Natasha Lako: Mall për prehrin e gjyshes, borën dhe Bibliotekën e Korçës

Dec 3, 2012 | 11:59
SHPËRNDAJE
Natasha Lako me bashkëshortin Mevlan Shanaj, në ambientet e shtëpisë.

Dëshira për t’u kapur në një pikë të së kaluarës, një kujtim i bukur në çaste çlodhjeje shpirtërore vjen si përforcim i momenteve të pashlyera që i kanë mbetur në mendje. Për skenaristen e poeten e njohur Natasha Lako, ngandonjëherë nostalgjia është një nevojë që e thërret së brendshmi…

Pa e trazuar askush, në atë qetësinë shpirtërore dhe dëshirën që në të tilla çaste të kujtojë vetëm gjëra të bukura, ndien shpesh nevojën për t’u kthyer vite pas, në pafajësinë e moshës. Vajza e vetme e familjes korçare, e rritur mes prehrit të gjyshes dhe kujdesit të nënës shëndetlig, ndien mall për atë kohë… Kur për herë të parë shijoi lirinë e moshës së vegjëlisë, nga pragu i derës te Biblioteka e qytetit të lindjes, Korçë. Turravrapi drejt një bote të re që e kish bërë për vete, e përmes së cilës kish filluar të njihte edhe njerëzit. Shoqëruese kish flokët e dendur të borës që u binin supeve, e për shijen e të cilave ka ende nostalgji, për sa kohë që nuk e ka përjetuar më një situatë të ngjashme…

*  *  *
Për skenaristen e njohur Natasha Lako, nevoja për të kujtuar të shkuarën nuk ka lidhje me jetën e përditshme. Kryesisht kjo ndjenjë “troket” në momente të paqta çlodhjeje shpirtërore, çka përgatit terrenin për një investim kohor në të kaluarën, aty ku gjithkush rreket të bëhet herë fëmijë, adoleshent apo vanitoz… “Në momente të caktuara, më pëlqen të bëj një seleksionim të ngjarjeve të jetës. Diçka që bëhet me dashje, por që është e bukur. Një lloj kujtese emocionale që të ndihmon për t’u kthyer pas në kohë. Jo se më kanë ndodhur ngjarje të mëdha, por më shumë më pëlqen të kujtoj situata të bukura, sesa situata analitike. Por, kjo nuk e përjashton atë që është e rëndësishme: rrënjët tona që janë pohim i vetvetes, i prehrit ku kemi vendosur kokën”, thotë Lako. Në këtë pikë, i pëlqen të bëjë krahasime, edhe pse e di se përputhshmëria nuk ekziston… Ajo figurativja, ndofta! “Kam mall për prehrin e gjyshes, dhe për një tjetër ‘prehër’ ku kam vendosur kokën që fëmijë… Biblioteka e qytetit tim të lindjes, Korçës. Duke qenë vajzë e vetme, pa motër apo vëlla, jam rritur nga ime gjyshe, ndërsa mamaja dukej papritur dhe po kaq befas zhdukej nga jeta ime. Ishte e sëmurë e i duhej të shtrohej shpesh nëpër spitale. Vetëm në moshën shtatëvjeçare nisa të thelloj raportet e mia me librin, teksa mbaja frymën në bibliotekën e qytetit, dhe përmes librave nisa të njoh njerëzit, botën përreth”, vijon ajo. Si një rikonfirmim i gjenezës kulturore ku edhe është maturuar ndër vite, marrëdhënia me librin e ka ndihmuar të shohë ndryshe raportet njerëzore, edhe pse fabulat rrallëherë janë përqasur me realitetin. Nostalgjia për poeten dhe femrën e letrave shqipe thërret shpesh si një zë i brendshëm, që jo vetëm e ndihmon për t’u kthyer pas në kohë, por edhe për të mos përjashtuar nga kujtesa ato momente të vlefshme, apo panorama jetësore përmes të cilave është rritur. Dhe për Natashën, diçka mbetet nostalgjike, për sa kohë që nuk ke përjetuar një të ngjashme… “Deri më tani nuk më ka ndodhur që të shijoj sërish ata flokët e dendur të dëborës, atë të ftohtin e acartë të dimrit të Korçës, të cilit i largohesha duke u ‘arratisur’ në bibliotekën e qytetit. Aty ku librari dhe stufa e thjeshtë prej teneqeje emetonin mikpritje e ngrohtësi. Nuk jam gjendur kurrë më prej asaj kohe në një ambient të ngjashëm, edhe pse kam shëtitur në bibliotekat e mbarë botës. Ndaj, kam mall, nostalgji për këto detaje të jetës sime”.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura