenëse nga Parajsa nuk arratisesh dot (ndryshe ai me siguri do të orvatej të kthehej ndonjëherë në tokë, sa për të na befasuar e mrekulluar ne, miqtë apo lexuesit e tij besnikë), le të na presë atje për të na rrëfyer një ditë të parrëfyeshmen.
Duke pritur këtë ditë, ne, të mbeturve në tokë, që do të na bjerë herë pas here rruga nga kafe “Evropa”, ka për të na marrë malli për Pano Taçin. I cili, me shijen që i dha jetës sonë, e meriton plotësisht Parajsën, por që do të kishte bërë mirë të rrinte dhe ca më gjatë mes nesh.
Edmond Tupja

Kanë thënë për të në të gjallë
Dritëro Agolli: “Pano Taçi është poet origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e tjera. A ka gjë më të mirë se kjo?

Xhevahir Spahiu: Gjendje dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të fundme dashurore në pleqëri të thellë, ja ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse poeti endacak Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën, por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane.

Luljeta Lleshanaku: Duke lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku të gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit, ku u përmbyll për aq kohë ai.

Vath Koreshi: Është vështirë ta ndash Pano Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij fizikoshpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që gjendet prapa heshtjes, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe natyrës së tij prej bohemi.

Sadik Bejko: Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve mespërmes. Me një vijueshmëri botimesh, për zili, në këta vjet ai provon atë që, ç’do të thotë të dish të qëndrosh në zgrip të gjërave, në telin e hollë të të vërtetave që kundërshtojnë njëra-tjetrën.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura