Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare, lamtumirë Mehmet Myftiut, shkrimtarit disident të heshtur

Dec 24, 2019 | 20:41
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Daljen e fundit publike e shënon në fundgushtin e vitit 2018. Me kapelën e kadifenjtë republike, atë buzëqeshjen e trishtë ku dashuria ngre krye mbi vuajtjet, Mehmet Myftiu u shprehu mirënjohje miqve të tij në heshtje, teksa përkëdhelte poezitë e tij të përmbledhura në “Nuk i dua thinjat”.

Një heshtje që e shoqëroi shkrimtarin disident në postkomunizëm, deri në ndarjen fizike nga kjo jetë. Mehmet Myftiu u shua dje në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një histori jo të zakontë për t’u rrëfyer brezave, atë të intelektualit që guxoi deri në marrëzi të kundërshtonte sistemin e mbrapshtë duke e parë drejt e në sy, duke kritikuar me fjalë, letër protestë me veprën e tij, aq sa të befasonte dhe mikun e tij, Ismail Kadare.

80282502_1522720121224629_964909182375428096_n

“Ishte shkrimtari i parë me mendime të lira, që kam njohur në jetën time”, do të shprehej për të gjeniu i letrave për kolegun. Këtë qëndrim dinjitoz ai e ka trashëguar edhe te fëmijët e tij. “Kam qenë disidente që pesë vjeç”, rrëfen e bija, Besa Myftiu, një vit më parë, duke ia dedikuar lirinë për të qenë kundër dogmave të diktaturës, dashurisë së pakushtëzuar të prindërve të saj. “Një nga arsyet që babai im shkoi në internim ishte sepse doli kundër letërsisë së realizmit socialist.

Ai shkroi dhe përshkroi kampet e përqendrimit që në 1954- ën në librin ‘Shkrimtari’, që është libri i parë disident i lindjes”, u shpreh Besa në një takim letrar një vit më parë. Si disident e themelues të letërsisë realiste pas Luftës së Dytë Botërore e konsideron Mehmet Myftiun edhe studiuesi Agron Fico. “Ishte dhe mbetet Prometeu shqiptar në luftën për liri nga pushtuesit nazifashistë. Kundërshtar i dogmave të metodës sovjetike, të quajtur ‘realizmi socialist’, Mehmet Myftiu vuajti egërsinë e dy diktaturave: të diktaturës naziste, që e dënoi me vdekje në kampin e internimit në Prishtinë dhe të diktaturës komuniste që e dënoi, i hoqi të drejtën e të shkruarit dhe e bëri cigareshitës”, shprehet Fico. Homazhet në nderim të shkrimtarit do të mbahen në datë 25 dhjetor, ora 12:00, pranë shtëpisë së funeralit “Alba”.

80579755_1181607008714449_8288276567533027328_n

ELVIRA DONES: NJË NGA HERONJTË E PAKËNDUAR TË SHQIPËRISË

Dikush vdiq sot në Tiranë. Quhej Mehmet Myftiu. Për shumë të rinj, por edhe për të tjerë, emri nuk thotë ndoshta asgjë. E kam dashur. Më mësoi lirinë pa dashur t’i mësonte askujt asgjë. Ji e lirë, më tha dikur, dhe në djall vafshin konvencionet. Unë isha veç një nga shoqet e vajzës së tij që ai adhuronte, Besa Myftiu. Hyja e dilja në atë shtëpi ku mbretëronte një kaos i bukur: e vetmja fè aty ishte letërsia. Më besoi të lexoja librin e tij “Shkrimtari” – atë libër që i kushtoi jetë lirie. Vite me pas e takova në një kafe të Tiranës, ishte një ditë dimri, i zakonshmi acar i hidhur i Tiranës. Si të dukem, – më pyeti, – i plakur? E sigurova që ishte ende i bukur, sepse i bukur ishte. As vitet e dënimit nën diktaturë, as mungesa e së drejtës për të botuar nuk ia kishin hequr dot mrekullinë në sytë. E di, – më tha, – të rinjtë e sotëm më intrigojnë. Çfarë mendojnë për ne? Si do e ndërtojnë të ardhmen e tyre? Duke na injoruar ne, do jenë më të shëndetshëm?… Unë nuk kam ngut, ndoshta do iki në një ditë dimri, por do më pëlqente të ikja në pranverë. Mehmet Myftiu iku në një ditë dimri. E io lo piango, lo piango in italiano, lo piango in inglese. (Dhe unë qaj në italisht, unë qaj në anglisht.) Lotët, a e kanë një gjuhë? Për Mehmet Myftiun, një nga heronjtë e pakënduar të Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura