Nasip Naço, kërkesë në KLD: Shkarkoni gjyqtarin e Paro Laçit

Dec 5, 2013 | 13:44
SHPËRNDAJE

Gjatë një mbledhje të KLD
TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i propozoi dje Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Ibrahim Hoxha. Sipas Ministrisë, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Hoxha, ka kryer shkelje procedurale në gjykimin e kërkesës së ekstradimit të biznesmenit Paro Laçi. Gjyqtari Hoxha pranoi ekstradim, por e pezulloi ekzekutimin e tij. “Gjyqtari Ibrahim Hoxha, në mënyrë të përsëritur ka shkelur rregullat procedurale përgjatë gjykimit të çështjes penale, shpallur me vendimin nr. 490, datë 08.03.2013, në të cilin ndër të tjera ka vendosur: pezullimin e ekzekutimit të ekstradimit të të pandehurit Paro Laçi, nga Shqipëria drejt Italisë, ndërkohë që kjo kompetencë është e drejtë ekskluzive e ministrit të Drejtësisë, si dhe ka vendosur ndryshimin e masës së sigurimit nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest në shtëpie’ duke urdhëruar lirimin e tij”, njoftoi dje Ministria e Drejtësisë. Vendimi i gjyqtarit Hoxha për pezullim të ekstradimit është prishur më pas në Apel. Në të njëjtin vendim Apeli ricaktonte masën “arrest me burg” për Paro Laçin, duke urdhëruar paraburgimin e tij për efekt ekstradimi. “Si rrjedhojë e vendimmarrjes së gabuar të gjyqtarit Ibrahim Hoxha, shtetasi Paro Laçi u është shmangur procedurave të ekstradimit, duke bërë të pamundur ekzekutimin e ekstradimit”, pohoi zyrtarisht Ministria e Drejtësisë. Inspektimi i dosjes penale të Paro Laçit nisi në maj të vitit 2013, pas dyshimeve se mund të kishte shkelje procedurale. Ndërkohë emri i gjyqtarit Ibrahim Hoxha ishte në listën e gjyqtarëve për të cilët ministri Naço urdhëroi nisje procedimi disiplinor më 19 dhjetor 2013.                                               ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura