Naftëtarët në grevë urie, reagon administratori i kompanisë: Faji i “Bankers”, refuzojnë t’i japin zgjidhje situatës

| 10:57
SHPËRNDAJE

Administratori dhe partneri i Shoqërive “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” SHA, Blerim Hoxha, ka reaguar në lidhje me grevën e punëtorëve të rafinerisë Ballsh. 

Blerim Hoxha, administratori i “Tosk Energji dhe Byllis Energji”
Blerim Hoxha, administratori i “Tosk Energji dhe Byllis Energji”

Përmes një letre të hapur drejtuar punonjësve të rafinerisë së naftës në Ballsh, Hoxha shpjegon arsyet që qëndrojnë pas mbylljes së aktivitetit të rafinerisë, duke akuzuar ‘Bankers’ se nuk ka respektuar kontratën për furnizim me 50 mijë tonë naftë bruto/muaj, duke ofruar më pak se gjysmën e saj dhe duke i shkaktuar shoqërisë humbje miliona dollarëshe.

Jo pa përgjegjësi është edhe Autoriteti i Konkurrencës, i cili edhe pse ka marrë ankesën, nuk po vepron ende, ndërkohë që çështja po ndiqet paralelisht edhe në rrugë ligjore. Sidoqoftë, duke marrë parasysh kushtet e naftëtarëve, shoqëria që Hoxha administron është e gatshme dhe do të bëjë shumë shpejt shlyerjen e tri pagave për të gjithë punonjësit. Ndërkohë, me ndezjen e shpresës më të vogël për rikthimin në punë të rafinerisë me kushtet fillestare, administratori i “Tosk Energji” dhe “Byllisenergjy” garanton se janë gati të rifillohet puna.

LETRA E PLOTË TË NDERUAR PUNONJËS DHE HERONJ TË RAFINERISË SË BALLSHIT!

Zgjodha më mirë t’ju shkruaj sesa t’u takoj, për arsyet se duke qenë se jemi takuar shumë e shumë herë së bashku, kemi shkëmbyer ide për rimëkëmbjen e Rafinerisë së Ballshit, biseduar, kemi debatuar me të gjithë ju, unë si administrator dhe partner i shoqërive “Tosk Energji SHA” dhe “Byllis Energji SHA” e ndjej të nevojshme që të bëj disa sqarime si më poshtë. Dëgjoj çdo ditë nga palë të treta që më akuzojnë mua, partneret dhe shoqëritë që unë drejtoj me lloj-lloj akuzash. Së pari, më vjen shumë keq për ju dhe gjendjen tuaj, i kuptoj të gjitha problemet tuaja, por nga ana tjetër dua të informoj se kam punuar dhe e kam menaxhuar këtë uzinë për mbi 18 muaj.

Kam paguar çdo detyrim që kam ndaj jush, ndaj taksave shtetërore dhe ndaj palëve të treta. Dua të informoj që nga fillimi i aktivitetit dhe deri më tani, shoqëritë kanë humbur mbi dhjetëra milionë dollarë, por duhet të theksoj fortë se këto shuma të humbura janë të vetë shoqërive dhe jo lekë të shtetit, ashtu si kanë vepruar shoqëri të tjera, të cilat as edhe detyrimet shtetërore nuk i kanë shlyer. Te shoqëritë “Tosk” dhe “Byllis” është e kundërta, deri më tani janë humbur dhjetëra milionë” dollarë nga të ardhurat e shoqërisë dhe të partnerëve, shoqëritë janë me humbje që nga fillimi i aktivitetit e në vijim, ku ju të dashur punonjës, apo më mirë heronj të rafinerisë, e dini shumë mirë arsyen e ndaljes së Rafinerisë së Ballshit.

Që në fillimet e aktivitetit në Rafinerinë e Ballshit, unë u kam shprehur disa herë problematikën me ‘Bankers Petroleum’, nuk mund të punojmë nëse nuk kemi furnizimin e nevojshëm me naftë bruto. Ju më mirë se unë e dini se ajo rafineri duhet të punojë me të paktën 50 000 tonë/muaj naftë bruto dhe jo me sasitë e ofruara nga ‘Bankers Petroleum’, që asnjëherë nuk e kanë kaluar sasinë prej 20 000 tonë në muaj. Për këtë problematikë, kam informuar edhe organet e shtetit.

Nga fillimi i aktivitetit e në vijim kam bërë çdo përpjekje me ‘Bankers’, që të gjejmë një zgjidhje, por nga ata gjithmonë kemi refuzim… refuzim që nuk e kuptoj arsyen pse… Kërkesa jonë është shume e thjeshtë, naftën e nëntokës shqiptare ta shesë te rafineria vendase. U kemi ofruar pagesa parapagim, garanci bankare dhe çdo gjë tjetër për arritjen e qëllimit për furnizim, por përsëri nuk pranojnë që ta shesin naftën në Shqipëri. Arsyen e dinë vetëm ata se pse refuzojnë. Ka mbi 13 muaj qe ndjek rrugën gjyqësore, ka një vendim gjykate për furnizimin e rafinerisë, por përsëri ata nuk pranojnë të furnizojnë.

Ka mbi 15 muaj që i jam drejtuar Autoritetit të Konkurrencës që të ndërhyjë për të dhënë një zgjidhje dhe akoma nuk ka një vendim apo masë prej tyre, për të ndërhyrë dhe dhënë një zgjidhje.

Të dashur punëtorë, i gjithë problemi është tek Autoriteti i Konkurrencës, nuk ka ndërmarrë asnjë masë apo vendim për detyrimin e ‘Bankers’, që të furnizojë rafinerinë. Unë dhe stafi im kam informacion që është dikush mbrapa që nuk e lejon Autoritetin të marrë vendim kundër ‘Bankers’. Se kush është, nuk e dimë dhe nuk mund të bëjmë asgjë që të detyrojmë Autoritetin e Konkurrencës të veprojë. Problem tjetër është që një pjesë e administratës shtetërore nuk duan që rafineria të furnizohet me naftë bruto, pasi kanë interesa të ngushta personale që ajo rafineri të mos punojë.

Kjo është një arsye tjetër për ndaljen e rafinerisë. Rafineria ka ndalur punën në fund të shtatorit dhe për aq kohë sa ka punuar, ajo ka shlyer të gjitha pagat në rregull, ka paguar taksat, sigurimet dhe çdo gjë tjetër, ndryshe nga sa po akuzohet tashmë, për aq kohë sa ajo ka qenë në punë ka shlyer çdo detyrim ndaj jush si punonjës, organeve shtetërore dhe palëve të treta, duke theksuar përsëri se ajo ishte me humbje të vazhdueshme, si rrjedhojë e mosfurnizimit nga ‘Bankers’. Kam premtuar që për muajt tetor-nëntor-dhjetor do të shlyejë pagat minimale të të gjithë punonjësve, kam premtuar që nëse shoh një dritë jeshile për rindezjen e rafinerisë, të gjithë do të rifillojnë punën me paga të plota, por deri më tani nuk po shoh asnjë dritë të gjelbër për rifillim të punës. Gjithsesi, duke marr parasysh gjendjen tuaj dhe të komunitetit në Ballsh, ne do t’i paguajmë së shpejti këto 3 paga.

Ju kërkoj falje personalisht për këto probleme, por ta dini të gjithë se nuk është faji i shoqërisë, kemi bërë çmos që rafineria të punojë, por e ripërsëris, siç ju e dini mirë, Rafineria e Ballshit nuk mund të punojë me 20 000 tonë naftë bruto në muaj, janë humbje shumë të mëdha. Rafineria, që të jetë në gjendje optimale për të punuar, duhet të ketë një furnizim me minimum 1600 tonë/dita dhe për këtë arsye gjithnjë i jam drejtuar ‘Bankers’ për furnizim me të paktën 50 000 tonë/muaj, duke e parapaguar të gjithë mallin dhe përsëri refuzon që të na furnizojë. Ju rikujtoj edhe njëherë që ‘Bankers’ na akuzon neve që nuk paguajmë dhe investon nëpër palë të treta, që i gënjen dhe vazhdon t’i gënjejë, por e vërteta është që ne gjatë gjithë kohës kemi kërkuar që të furnizohemi me minimum 50 000 tonë/ muaj, duke e parapaguar të gjithë sasinë e naftës.

I kemi ofruar ‘Bankers’ lekë për të investuar, për këtë ka dijeni edhe Autoriteti i Konkurrencës dhe madje e ka të dokumentuar, ndërsa nga ana tjetër, ‘Bankers’ na ka ofruar gjithmonë 20 000 tonë naftë bruto në muaj dhe për këtë arsye e kemi të vështirë që të punojmë. Shteti që para dhe gjatë fillimit të punës na premtoi me dokumente të shkruara qe do të sigurojë lëndën e parë, por ky problem nuk mori ndonjëherë zgjidhje. Sa më sipër, punonjës të dashur, problemi është tek Autoriteti i Konkurrencës, që nuk nxjerr vendim për ‘Bankers’, për arsye të presioneve që ka nga persona të interesuar, që Rafineria të mos rindizet. Gjithashtu, dua të informoj që pagat do t’i paguajmë së shpejti dhe ne do të jemi aq të lumtur sa edhe ju, që të vazhdojmë punën vetëm kur ‘Bankers’ të na japë sasinë minimale prej 50 000 tonë naftë/muaj me çmim tregu. Nëse ‘Bankers’ na furnizon, ne jemi të gatshëm të fillojmë punën, të bëjmë investime dhe të parapaguajmë ‘Bankers’.

Ju falemnderit,

Blerim Hoxha

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.