Nafta, pas kërcënimit të Ramës nis rritja e çmimit, arrin deri në 181 lekë,

Apr 22, 2015 | 15:32
SHPËRNDAJE

Çmimi i karburantit që në shkurt arriti edhe në 165 lekë/ litri ka bërë një kërcim të çuditshëm ditëve të fundit në nivelin mbi 181 lekë/litri.

Pikë karburanti

Rritja në një nivel të tillë pa dyshim që duhet të mbartë me vete një arsye të fortë, por këtë herë nga një analizë e thjeshtë rezulton që nuk është asnjë prej atyre tradicionaleve. Luhatja e dollarit në kursin e këmbimit ka qenë minimale, duke mbajtur nivelin 129 dhe 131 lekë për 1 dollar. Zakonisht tregtarët jo në pak raste kanë gjetur strehim te ky argument, të paktën në fillim kur rritja e dollarit ishte e theksuar.

Një argument tjetër i përdorur rëndom është ai i rritjes së çmimit në bursa. Edhe për këtë rast luhatja ka qenë me më pak se 2 dollarë për fuçi dhe është mesatarizuar apo shuar si efekt, pasi në disa raste ka pasur edhe ulje.

Asnjëra nga lëvizjet në çmim nuk justifikon rritjen me gati 25 lekë të çmimit të naftës në vend. E treta është ajo e taksave. Por taksa e qarkullimit që shkoi 27 lekë u rrit vetëm me 10 lekë, plus që efektin pati kohë ta jepte në tre muajt e parë, edhe pse kjo s’e përjashton dhënien e efektit edhe tani. E vetmja arsye që mbetet është ajo e reflektimit të kompanive importuese dhe treguese për atë që Kryeministri deklaroi më datë 8 prill.

RAMA

“Kush u shet shqiptarëve naftë që nuk përmbush standardet e parashikuara të cilësisë, ka vetëm pak javë kohë për t’u kthyer një herë e përgjithmonë brenda kornizës së parashikuar nga ligji. Operacioni antikrim në sektorin e naftës do të jetë frontal, do të shtrihet nga pikat hyrëse në dogana te çdo pikë nxjerrjeje dhe përpunimi të naftës, deri te çdo pikë shitjeje në territorin e Republikës së Shqipërisë. Do të jetë një operacion që nuk do të tolerojë askënd”, do të shprehej Kryeministri Edi Rama.

Duket se kjo mbetet edhe arsyeja kryesore në këtë rritje çmimi të beftë. Kompanitë, nën kërcënimin e Kryeministrit se nëse kapen me abuzim do të dënohen, kanë reflektuar. Kthimi dhe tregtimi në cilësi i karburantit kushton shtrenjtë, pasi në këtë rast përjashtohet hollimi apo manipulimi i saj me përzierës më të lirë. Kjo praktikë është denoncuar në jo pak raste dhe ka rezultuar edhe me dënimin e kompanive nga Inspektorati Qendror Teknik.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura