NATO, përballë sfidave të sigurisë në Europë

May 17, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

arjan-starovaARIAN STAROVA

Mjedisi i sotëm ndërko mbëtar i sigurisë është  i tillë që përballja me të kërkon vëmendje madhore, përpjekje të pareshtura dhe investime të pakrahasueshme me të kaluarën. Një prej tipareve kryesorë të tij është të ndryshuarit me ritme të shpejta dhe me forma të paparashikueshme. Edhe një vështrim kalimthi mbi këtë mjedis e tregon këtë më së miri.

Duke nisur nga Verilindja dhe Lindja e Europës deri në Jug dhe Juglindje të saj, bashkësia e vendeve tona euroatlantike dhe bota në tërësi janë duke u përballur me shumë kërcënime të sigurisë. Ato përfshijnë prej ambicieve ruse për zgjerimin e hapësirave gjeografike të ndikimit të saj dhe synimeve të shtetit islamik për perandori fetare islamike, deri te goditjet e terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm me format e tij të larmishme.

Rrjedhojat e të gjitha këtyre kërcënimeve rëndojnë mbi jetën dhe veprimtaritë shoqërore të dhjetëra miliona njerëzve të kombësive, racave, besimeve fetare dhe hapësirave të ndryshme gjeografike. Në përballje me këtë mjedis ndërkombëtar të sigurisë, NATO është tashmë e tëra në këmbë për mbrojtjen e hapësirës tokësore euroatlantike, të popullsive të vendeve anëtare dhe të vlerave demokratike euroatlantike, duke plotësuar tri detyrat e saj thelbësore, forcimin e mbrojtjes së përbashkët, mirëkujdesjen për krizat dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për sigurinë.

Dy vjet më parë, në Mbledhjen e Nivelit të lartë të NATO-s në Uells, në vitin 2014, u miratua Plani i Veprimit të Gatishmërisë (Readiness Action Plan, RAP) të NATO-s me synimin që Aleanca të jetë e gatshme për t’iu kundërpërgjigjur shpejt dhe me forcë kërcënimeve të reja të sigurisë. Ky ka qenë përforcimi më i madh që i është bërë mbrojtjes së përbashkët të NATO-s që prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, i menduar si një paketë e masave gjithëpërfshirëse për t’iu kundërpërgjigjur ndryshimeve të mjedisit të sigurisë në Europë dhe përreth saj, si edhe atyre që vijnë prej Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Këto dy vjet kanë treguar më së miri se ky plan veprimi ka qenë dhe do të jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme e NATO-s edhe për sigurinë e hapësirës tokë- sore dhe popujve të vendeve të Aleancës, por edhe të atyre që janë jashtë hapësirës euroatlantike.

Rrjedhojë e këtyre vendimmarrjeve të NATO-s për sigurinë, është trefishimi i Forcës së Kundërpërgjigjes së Shpejtë të NATO-s (NATO Response Force, NRF) duke e çuar numrin e saj në 40 mijë, krijimi i TaskForcës së Bashkuar të Gatishmërisë Shumë të Lartë (Very High Readiness Joint Task Force, VJTF) ose i “forcës goditëse” (“spearhead force”) me rreth 20 mijë trupa, e cila është përherë e gatshme të shkojë për veprime ushtarake kudo që të jetë e nevojshme dhe krijimi i një Force të Përhershme Detare (Standing Naval Forces) për të vepruar në detet Baltik dhe Mesdhe.

Po kështu, është rritur shumë numri i stërvitjeve ushtarake në tokë, ajër dhe det në Lindje dhe përreth NATO-s, me synimin e përsosjes së veprimeve aleate për mbrojtje të përbashkët dhe mirëkujdesje për krizat. Që prej majit të vitit 2014, NATO e ka shtuar shumë numrin e avionëve patrullues dhe të fluturimeve të avionëve luftarakë në mbrojtje të hapësirë ajrore euroatlantike mbi vendet e aleatëve të saj lindorë.

E njëjta gjë po kryhet edhe në hapësirën detare lindore të hapësirës tokësore aleate. Ndërkohë, janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme shkëmbimet e informacioneve dhe këshillimet ndërmjet shërbimeve aleate të inteligjencës, me synimin e krijimit të një vetëdijeje të përbashkët mbi kërcënimin e terrorizmit.

Është rritur gjithashtu dialogimi dhe bashkëpunimi i NATOs me partnerët e saj në përballje me terrorizmin ndërkombëtar prej Jordanisë dhe Irakut, deri në Marok dhe Tunizi, duke i ndihmuar këto vende që të rrisin aftësitë e veta mbrojtëse ndaj goditjeve nga jashtë ose nga brenda tyre.

Edhe bashkëpunimi i NATO-s me organizatat ndërkombëtare si OKB, BE, OSBE në kornizën e Strategjisë Botërore të OKB-së Kundër Terrorizmit (UN Global Counter-Terrorism Strategy) është rritur dhe forcuar me synimin e veprimeve më të frytshme kundër terrorizmit ndërkombëtar. Kohët e fundit, NATO ka ndihmuar shumë për përballimin nga BE të krizës së refugjatëve.

Anije të një grupi të Forcës së Përhershme Detare të NATO-s kanë vepruar në detin Egje për të ndihmuar rojet bregdetare të Greqisë dhe Turqisë për të ndaluar trafikimin e paligjshëm dhe shpëtimin e jetëve njerëzore. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur së fundi që ta katërfishojnë përkushtimin e tyre ndaj sigurisë europiane nëpërmjet Nismës për Sigurinë Europiane (European Reassurance Initiative) brenda vitit 2017, duke shtuar trupat, pajisjet, infrastrukturën dhe stërvitjet në Europë.

Edhe mbledhja e ardhshme e nivelit të lartë të NATO-s në Varshavë, në korrik të këtij viti, do t’i përkushtohet thuajse tërësisht forcimit të mëtejshëm të mbrojtjes së përbashkët të Aleancës. Në takimin me Presidentin e Shqipërisë, zotin Nishani, në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm, zoti Stoltenberg, theksoi: “Në mbledhjen e nivelit të lartë të NATO-s në Varshavë, në korrik, ne do të shtojmë praninë në pjesën lindore të Aleancës sonë. Ne do të shënojmë përparim në aftësitë thelbësore të NATO-s, siç janë mbrojtja raketore (Ballistic Missile Defence) dhe programi i dronëve për vëzhgimin.

Po ashtu, ne do të rritim mbështetjen tonë për partnerët tanë në Lindje dhe në Jug”.1 Duke folur në mënyrë më gjithëpërfshirëse, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Stoltenberg, shprehet se “Në vitin 2016 dhe në vitet që vijnë, NATO do të vazhdojë të sjellë qëndrueshmëri, duke mbetur e fortë, duke qenë e hapur për dialog dhe duke punuar me partnerët në të gjithë botën. Ndërkohë që sfidat e sigurisë me të cilat përballemi janë të mëdha, të ndërlikuara dhe do të na shoqërojnë për shumë vite të ardhshme, NATO është në lartësinë e detyrës”.

Pjesë e mjedisit ndërkombëtar të sigurisë është edhe rajoni ynë i Ballkanit Perëndimor, i cili, gjithsesi, mbart edhe tiparet e tij të veçanta. Vitin e fundit ai u përball me rrjedhojat e krizës humanitare të Lindjes së Mesme në formën e ardhjes së një vale të madhe të refugjatëve prej Sirisë dhe Irakut, ose zonave të tjera përreth tyre. Në rajonin tonë u vërejtën edhe dukuri shqetësuese të përpjekjeve të Shtetit Islamik për të rekrutuar militantë prej popullsive të ndryshme të tij, përfshirë edhe atë shqiptare.

Ekzistenca e mendësive nacionaliste të përziera me elitat politike të rajonit vazhdon të jetë një rrezik i fshehtë për sigurinë e tij. Edhe dukuri të tilla, si korrupsioni dhe veprimtaritë e paligjshme të gjithfarë llojeve, së bashku me paaftësinë e sistemit të Drejtësisë për ta luftuar si duhet atë, përbëjnë shkaqe që e gërryejnë duke e bërë të brishtë paqen dhe sigurinë e rajonit tonë.

Ndërkohë, janë duke u ushtruar trysni të tjera të dukshme dhe të fshehta nga brenda dhe jashtë rajonit tonë, në përpjekje për të cenuar qëndrueshmërinë e tij. Sipas zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, zotit Vershbow, “Veprimet e Rusisë në Ukrainë janë pjesë e një mënyre sjelljeje shqetësuese. Ajo ka rritur shumë shpenzimet e saj për mbrojtjen, duke i zgjeruar dhe modernizuar Forcat e saj të Armatosura.

Ajo bën stërvitje ‘të papritura” pa njoftuar, si ajo që bëri për të fshehur pushtimin e Krimesë. Ajo përdor të folurit dhe propagandën, si edhe financon parti të djathta të parëndësishme në përpjekje për të prishur qëndrueshmërinë e fqinjëve të saj dhe për të gërryer nga brenda solidaritetin e Aleancës. Po ashtu, ajo përpiqet të ushtrojë trysni mbi shtetet, qofshin ato aleate të NATO-s apo vende neutrale, duke iu afruar atyre dhe, ndonjëherë, duke i shkelur kufijtë e tyre me anijet dhe avionët e saj”.

Të gjithë këto kërcënime të sigurisë sonë rajonale nuk mund të zhduken menjëherë. Disa prej tyre ekzistojnë për shumë kohë dhe do të jenë të pranishme edhe më tej, pavarësisht prej përpjekjeve për të shmangur ndikimin e tyre negativ mbi rajonin. Megjithatë, unë mendoj se, në dobi të paqes dhe sigurisë së rajonit tonë, ka disa drejtime të politikës ndërkombëtare ku mund të veprohet pa humbur kohë.

Është e pakuptimtë që ende pesë vende anëtare të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur Kosovën. Sa më shumë kohë kalon pa e njohur atë, aq më shumë krijohet hapësirë për të vepruar sipas mendësive të vjetra dhe ambicieve të reja që janë në shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat kanë rrjedhoja të dëmshme mbi sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke gjetur rastin për ta përshëndetur vendimin për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO të Malit të Zi, mendoj, po ashtu, se edhe përshpejtimi i integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe të Maqedonisë do të ishte në dobi të drejtpërdrejtë të sigurisë së rajonit. Tejzgjatja e grindjes greko-maqedonase për emrin e Maqedonisë nuk i kundërqëndron më asnjë arsyetimi që lidhet me sforcimin e sigurisë rajonale.

Është një e vërtetë e mirënjohur dhe e padiskutueshme tashmë se integrimet euroatlantike në Ballkan kanë qenë dhe janë shumë thelbësore për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e këtij rajoni. Për vendet anëtare dhe ato që synojnë të jenë anëtare të NATO-s në rajonin tonë, rritja e aftësive të tyre mbrojtëse mbetet një detyrë thelbësore.

Dhe mbrojtja nuk forcohet pa rritje të investimeve për të. Në konferencën e përbashkët të shtypit me Presidentin Nishani, gjatë vizitës së tij në selinë e NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg, theksoi: “Unë pres që Shqipëria të mbajë premtimin që të gjithë ne bëmë në mbledhjen e fundit të nivelit të lartë me kryetarët e shteteve dhe të qeverive, në Uells, në vitin 2014, për të rritur shpenzimet për mbrojtjen. E mirëpres vendimin e Qeverisë shqiptare për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2016.

Megjithatë, ka ende rrugë për të bërë që të arrihet pragu i shpenzimeve 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen. Natyrisht, duke rritur shpenzimet për mbrojtjen në Shqipëri, ju do ta bëni mbrojtjen, pra Forcat e Armatosura të Shqipërisë, më të forta. Megjithatë, duke bërë këtë, ju do ta bëni edhe NATO-n më të fortë. Kështu pra, mesazhi im kryesor është se të gjithë ne duhet të investojmë më shumë për mbrojtjen tonë të përbashkët në kohë kur shikojmë se jetojmë në një botë më të rrezikshme. Dhe, Shqipëria i ka disa aftësi mbrojtëse njerëzore të rëndësishme, ju keni përvojë, ju keni disa aftësi mbrojtëse, të cilat janë me rëndësi shumë të madhe për Aleancën.

Megjithatë, unë dua të shoh më shumë Shqipëri në NATO. Prandaj, unë pres dhe shpresoj që Shqipëria të investojë më shumë për mbrojtjen në vitet që vijnë. … Kjo do të ndihmojë që populli shqiptar të jetë i sigurt dhe që NATO të jetë e fortë”. Detyra tjetër e rëndësishme për Shqipërinë mbetet përmirësimi i bashkëpunimit në fushën e shërbimeve inteligjente. Përtej vlerësimit të Aleancës për atë çka ka bërë Shqipëria në këtë fushë, mbetet detyra e përmirësimit të mënyrave të shkëmbimit të informacionit inteligjent.

Është e rëndësishme që të rritet si grumbullimi i informacionit inteligjent, edhe shkëmbimi i tij me aleatët, ashtu edhe të përmirësohet mënyra se si punohet me shërbimin inteligjent. Ndërkohë, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilave është Shqipëria, përpjekjet për çrrënjosjen e korrupsionit dhe sundimin e ligjit të barabartë për të gjithë janë po aq thelbësore për sigurinë rajonale.

Siç thotë zv.sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Vershbow, “Vija jonë e parë e mbrojtjes nuk janë trupat ushtarake ose armët e rënda, por qeverisja e frytshme: institucionet që janë – dhe mendohet se janë – në anën e qytetarëve. Çdo anëtar i Aleancës së NATOs është i përkushtuar ndaj vlerave tona të lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut.

Ne duhet të vazhdojmë të gjithë të investojmë në këto vlera çdo ditë, duke përfshirë në to edhe përballimin e sfidës së refugjatëve dhe emigrantëve. Në nuk mund të lejojmë që kjo krizë të shndërrohet në përçarëse e solidaritetit dhe humanizmit tonë, duke i hapur rrugë përçarjes dhe mendjengushtësisë”. Në këtë këndvështrim, edhe debati i gjatë dhe tejet i ngatërruar ku është përfshirë politika shqiptare mbi Reformën në Drejtësi, duam apo nuk duam ne, shndërrohet në një çështje të sigurisë sonë kombëtare dhe rajonale.

Nëse sistemi i Drejtësisë nuk bën të mundur që të sundojë ligji i barabartë për të gjithë, atëherë krijohen pashmangë- sisht hapësira për veprimtari të paligjshme të cilat, në forma nga më të ndryshmet, shfrytëzohen nga aktorë të larmishëm që synojnë prishjen e paqes, qëndrueshmërisë dhe sigurisë së rajonit tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura