Nagelsman lëshon alarmin: Bajernin e vërtetë e shihni në… 2022

Jul 30, 2021 | 13:32
SHPËRNDAJE

Do të shohim futbollin e vërtetë të Nagelsmanit vetëm në vitin 2022?

Testi ndaj Gladbahut ishte i treti për kampionët në fuqi. Dy humbje dhe një barazim për skuadrën bavareze, e cila ka lënë një shije të keqe te tifozët.

“Do të kisha dashur shumë që të fitoja një nga këto 3 ndeshje. Shumë njerëz nuk më njohin ende, por unë dua gjithmonë të fitoj ndeshjet, nëse janë miqësore apo zyrtare, kjo pak rëndësi ka”, tha pas ndeshjes së të mërkurës trajneri i Bajernit.

Vetëm një ditë më pas, në “Magenta TV”, 33-vjeçari lëshoi alarmin duke thënë se gjërat do të jenë kështu deri në dhjetor dhe se nga skuadra nuk mund të pritej më shumë.

NAGELSMAN

“Mendoj se na duhet pak kohë për të parë skuadrën e vërtetë, ndoshta deri në dhjetor, por mendoj që do t’ia dalim të jemi konkurrentë, dhe pse do të hasim vështirësi. Na duhet të përshtatemi me ritmin e kampionatit që nis pas dy javësh”, tha trajneri bavarez. Arsyeja kryesore e krizës që po kalon skuadra, është pa dyshim nisja e vonë e fazës përgatitore dhe ardhja me shumë vonesë e lojtarëve që ishin me kombëtaret e tyre në Europian.

Nagelsmanit i është dashur që të stërvitet për gati tri javë pa lojtarët kryesorë, taktikat dhe idetë e lojës ai nuk mund t’i vërë në funksion me lojtarët e ardhur nga skuadra e moshave. Manuel Nojer dhe Joshua Kimish do të nisin punë vetëm javën e ardhshme duke shtuar më shumë telashet për trajnerin. Gjithsesi, Nagelsmani mund t’i gëzohet ardhjes para kohe të Tomas Mylerit, i cili hoqi dorë nga pesë ditë pushime për t’iu bashkuar skuadrës bavareze.

nagelsman

Por, shumë kohë deri në testin e parë nuk i ka ngelur trajnerit dhe skuadrës, e cila do të zbresë në fushë më datë 6 gusht ndaj Bremen SV për turin e parë të klubit dhe ndaj Gladbahut më datë 13 gusht për javën e parë të kampionatit. Nagelsman i paralajmëroi tifozët për të mos pritur një futboll magjik.

“Mund të ndodhë që një ose dy lojtarë të mos futen menjëherë në ritëm dhe kjo do të sillte prishje të balancave. Kam marrë drejtimin e një skuadre e cila në dy vite ka fituar shumë trofe, detyra ime është që ta ruaj këtë ritëm dhe vazhdoj të fitojë trofe”.

 OBJEKTIVI

Nagelsman vazhdoi më tej duke treguar dhe pikat ku kërkon të ndërhyjë në skuadër. “Dua të fus disa ide të reja loje, por kjo nuk mund të ndodhë menjëherë. Na pret një sezon i vështirë, të gjithë duan të mundin Bajernin, kur isha në Lajpcig ishte shumë e lehtë për të motivuar lojtarët kur luanim ndaj bavarezëve. Ndonjëherë fjalët e tepërta, ishin pa vlerë. Shoh djem që duan të rriten dhe të tjerë që mezi presin këtë aventurë të re me mua. Mendoj se të gjithë do të argëtohemi në fushën e lojës dhe sigurisht që kjo do të pasojë edhe me rezultate pozitive. Duke nisur nga ndeshja me Napolin të shtunën, pres një ndeshje zbavitëse dhe me rezultat pozitiv për të sjellë sërish humorin te tifozët në shkallët e stadiumit. Ata do të jenë lojtari ynë i 12-të në sezonin e ardhshëm.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura