Nazime Visha bëhet “nuse” në skenë. Biznesmeni nga SHBA vendos ta birësojë

May 21, 2015 | 18:50
SHPËRNDAJE

Nazime Vishës i “ndrin” ylli. Pasi aktorja e mirënjohur Ema Andrea e veshi “nuse” në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar dhe e bindi Nazimen të rrëfejë dramën e jetës së saj, vajza, sapo të lërë qelitë pritet të nisë një jetë të re në tokën e premtuar.

Nazime Visha ne Teater veshur si nuse/ Nazimja ne sallen e gjyqit

Gazeta Shqiptare shkruan sot se rrruga e saj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se është thjesht çështje kohe. Një familje shqiptaro-amerikane ka rënë në kontakt me familjen e Nazimes dhe ka kërkuar që ta “birësojë” atë. Lajmi konfirmohet jo vetëm nga burime të besuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, por edhe nga familjarë të vajzës e cila ekzekutoi Fiqiri Muçën, 45 vjeç, të cilin e akuzonte për përdhunim që kur ende nuk kishte mbushur 14 vjeç.

“Kemi informacion se e dënuara Nazime Visha ka tërhequr interesin e një familjeje shqiptaro-amerikane, por duke qenë moshë madhore, nuk mund të flitet për një birësim në kuptimin juridik – tha një zyrtar i Burgjeve për “GSH”. Ndërsa, i ati i Nazimes, Beqir Visha pranoi faktin se një biznesmen shqiptar që jeton prej 2 dekadash e gjysmë në Amerikë, ka kërkuar ta “tërheqë” vajzën drejt Amerikës, duke i siguruar atje mundësi më të mira për jetën e saj. “Megjithatë, – theksoi Beqir Visha, – ende asgjë nuk është vendosur, për shkak se Nazimja ndodhet në burg duke vuajtur dënimin”. Në pushimet vjetore, kohë kur sipas të afërmve të Nazimes, pritet të vijë familja “birësuese”, ka shumë gjasë që të vendoset përfundimisht. Si zyrtarët e Burgjeve, ashtu edhe familja e Nazimes u treguan të rezervuar për të dhënë më shumë detaje lidhur me këtë histori, që pritet t’i ndryshojë tërësisht jetën adoleshentes, që këmbëngul se u përdhunua që kur ishte 14 vjeçe dhe mandej u dhunua seksualisht katër vite me radhë. 

LEJA SHPËRBLYESE

Në fund të prillit, Nazime Visha ka lënë për pesë ditë qelitë e burgut “Ali Demi” ku mbahet e izoluar dhe ka shijuar lirinë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka firmosur më 27 prill 2015 një leje shpërblyese për të dënuarën për vrasje dhe Nazime Visha ka qëndruar në shtëpinë e gjyshes së saj, Drita Visha në periferi të Tiranës, pikërisht në atë shtëpi para së cilës ekzekutoi Fiqiri Muçën verën e 2012-ës. “Nazime Visha përfitoi një leje shpërblyese prej pesë ditësh, pasi plotësonte të gjitha kriteret që parashikon ligji. Leja filloi në datën 27 prill dhe përfundoi më datë 1 maj 2015. E dënuara Nazime Visha e zbatoi me përpikëri orarin për t’u rikthyer në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, tha një zyrtar i burgut të “Ali Demit”. Kjo leje ka qenë e para për vajzën 21-vjeçare, e cila në fakt, prej ditës së kthimit në burg, nuk është vizituar, sipas burimeve nga burgu, nga asnjë prej familjarëve të saj. E kjo duket për faktin se familja e saj është në pamundësi ekonomike për të bërë ecejaket për te dera e burgut, pasi të atit i duhet të punojë për të mbajtur me bukë familjen. Ndërsa, theksojnë burimet, më shumë vajza vizitohet nga gjyshja dhe xhaxhai i saj.

Gratë e burgosura në Teatrin Kombëtar

Lot, thirrje për ndihmë, lutje në Zot. Mall, pafundësisht mall. Më pas tension. Shifra pa fund. 42, 43, 69, 70, 115. Secila prej tyre, numëronte ditët e mbetura të qëndrimit në qeli. Ato ishin shtatë. Vetëm shtatë. Shtatë gra që mbartin brenda vetes, histori tragjike, të trishta, të dhimbshme. Gra të braktisura. Gra të harruara. Të plakura përtej hekurave. Por, shpresa vdes e fundit. Një ditë liria vjen sërish. Por, sa shumë gjëra kanë ndryshuar në strehëzat e tyre. Më pas pak humor. Ironi për fushatën elektorale. Një pasqyrim i realitetit të shoqërisë, në një mënyrë krejt të qashtër, pa fjalë të mëdha. Asnjë premtim, sepse siç tha e dënuara, “premtimet nuk mbahen, të paktën nga politika”. 

Ema Andrea ia doli që në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të ngjiste për të rrëfyer historitë e tyre shtatë të dënuara. Në fakt, pritej të ishin tetë, por njëra syresh mungoi për shkak të një fatkeqësie familjare. Një shfaqje teatrale me shumë mesazhe të forta brenda saj. Shtatë gra që klithnin. Një publik që duartrokiste pa fund. Lot në sallë dhe shumë thirrje. Projekti “Prag”, që vjen në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me Qendrën e Artit “M.A.M. Foundation”, me drejtore artistike znj. Ema Andrea, ngjiti në skenë gratë e burgosura të burgut “Ali Demi” (325) në Tiranë. Performanca teatrale, e para e llojit të saj në Shqipëri, ishte pa diskutim një risi për burgjet shqiptare.

Sigurisht, asnjëra prej të dënuarave nuk është aktore, por Ema Andrea vendosi t’i “mbiquajë” ato sipas viteve të burgimit që kanë për të kryer. Ato u ngjitën në skenë ashtu siç janë, duke mbartur dramat e jetës së tyre, që u shpalosën si një realitet i panjohur për ne, njerëzit e lirë. Shfaqja teatrale u ndoq nga mjaft personalitete, siç ishte ambasadori britanik, Nikolas Cannon, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Gjergj Bojaxhi, si dhe nga mjaft qytetarë të thjeshtë e studentë të Arteve. Klodiana Lala/GSH

  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura