Nazime Visha përfiton ulje dënimi, 3 muaj burg

Mar 6, 2016 | 8:43
SHPËRNDAJE

Nazime Visha e dënuar me 10 vjet heqje lirie për vrasje, përfiton 3 muaj ulje dënimi.

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e depozituar nga 22-vjeçarja, e fajësuar si autore e vrasjes së Fiqiri Muçës, më 13 gusht 2012, në Kërrabë. Vendimi në fjalë është shpallur vetëm 4 ditë para se ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, t’i propozonte Presidentit të Republikës faljen e Nazime Vishës. Më 25 shkurt 2016, në përfundim të dy seancave shqyrtimi gjyqë- sor, gjyqtari Lazer Sallaku ka vlerësuar si të bazuar kërkesën e Vishës.

Nazime Visha në Gjykate
Nazime Visha në Gjykate

“Pranimin e kërkesës. Uljen e masës së dënimit në masën 90 ditë për të dënuarën Nazime Visha”, thuhej në dispozitivin e vendimit të Gjykatës. Kërkesa e të dënuarës është bazuar në të drejtën që i njeh ligji për të kërkuar ulje dënimi deri në masën 90 ditë në vit, të motivuar me sjelljen e mirë në burg. Bëhet e ditur se në raportin e Drejtorisë së Burgut 325, të administruar nga Gjykata, thuhet se e dënuara ka respektuar rregullat e Institucionit dhe nuk ka masa disiplinore.

Sipas raportit, Visha ka pasur marrëdhënie shumë të mira me personelin e shërbimit dhe me bashkë- vuajtëset. Ajo ka mbajtur takime të rregullta me familjen dhe në vijimësi ka shprehur pendim të thellë për të gjitha pasojat e ardhura prej veprimeve të saj.

DËNIMI

Aktualisht, Vishës i kanë mbetur edhe 3 vjet e 6 muaj nga përfundimi i dënimit. Paralelisht me këtë kërkesë të pranuar të Vishës, një tjetër trup gjykues po shqyrton një kërkesë tjetër të saj për përfitim nga amnistia. Gjykata ka zhvilluar vetëm një seancë të këtij procesi, ku u njoh me pretendimet e Vishës dhe i dha kohë përfaqësuesit të akuzës të paraqesë me shkrim konkluzionet e tij.

Nga ana tjetër, më 29 shkurt, ministri Manjani i propozoi Presidentit të Republikës të falë pjesën e mbetur të dënimit të Nazime Vishës. Sipas ministrit, për rastin në fjalë nuk kishte kritere ndaluese ligjore dhe se përmes dënimit të vuajtur ishte arritur qëllimi për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror të të dënuarës. Bashkëngjitur me propozimin për falje, Manjani i përcolli Presidencës edhe një letër të nënshkruar nga Visha, ku ajo kërkonte t’i falej dënimi.

“Gjatë vuajtjes së dënimit jam munduar të kem sjellje sa më të mirë në institucionin ku vuaj dënimin. Për veprën penale që kam kryer, jam shumë e penduar. Arsyeja që e bëj këtë kërkesë është se unë nuk kam gëzuar kurrë si moshataret e mia, pasi jeta ime ka qenë në çdo moment e vështirë dhe e ashpër. Jeta në familjen time është shumë e vështirë. Babai me aq sa punon, nxjerr vetëm të ardhurat për ilaçet e mamit, pasi ajo është e sëmurë, si dhe kam një vëlla të vogël 5-vjeçar”, thuhej në letrën e Nazimes.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura