Ndahet nga jeta aktorja Drita Agolli, e para e diplomuar në Regjisurë

Nov 2, 2017 | 17:59
SHPËRNDAJE

Është ndarë dje nga jeta aktorja e vjetër e teatrit, Drita Agolli (Strazimiri). Lajmin nuk kanë vonuar ta bëjnë të ditur kolegët e saj bashkëkohës, në rrjetet sociale, duke njoftuar gjithashtu se përcjellja e saj për në banesën e fundit bëhet sot, në orën 14:00.

23201990_10155294259213068_1188991249_n

Agolli lindi më 2 qershor të vitit 1927 në Maqellarë të Peshkopisë, ishte aktore dhe pedagoge mjaft e njohur e brezit të saj, por ajo që është me rëndësi për t’u theksuar është se Agolli ishte e para studente femër e diplomuar në Regjisurë. Në vitin 1950 fillon punë në Teatrin Popullor si aktore. Roli i parë i Drita Agollit ka qenë Marieli te “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjev, në vitin 1951. Në 1954 Drita Agolli ndoqi studimet e larta në Institutin e Arteve të Bukura në Bukuresht, Rumani, për skenografi dhe kostume teatri. Në shtator të 1956, vijon studimet e larta në ish-Bashkimin Sovjetik, në Institutin e Artit Dramatik të Moskës me emrin e Lunaçarskit(GITIS) për regji teatri. Pasi diplomohet në atdhe, në 1960 emërohet në Teatrin Popullor, si aktore, por pas vitit 1963, e emëruar tashmë regjisore në Teatrin Kombëtar, vë në skenë disa pjesë të suksesshme të dramaturgjisë botërore dhe kombëtare.

Drita Agolli është gruaja e parë shqiptare e diplomuar për Regjisurë. Si aktore përmendim rolet e Marielit “Zëri i Amerikës”, Bianka “Otello”, Gertruda “Hamleti”, Klea “Dhelpra dhe rrushtë”, Ortensia “Zonja e bujtinës”, Drita “Mbi gërmadhat”, Anarda “Qeni i kopshtarit”, Elena Andrejevna “Qeni i kopshtarit”, Donna Luçia “Karnavalet e Korçës”, etj. Si regjisore ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në disa skena të qyteteve të tjera të vendit: “Shtrëngata”, “Llampa e neonit”, “Tokë e zjarrtë”, Lumi i vdekur”, “Pabesia”, “Luiza Miler”, “Familja e peshkatarit, “Njerëzit e thellësive”, “Tek ura”, “Djali plangprishës”, “Shënomëni dhe mua”, “Marianida Pineda”, “Njeriu, virtyti dhe kafsha”, etj.

Drita Agolli vlerësohet edhe për kontributin e vyer të saj si pedagoge në Katedrën e Artit Dramatik të Institutit të Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura, duke përgatitur disa breza aktorësh, të cilët konsiderohen sot si thesare të artit dramatik dhe kinematografik shqiptar. Në vitin 1974 emërohet shefe e Katedrës së Dramaturgjisë të atij Instituti. Duke ia njohur talentin, përgatitjen profesionale, artistike dhe pedagogjike, si dhe përkushtimin e palodhshëm të kësaj artisteje ndaj ngritjes dhe evidentimit të vlerave të artit dramatik shqiptar, aktorja, regjisorja dhe pedagogia Drita Agolli nderohet me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1985. Ndërsa në vitin 2001, nderohet me titullin më të lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Drita Agolli ka botuar një sërë artikujsh kritikë në lëmin e artit skenik, si dhe një libër autobiografik “I Paemri”, i pritur ngrohtë nga specialistët e fushës dhe publiku i gjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura