Nasho Jorgaqi: Për dashurinë dhe bukurinë e gruas

Jan 14, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

“Po shuhet dalëngadalë kjo ditë dhe hijet e mbrëmjes pa kuptuar duken nga larg. Kështu dhe jeta e njeriut është një ditë e gjatë, të cilën e pret pashmangshmërisht nata”. Kur je i ri mendja nuk të shkon tek nata, përveçse si një segment kalimtar që të çon sërish tek agu. Vitet kalojnë dhe ndjen se mëngjeset e trëndafilta do të jenë gjithnjë e më pak, ndërsa hija e mbrëmjes fillon dhe shtrohet…

Shkrimtari Nasho Jorgaqi
Shkrimtari Nasho Jorgaqi

Por kjo nuk të bën qaraman, por të shton një mall. Mall për një kohë që nuk do të kthehet më dhe për ato gjëra të vogla, që dikur mund të dukeshin të parëndësishme apo thjesht një lojë, siç ëhstë vënia e kokës në prehrin e nënës apo ngjitja në një pemë…. I zbardhur nën borën e viteve, Nasho Jorgani, ulet dhe shijon këtë mall, që i vjen i bukur, i pastër, si një lot nën qerpik.

“Dashuria nën qerpik” e ka titulluar Nasho Jorgaqi një libërth të vogël me proza poetike, i cili ka dalë para pak kohësh nga shtëpia botuese “Nacional”. Një libër me nota meditative, përmes së cilit autori ndan me publikun një gjendje, një eksperiencë jete, reflektimin e tij mbi jetën dhe vdekjen, mbi ditën dhe natën e pashmangshme.

Ka zgjedhur pikërisht prozën poetike, si një zhanër, që sa vjen e lëvrohet më pak, gati në zhdukje, për të përçuar një mendim sintetik mbi përvojën jetësore, që lexohet si prozë dhe shijohet si poezi. Një metaforë e gjetur dhe pak radhë mjaftojnë për të zbërthyer gjendjen shpirtërore të shkrimtarit, i cili pasi i është dhënë viteve të fundit më shumë aktivitetit studimor dhe ribotimit të krijimtarisë së tij të mëparshme, ulet të shohë brenda vetvetes…

Një gjethe e kuqe vjeshte, një hardhi, një pemë qershie, një far, kokrrat e rubinta të shegës, pullat e vjetra të postës… duket sikur gjithçka që e rrethon i ngjall një kujtim. Kujtimin e fëmijërisë, që përkon me pranverën apo lindjen e jetës; dy buzëve të kuqe, të një vështrimi, praninë e dikujt, të një lajmi të bukur.

Si prani apo si mungesë, e mishëruar tek vajza e dashur apo e gdhendur në skulpturë, si gëzim apo si vuajtje, dashuria është filli i kuq që lidh veprën më të fundit të Jorgaqit. Edhe pse e citon në fund të librit, duket se një thënie e Markezit është edhe motoja që e ka drejtuar autorin në përjetësinë e dashurisë dhe të krijimit: “Njerëzit e kanë gabim kur mendojnë se ata pushojnë së dashuruari kur plaken, duke mos ditur se ata plaken kur pushojnë së dashuruari. Vdekja nuk vjen me kalimin e moshës, por me harrimin”.

Në librin e Jorgaqit, dashuria herë vjen e pastër “në jetën e njeriut si një natë e bukur maji, plot yje, mbushur me bukuri dhe fshehtësi”, si një sup ku mund të mbahesh, pa pasur nevojë për paterica, herë e ngarkuar nga dyshimi që lëshon “ndëshkimin biblik” të largësisë së përjetshme, apo si një pritje e gjatë që ta plasarit zemrën si gurin e shkëmbit e të thinj si borën e malit. Dashuri, që s’mund të kuptohet pa gjysmën tjetër, gruan, së cilës i dashuron edhe hapin, edhe hijen.

“Ç’është kjo bukuria e gruas që shpërthen e lulëzon ashtu, nëpër tërë qenien e saj. Nga fijet e flokëve te sheshi i ballit. Nga streha e qerpikëve te bebja e syve. Nga gropëzat e faqeve te çerdhja e buzëve. Nga lartësia e supeve te shtegu i belit. Nga zajet e dhëmbëve te fildishi i thonjve. Nga harpa e krahëve te shtyllat dorike të këmbëve. Një ngrehinë e magjishme, një qenie e perëndishme, një lule toke gatuar me qiell, pa të cilën bota do të ishte shkretëtirë…”.

Autori ndjen trishtim për përkohshëmrinë e bukurisë, ashtu si edhe për përkohshmërinë e jetës së njeriut. Ikja e pashmangshme nga kjo jetë, troket si vjeshtë me erë, për t’u mbyllur si dimër apo si një perëndim dielli.

“Vjen një moshë kur çdo gjë e bërë nis ngadalë të shpërbëhet, mjegullohen shpresat, kapesh pas absurdit. Heshtja mposht fjalën, qetësia bëhet frymëmarrja e shpirtit. Nga brenda fiken dritat pak e nga pak, nga jashtë bien hijet. Vjen një moshë kur sheh qartë se po i afrohesh fundit të rrugës që ke nisur dikur. Vërtet, ke fituar një botë të tërë, por këtë e ke paguar me jetën tënde”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura