“Nard Murati u vra për drogë”

Dec 3, 2014 | 13:23
SHPËRNDAJE

Nard Murati, gjatë arrestimit disa vite më parë
Nard Murati u vra për drogë nga një 20-vjeçar. Ky është përfundimi paraprak i Policisë së Durrësit, e cila ka shpallur në kërkim Bedri Hakën nga Nikla e Krujës.
 Ai akuzohet se është një prej dy personave që ekzekutuan mbrëmjen e 18 nëntorit pronarin e bar “Center”, Leonard Murati, i njohur si rival i bandës së Lul Berishës. Sipas Policisë lokale, njëri prej autorëve është identifikuar si shtetasi Bedri Haka, 20 vjeç, nga Nikla e Krujës, për të cilin Gjykata e rrethit Durrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.
Policia e Durrësit arriti të identifikojë personat që morën pjesë në vrasjen e 49-vjeçarit Leonard Murati, falë një pune të mirorganizuar hetimore të kryer për disa ditë nga specialistët e krimit. Kanë qenë kamerat e sigurisë të bizneseve të vendosura përgjatë rrugës në të cilën kaluan autorët, por edhe deponimi i personave, dëshmitarë në vendngjarje, që kanë çuar grupin hetimor drejt identifikimit të ekzekutorëve. Nëpërmjet dokumentimit të ngjarjes dhe deponimit të dëshmitarëve, që kanë pohuar se kanë mundur të identifikojë njërin prej autorëve, policia ka mundur të zbulojë dhe bëjë publik emrin e njërit prej ekzekutorëve, të cilët e kanë shpallur në kërkim. Sipas grupit hetimor, dëshmitë e personave që kanë deponuar për sa i përket identikitit të autorëve, është ballafaquar edhe me imazhet filmike të mara nga kamerat e sigurisë, nëpërmjet të cilëve është arritur të identifikohet njëri prej autorëve dhe pikërisht Bedri Haka. Mbi 20-vjeçarin Haka, i padënuar më parë, rëndon akuzat “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”, e “prodhim e mbajtje të armeve e municioneve luftarake”. Zyrtarisht nga policia lokale ende nuk është dhënë motivi i ekzekutimit të Leonard Muratit në qendër të Durrësit. Por, burime konfidenciale nga grupi hetimor tregojnë se shkak për vrasjen është bërë prishja e pazareve të drogës mes autorëve dhe viktimës. Sipas hetuesve të çështjes, gjatë marrjes së dëshmive nga persona që kishin njohje me viktimën, është arritur të provohet se Murati kishte njohje me autorin e dyshuar 20-vjeçarin Bedri Haka, duke e shpallur në kërkim. Leonard Murati ka qenë një nga eksponentët kryesorë të krimeve të ndodhura në Durrës dhe jo vetëm, pas vitit 1994.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura