“Nata” e regjimit komunist në Shqipëri, në sytë e një italiani

Jun 24, 2016 | 19:51
SHPËRNDAJE

Natën ato marrin trajta të frikshme. U ngjajnë ca përbindëshave, që ndryjnë mistere brenda vetes. Natën, rrënojat e mbetura nga Shqipëria socialiste duket sikur gjallërohen, marrin jetë për të nderur historinë e tyre mbi kujtesat e njerëzve.

e ndaluara

Një udhëtim të çuditshëm, natën vonë ka ndërmarrë edhe fotografi italian, që prej vitesh ka zgjedhur të jetojë në Shqipëri. Përmes aparatit të tij, ai ka fiksuar çfarë ka mbetur nga ajo e shkuar “e lavdishme” e Shqipërisë.

Një udhëtim nëpër ato vende që dikur ishin “krenaria” socialiste, ndërsa sot janë braktisur, duke u kthyer në ca rrënoja, të cilat as nuk shemben, por as nuk përdoren për asgjë tjetër, thua se një “mallkim” u endet mbi kokë. Kjo është nata e një regjimi.

diktatura

“Night of a regime”, kështu titullohet ekspozita fotografike që Antonio Fantasia do të ekspozojë në hapësirat e Galerisë “Zeta”, shoqëruar nga video të realizuara në bashkëpunim me Erion Gjatollin. Antonio Fantasia nuk e ka pasur të vështirë të gjejë gjurmë të së shkuarës nëpër Shqipëri.

Ato i gjen jo vetëm nëpër periferi, por mu në zemër të qyteteve të mëdha. Piramida apo ish-muzeu “Enver Hoxha”, ish-Uzina “Enver”, Burgu i Spaçit, oxhakë fabrikash që ngrihen si kulla Babeli, bunkerë, mbi shpinën e të cilëve tani shënohen mesazhe elektorale, shtatoret e udhëheqësve sovjetikë të zbritur nga piedestalet: Lenini me një dorë cung dhe Stalini që të rrëfen udhën… “A do të mundet Shqipëria t’u japë atyre sot një kuptim të ri?”, ngre pyetjen fotografi italian.

spac piramida

EKSPOZITA

“Shumë shpesh, e shkuara socialiste e Shqipërisë qëndron e pa vënë re. Por mbetet gjithsesi në mendjet dhe kujtimet e njerëzve, merr trajtën e frikës dhe padrejtësive të mbetura të pandëshkuara. Një e shkuar thjesht e pathënë, e larguar nga drita e diellit, nga drita e ndërgjegjes.

Veçse ndonjëherë kthehet natën për t’iu fanitur të mbijetuarve”, shprehet fotografi italian. Godinat e fotografuara rrëfejnë këtë të shkuar që hiqet si e harruar, por në të vërtetë ajo është aty, edhe pse e gjymtuar prej kohësh. Ato lartësohen në vijën e horizontit të qytetit apo shndërrojnë territorin përreth.

sovjetike

“Janë godina të harruara – të pashembura e të pashfrytëzuara për qëllime të tjera. Shpesh janë pa pronarë dhe numri i saktë nuk njihet. Së bashku, përfaqësojnë të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike gjatë regjimit: industrinë, godinat ushtarake, sistemin hekurudhor, aeroportet, minierat, burgjet, kampet e punës, radiostacionet, statujat, monumentet dhe mauzoletë, rezidencat për nomenklaturën, vendet e pushimit”, thotë fotografi.

Gjatë këtij udhëtimi fotografitë bashkohen me dëshmitë e njerëzve që i kanë përjetuar këto vende gjatë regjimit apo që janë të angazhuar sot me projekte rijetëzimi të tyre.

Synimi është të rivendoset kujtesa kolektive dhe historike që lidhet me këto vende për t’i rimenduar dhe imagjinuar si peizazh kulturor dhe si burim për zhvillimin vendor.

Rrënojat e një sistemi politik të shembur së fundmi, “zona të ndaluara” e shkuara e të cilave është ende e dukshme, mund të “zbulohen” nga artistë, planifikues, arkitektë, përfaqësues të komunitet dhe aktivistë si hapësira të artit publik, të përvetësimit kulturor, turizmit, prodhimit artizanal apo për qëllime të tjera përshtatjeje dhe ripërdorimi. Pjesë nga intervistat e mbledhura do të shfaqen në ekspozitë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura