NATO 2030

Jun 30, 2020 | 10:15
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI

LEONARD-DEMI

Ky shkrim kërkon të bëjë të njohur nismën për NATO-n e vitit 2030, të cilën e parashtroi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancë më 8 qershor, por që zë fill dhjetorin e kaluar në Samitin e Londrës, ku liderët e NATO-s kërkuan njëzëri që Aleanca të bëhet ende më e fortë ushtarakisht dhe politikisht të jetë po aq efektive (“Panorama”, 3 dhjetor 2019, f.18).

NATO 2030 është një përpjekje e madhe që synon të adaptojë Aleancën të përballojë sfidat e dhjetëvjeçarit të ri, duke garantuar sigurinë tonë në një botë gjithnjë e më të pasigurt. Në këtë orvatje, NATO duhet të jetë (i) më e fuqishme ushtarakisht, (ii) më e bashkuar politikisht dhe (iii) me një qasje më të gjerë globale.

Në mjedisin e sotëm të sigurisë, vë re Sekretari i Përgjithshëm (SP), pandemia i ka zmadhuar rreziqet dhe tensionet ekzistuese, Rusia vazhdon me këmbëngulje aktivitetet e veta ushtarake; Shteti Islamik dhe grupe të tjera terroriste po marrin zemër; aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë po nxitin keqinformimin dhe propagandën; ndërsa ngritja e Kinës po ndryshon rrënjësisht balancën e forcave, nxit garën për epërsi ekonomike dhe teknologjike, shumëfishon kërcënimet ndaj shoqërive të hapura dhe lirive individuale, duke rritur konkurrencën mbi vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës.

Kësisoj, së pari, “na duhet një Aleancë e fuqishme ushtarakisht për të mbrojtur demokracitë tona dhe ndërsa vështrojmë nga 2030, duhet të vazhdojmë të investojmë për kapacitete moderne ushtarake të cilat na kanë mbrojtur për 70 vjet, ashtu siç vazhdojnë të na mbrojnë edhe sot. Siguria është themeli i përparimit tonë, tani dhe në të ardhmen”.

Së dyti, “duhet ta përdorim NATO-n më shumë politikisht”, d.m.th., që NATO të diskutojë të gjitha problemet dhe çështjet, të cilat prekin apo kanë të bëjnë me sigurinë tonë. Kjo mënyrë veprimi do t’i japë mundësi Aleancës të bëhet bashkë, më shpejt dhe më sistematikisht: “Nga konfliktet në rajonin e Lindjes së Mesme, te kontrolli global i armatimeve dhe për pasojat që mund të kenë në siguri ndryshimet klimatike”. Kështu, NATO do të ketë mundësi të përdorë të gjithë gamën e “mjeteve ushtarake dhe joushtarake, ekonomike dhe diplomatike”, që parashikon Traktati i Uashingtonit. “NATO mundet të mos jetë gjithmonë në vijën e frontit, por mund të jetë forumi për diskutime dhe konsultime të sinqerta”. Në fakt, NATO është i vetmi vend që bën bashkë Europën dhe Amerikën e Veriut çdo ditë, pasi gëzon strukturat dhe institucionet e ngritura. Këtë gjë dëshmoi edhe vizita e Sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Mark Esper, në NATO, të premten, më 26 qershor.

Së treti, “në një botë me konkurrencë të madhe, ku Kina afrohet gjithmonë më pranë nesh nga Arktiku në hapësirën kibernetike, NATO ka nevojë të ketë një qasje më globale dhe që nuk do të thotë prani globale”. Në këtë drejtim, “Aleanca duhet të bashkëpunojë më ngushtë me vende që ndan të njëjtat vlera, si: Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut”.

Si përfundim, SP thotë se sfidat me të cilat përballemi në dhjetëvjeçarin e ardhshëm janë më të mëdha se mundësitë e çdo anëtari. As Europa dhe as Amerika nuk mund t’u bëjnë ballë vetëm. Për këtë arsye, “duhet të mënjanohen tundimet për zgjidhje kombëtare dhe të ngrihemi në lartësinë e vlerave tona: liri, demokraci dhe rend ligjor”.

Vizioni i SP për NATO 2030 nuk ka si qëllim të ribëjë NATO-n, por ta bëjë Aleancën tonë (i) më të fuqishme ushtarakisht, (ii) më të fuqishme politikisht dhe (iii) më globale. Për këtë arsye ka ngritur një grup ekspertësh të japë ide të reja, por njëkohësisht do të vazhdojë të konsultohet aktivisht me aleatët dhe shoqërinë civile, me sektorin privat dhe liderët e rinj. Vitin tjetër, në Samitin 2021, SP do t’u bëjë të njohur liderëve të NATO-s rekomandimet e veta dhe mendon se së bashku mundtë shikojmë drejt 2030-ës me besim se të gjithë popujt e vendeve të NATO-s do të jenë të sigurt, në një botë të pasigurt.

Ky vizion që përqendrohet në modernizimin e kapaciteteve, rritjen e unitetit politik dhe ekonomik dhe ndikimin e NATO-s globalisht, jo vetëm në kontekstin e Europës dhe Amerikës së Veriut, shoqërohet edhe me sfida të mëdha.

PËRPJEKJE PËR TË MODERNIZUAR AFTËSITË USHTARAKE

Ndërsa SP përqendrohet tek uniteti politik dhe potenciali ekonomik i Aleancës, gjatë kësaj vere po kryhen një numër ndryshimesh dhe rishikimesh ushtarake.

Strategjia e re ushtarake e NATO-s u miratua në maj të 2019, por Komandanti i tanishëm Suprem dhe njëkohësisht Komandanti i Komandës Operacionale po harton një koncept të ri operacional të frenimit dhe mbrojtjes dhe po përgatit një koncept të ri të aftësive luftarake të NATO-s.

Këto plane mbase janë një përpjekje për të kaluar nga planifikimi ushtarak i Aleancës, që bazohet në kapacitete (një koncept që synon të sigurojë një numër të kufizuar nga çdo kapacitet ushtarak, duke përfshirë edhe disa të reja), te një koncept që merr për bazë kërcënimet (ky koncept, që duket se ka të bëjë me kapacitete konkurruese të krijuara për të kundërvepruar ndaj çdo dobësie, ofron përparësi).

NATO ka në përdorim kapacitetet e vendeve anëtare, d.m.th., ato kapacitete që vendet anëtare mendojnë se u duhen. Koncepti i riinkurajon shtetet anëtare të ndryshojnë përparësitë e tyre në të mirë të atyre që Aleanca vendos se janë të rëndësishme. Vështirësia këtu qëndron te shtetet anëtare, që kapacitetet e sugjeruara nga NATO t’i përfshijnë në përparësitë e tyre kombëtare. Kjo është një dilemë themelore, e cila duhet të kënaqet, në qoftë se konceptet e reja do të rezultojnë të dobishme.

Një NATO që pajiset duke u bazuar te kërcënimet është realiste dhe e dëshirueshme në frenimin e Rusisë. Por, kjo nismë mund të realizohet vetëm kur shtetet anëtare do ta pranojnë këtë koncept. Mosmarrëveshjet në filozofinë e aftësive mbrojtëse midis vendeve anëtare dhe NATO-s pengojnë Aleancën të ngrejë një forcë të bazuar në konceptet e reja.

Marrëdhëniet me Rusinë

Marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë janë bazuar në një politikë me dy drejtime: (i) frenim dhe mbrojtje dhe (ii) dialog. Në këtë kontekst, po vëmë re një Rusi më agresive, që dëshiron të përdorë forcën kundër fqinjëve të vet në Gjeorgji dhe Ukrainë, që po investon shumë për kapacitete të reja moderne, duke përfshirë armatime atomike. Tani, Rusia po dislokon raketat e reja SSC-8 me mbushje bërthamore, të cilat janë të lëvizshme dhe zbulohen me shumë vështirësi; mund të arrijnë qytetet europiane; kanë kohën e paralajmërimit më të vogël, si edhe pragun e përdorimit potencial, d.m.th., pragun e përdorimit të armëve atomike në konfliktet e armatosura(Panorama, 20 nëntor 2018, f.15)

Në këtë situatë, NATO nuk ka bërë sehir Rusinë, por ka marrë masa për të siguruar një frenim dhe mbrojtje të besueshme, sepse kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar një konflikt, për të mënjanuar ndonjë dyshim ndaj gatishmërisë së NATO-s, apo edhe mbi vullnetin e vet për të mbrojtur të gjithë aleatët. Për sa kohë NATO siguron këtë frenim, nuk do të ketë asnjë konflikt dhe asnjë sulm.

Nga ana tjetër, Rusia është fqinj i NATO-s dhe do të jetë atje përgjithmonë, prandaj Aleanca dialogon me të dhe bën përpjekje për marrëdhënie më të mira. Aleanca beson në kontrollin e armatimeve dhe një garë e re armatimesh do të jetë e rrezikshme dhe e kushtueshme, për këtë arsye vazhdon të dialogojë fort me Rusinë.

A do të kemi një koncept të ri strategjik?

Koncepti i sotëm strategjik përcakton tri detyra kryesore: (i) mbrojtje kolektive, (ii) menaxhimin e krizave, përfshirë luftën kundër terrorizmit dhe (iii) siguri me bashkëpunim, d.m.th., bashkëpunim me partnerët e NATO-s kudo në botë.

Ky koncept strategjik është miratuar në 2010, d.m.th., para aneksimit të Krimesë, para ISIS-it, Iranit, Irakut, Sirisë dhe të gjitha sfidave, të cilat NATO i ka përballur që nga ajo datë. Gjatë kësaj kohe, NATO ka qenë në gjendje të kryejë adaptimin e vet më të madh ndër dekada, që nga koha e Luftës së Ftohtë, ku dallohen: Forcat e gatishmërisë së lartë, grupet e reja luftarake në pjesën lindore të Aleancës, Komanda e re Kibernetike, deklarimi i hapësirës si fushë operacionale, reformimi i strukturës së komandave ushtarake, si dhe investime më të mëdha për mbrojtjen. Pra, gjëja më e rëndësishme nuk është nëse kemi një koncept të ri strategjik apo jo, thotë SP, por gjëja më e rëndësishme është se NATO ka ndryshuar kur bota po ndryshon.

DREJTIMI POLITIK

Mosmarrëveshjet politike ndërmjet vendeve anëtare për një sërë çështjesh, si: tregtia, Kina, Rusia dhe Lindja e Mesme qasen të dobësojnë NATO-n dhe kanë ngritur disa pyetje nëse Aleanca mund të merret vesh për çështjet madhore të ditës. Sipas SP-së, hapi i parë për të arritur një mendim të përbashkët është “të përdoret NATO më shumë politikisht”, sesa ta shikosh Aleancën thjesht si mjet për bashkëpunim ushtarak. “Nganjëherë, thotë ai, duket se të gjithë harrojmë rëndësinë e përmasës politike të NATOs”, prandaj projekti “NATO 2030” kërkon të sjellë në tavolinën e NATO-s të gjitha çështjet që prekin sigurinë tonë, si dhe të mobilizojë fuqinë ekonomike dhe diplomatike të Aleancës, krahas fuqisë së vetë ushtarake.

Sigurisht, së pari, NATO shërben për të na mbrojtur, neni 5 i Traktatit të Uashingtonit: mbrojtje kolektive, por ky traktat fton vendet anëtare të punojnë së bashku për të trajtuar, p.sh., rëndësinë e qëndrueshmërisë së tyre dhe këtu kemi të bëjmë me nenin 3. Kësisoj, nenet 2 dhe 3 flasin për mjetet joushtarake për të garantuar sigurinë tonë dhe paqen. Nga ana tjetër, kriza shëndetësore ka shtruar nevojën për institucione ndërkombëtare të forta dhe rritjen e bashkëpunimit shumëpalësh.

MARRËDHËNIET ME KINËN

NATO nuk e sheh Kinën si armik të ri apo si një kundërshtar. Por ajo që NATO vë re është se ngritja e Kinës po ndryshon rrënjësisht balancën globale të forcave dhe në Samitin e Londrës, liderët e NATO-s, për të parën herë në historinë e Aleancës, ranë dakord që NATO të trajtojë pasojat në siguri që vijnë nga ngritja e Kinës.

Kina shpejt do të ketë ekonominë më të madhe në botë dhe sot, buxheti i saj për mbrojtjen vjen menjëherë pas buxhetit amerikan. Kina po investon shumë për kapacitete të reja ushtarake, përfshirë raketat që mund të mbërrijnë në të gjitha vendet e NATO-s. Kina po i afrohet hapësirës kibernitike, po duket në Arktik dhe në Afrikë, po investon në infrastrukturën kritike të Aleancës dhe po bashkëpunon gjithmonë e më shumë me Rusinë. E gjithë kjo veprimtari, sigurisht që ka pasoja për sigurinë e të gjithë aleatëve. Prandaj, NATO duhet të jetë në gjendje t’i bëjë ballë dhe të përgjigjet.

MARRËDHËNIET BE-KINË

Ndërsa NATO po punon për të mënjanuar ndikimet negative që mund të ketë ngritja e Kinës në sigurinë euroatlantike, Bashkimi Europian (BE) dhe Republika Popullore e Kinës (Kina) po përpiqen të mbajnë një samit të posaçëm (samiti ishte planifikuar për më 14 shtator në Lajpcig, por u shty për shkak të pandemisë).

Ky samit pritej të shërbente për një pakt investimesh midis BE-së dhe Kinës, i cili po diskutohet që nga viti 2013. BE shpresonte gjithashtu, të arrinte një marrëveshje me Pekinin edhe për disa çështje shumëpalëshe, pos asaj të ndryshimit të klimës.

Ndërsa Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare për lundrim të lirë në detin e Kinës Jugore (FONOPs), një teatër detar, ku Pekini pretendon disa territore dhe hapësira ujore të diskutueshme; Berlini ka ngurruar të mbajë qëndrim ndaj çështjes së pretendimeve të Kinës në këto ujëra. Disa studiues besojnë si arsye investimet kineze në Gjermani, e cila, që nga viti 2000 ka qenë vendi i dytë më i preferuar i Kinës për investimet në Europë, menjëherë pas Mbretërisë së Bashkuar. Në vitin 2018, tregtia e Gjermanisë me Kinën arriti në rreth €200 miliardë. Po kaq me rëndësi për ekonominë gjermane është edhe prania e saj në tregjet kineze. Sipas të dhënave të Institutit Qendror Europian për Studimet Aziatike (CEIAS), në 2018, eksportet gjermane zinin gjysmën e të gjitha eksporteve të BE-së në Kinë apo 7.1% të të gjitha eksporteve gjermane, krahasuar me 5.6% të Mbretërisë së Bashkuar.

Këto marrëdhënie nuk kanë qenë njëlloj të mirëpritura nga gjithë spektri politik gjerman. Kundërshtarët kanë ushtruar trysni mbi aleancën qeverisëse CDU-CSU (Bashkimi Kristian Demokrat dhe Bashkimi Kristian Social i Bavarisë). Kështu, z. Nils Schmid, zëdhënësi për Çështje të Jashtme të Partisë Social Demokrate, SPD, partia e dytë në koalicion me CDU-në, në shkurt kritikoi Kancelaren Merkel si “e kapur nga ideja dhjetëvjeçare e Kinës”. Znj. Annalena Baerbock, bashkëkryetare e Partisë së Gjelbër, së fundmi i bëri thirrje Kancelares të ndërpriste planet për konferencën e Lajpcigut, në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të Kinës për të zbatuar një ligj të ri për sigurinë në Hong Kong.

Po kështu, disa shtete europiane kanë shprehur zemërim ndaj qëndrimeve të Pekinit, veçanërisht ndaj “diplomacisë së maskave” dhe retorikës së Kinës të quajtur diplomaci e “ujkut luftëtar”, me të cilën Kina është tallur publikisht me qëndrimet europiane ndaj krizës shëndetësore.

Edhe pse BE-ja është luhatur midis ashpërsisë dhe pajtimit, gjë që ka nxitur kritika për uljen e toneve ndaj veprimeve të Kinës, deklarata e Kancelares Merkel disa ditë para marrjes së Presidencës europiane se BE-ja duhet të zhvillojë një politikë që reflekton interesat dhe vlerat e veta dhe se midis Kinës dhe BE-së qëndrojnë respekti për të drejtat e njeriut, rendin ligjor dhe shqetësimet mbi të ardhmen e Hong Kongut, qartëson qëndrimin e BE-së ndaj Kinës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura