Ndahet nga jeta ish-deputeti i Partisë Demokratike, Basha: Ishte luftëtar i paepur për drejtësi shoqërore. Lutjet e mija për tri vajzat e….

Jan 4, 2020 | 11:39
SHPËRNDAJE

BAsha=konferenca-Salianji (6)Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka bërë të ditur se mbrëmë është ndarë nga jeta ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ali Gripshi.

Basha ka vlerësuar figurën dhe kontributin e Ali Gripshit, duke thënë se ai ishte një luftëtar i paepur për drejtësinë shoqërore.

Ali Gripshi ka qenë deputet i PD-së në degën e qytetit të Peqinit.

“Mbrëmë u nda nga jeta Ali Gripshi, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe një prej aktivistëve kryesorë të degës së Partisë Demokratike të Peqinit.

Një luftëtar i paepur për drejtësi shoqërore, Ali Gripshi ishte shembulli i qytetarit të angazhuar që për dekada me radhë u shndërrua në frymëzim për dije e respektimin e të drejtave të njeriut. Breza të tërë të qytetarisë së Peqinit u rritën me pedagogjinë e Ali Gripshit, me iluminizmin dhe atdhedashurinë që ai përçonte edhe në kohën e diktaturës, kur varfëria synonte tjetërsimin e njeriut dhe shndërrimin e tij në një skllav të regjimit.

Pas rrëzimit të diktaturës Ali Gripshi u rreshtua në vendin që meritonte dhe që i takonte. Me themelimin e Partisë Demokratike në Tiranë, ai ishte i pari në Peqin që mori teserën e PD, ishte drejtues i grupit nismëtar që krijoi degën e PD në Peqin dhe u zgjodh kryetari i parë i saj në Janar të 1991, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të parë Kombëtar të PDSH.

Me kontributin e Gripshit, forcat demokratike regjistruan një fitore të thellë në Peqin, duke e rreshtuar atë plot meritë ndër bastionet e PD-së. Si një kurorëzim normal i këtij angazhimi shoqëror, erdhi edhe zgjedhja e Ali Gripshit si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, në vitin 1996.

Qytetarët e Peqinit kujtojnë përpjekjet e gjithanshme të Ali Gripshit për zhvillimin e zonës, jo vetëm në funksionin e Drejtorit të Drejtorisë Arsimore, por kryesisht në funksionet e një prijësi, e një kryeplaku të vërtetë, i cili diti të kontribuonte që në qytet të mos rikthehej padrejtësia, e çfarëdo forme qoftë ajo.

Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur për thuajse 3 dekada në radhët e saj Ali Gripshin dhe ka gëzuar kontributin e pashoq të mësues Gripshit, Nderit të qytetit të Peqinit.

Mendimet dhe lutjet e mija janë me 3 vajzat e Aliut dhe të gjithë të afërmit dhe miqtë e Aliut. Me humbjen e tij të parakohshme, ato humbën babanë e tyre të shtrenjtë, familja njeriun e saj më të dashur dhe PD aktivistin e pashoq.

Përpjekja për një shoqëri më të drejtë, për një Peqin të arsimuar e një Shqipëri të zhvilluar është një detyrim për Partinë Demokratike, por edhe një homazh për kontributin 30 vjeçar të Ali Gripshit në radhët e saj.

U prehtë në paqen e përjetshme.

I paharrueshëm qoftë kujtimi i tij!”, thekson Basha.

Ali Gripshi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura