Nafta, në tregun ndërkombëtar ulet çmimi, por Shqipëria rrit taksat

Dec 22, 2015 | 15:34
SHPËRNDAJE

Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka rënë me mbi tre herë, nga 130 USD për fuçi që qe dy vjet më parë në vetëm 36 dollarë për fuçi. Por shqiptarët nuk kanë përfituar nga kjo rënie çmimi pasi paralelisht me të, taksat mbi karburantet janë rritur me shpejtësi duke e mbajtur çmimin pothuajse konstant.

pus-nafte

Çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm në tregun ndërkombëtar gjatë dy viteve të fundit por shqiptarët nuk e kanë shijuar shumë këtë rënie. Shkaku për këtë është se ndërsa çmimi në tregun ndërkombëtar ka rënë, taksat mbi karburantet në Shqipëri janë rritur.

Një analizë e BIRN me të dhënat e publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik, tregon se aktualisht shqiptarët, sa herë një blejnë një litër karburant, paguajnë taksa në mbi dy të tretat e çmimit dhe karburant në më pak se një të tretën. APP njoftoi në buletinin e saj të fundit se një litër naftë D1 e importuar në Shqipëri gjatë javës së parë të dhjetorit 2015, kushtoi në doganë 45.9 lekë ndërsa taksat e ndryshme që mbahen në doganë qenë 89.8 lekë. Përgjatë tre viteve të fundit, çmimi i naftës së importuar në Shqipëri ka rënë me dy herë, nga 90 lekë për litër që qe në fund të vitit 2012 në vetëm 46 lekë për litër që është aktualisht. Por në të njëjtën kohë, kostoja e taksave direkte mbi karburantin është rritur me 20 për qind. Akoma më keq, çmimi i taksave mbi karburantet pritet të rritet më tej.

Kostoja e naftës

Agjencia e Prokurimit Publik publikon në buletinet e veta të dhëna mbi çmimet e naftës në tregun ndërkombëtar, mbi çmimin e naftës që mbërrin në port dhe mbi taksat e drejtpërdrejta që mbahen në doganë mbi këtë karburant. Çmimi i naftës që mbërrin në pikën kufitare ku zhdoganohet varet nga çmimi i naftës së rafinuar në tregun e Mesdheut, kostoja e transportit si dhe nga kursi i këmbimit të dollarit me lekun. Këtu nuk përfshihen fitimet që mbahen nga kompaninë importuese. Në dhjetor, ky çmim ra në 45.9 lekë për litër naftë D1 dhe 47.9 lekë për litër benzinë pa plumb. Mbi këto çmime, doganat mbajtën përkatësisht 89.8 lekë taksa për naftën dhe 88.2 lekë për litër për benzinën.

Çmimi prej afro 46 lekësh për litër për naftën e importuar është më i ulëti i regjistruar në shumë vite, ndërsa çmimi i taksave të paguara në doganë është në nivelin më të lartë në histori.

Taksa fikse

Karburanti i nënshtrohet një numri taksash në doganë të cilat në shumicën dërrmuese janë fikse mbi çdo litër të importuar ndërsa një pjesë e vogël janë në varësi të çmimit të importit. Aktualisht, për çdo litër naftë të konsumuar, shqiptarët paguajnë 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 13.4 lekë TVSH mbi taksat fikse. Shqiptarët paguajnë TVSH mbi çmimin final të karburantit, por kjo TVSH varet nga çmimi i importit dhe nga kursi i këmbimit.

Për shkak se shumica dërrmuese e taksave janë fikse, rënia e kostos së taksave reflekton vetëm pjesërisht rënien në çmimin e importit. Për shembull, nga janari i këtij viti, çmimi i naftës së importuar ka rënë nga 62.5 lekë për litër në 45.9 lekë, pra me një rënie prej 27 për qind. Por taksat e paguara në doganë mbi këtë karburant kanë rënë nga 93.4 lekë për litër në janar në 89.8 lekë për litër në dhjetor, pra me një rënie prej vetë, 4 për qind. Gjithsesi, kostoja fillestare e karburantit dhe taksat në dogana janë një pjesë e çmimit final. Aktualisht, një litër naftë shitet në Shqipëri për rreth 165 lekë për litër nga të cilat, 135.7 lekë janë çmimi i importit plus taksat që mbahen në doganë ndërsa pjesa tjetër prej 29 lekësh mbulon kostot e transportit të brendshëm, taksa dhe tarifa të ndryshme vendore, kosto të shitjes te pikat e karburantit si dhe fitimet e kompanive të importit apo të shitjes me pakicë. Përkundrejt çmimit final, kostoja e taksave që mbahen në dogana është aktualisht rreth 55 për qind.

Taksa në rritje

Taksat e paguara në doganë për çdo litër karburant të importuar qenë afërsisht 62 lekë në dhjetor 2010, sipas të dhënave të APP, por u rritën në 72 lekë për litër në dhjetor 2011 dhe 75 lekë për litër në fillim të vitit 2013. Shkaku për këtë rritje te taksat qe pjesërisht rritja e çmimit në tregun ndërkombëtar dhe përgjithësisht vendosja e taksës së qarkullimit te karburantet në masën 7 lekë për litër.

Në fillim të vitit 2014, kostoja e taksave u rrit nga 74 në 85 lekë për litër, si pasojë e vendimit të qeverisë për të rritur taksën e qarkullimit nga 7 në 17 lekë për litër, vendim që hyri në fuqi në janar 2014. Në janar 2015, kostoja e taksave u rrit sërish nga 84 në 94 lekë për litër si pasojë e vendimit të rradhës të qeverisë për të rritur taksën e qarkullimit nga 17 në 27 lekë për litër. Që nga janari i këtij viti, çmimi i naftës së importuar ka rënë ndjeshëm, por kostoja e taksave fillestare ka rënë fare pak. Në krahasim me janarin, nafta që mbërriti në doganë në dhjetor kushtoi gati 17 lekë për litër më lirë ndërsa kostoja e taksave u ul me vetëm 3.6 lekë për litër.

Të ardhurat kryesore të buxhetit

Karburantet përbëjnë zërin e vetëm më të rëndësishëm të të ardhurave të buxhetit të shtetit në Shqipëri dhe pesha e karburanteve në totalin e të ardhurave ka qenë vazhdimisht në rritje përgjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të doganave, gjatë vitit 2014, karburantet dhe vajrat e karburanteve siguruan gati 26 për qind të të gjitha të ardhurave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ndërsa në shtator të këtij viti, karburantet siguruan 38 për qind të të gjitha të ardhurave doganore.

Sistem i deformuar

Karburantet taksohen më shumë se sa mallrat e tjerë në të gjithë botën, por taksat e karburanteve në Shqipëri janë rritur në mënyrë të ndjeshme përgjatë viteve të fundit duke krijuar disnivel të lartë mes kostos së karburantit në Shqipëri dhe kostos së karburantit në vendet fqinje. Për shkak se çmimi i karburantit në Maqedoni dhe në Malin e Zi është ndjeshëm më i ulët se sa në Shqipëri, një pjesë e mjeteve të transportit ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve kanë filluar prej kohës që të furnizohen në këto vende. Si pasojë e këtij fenomeni, Ministria e Financave deklaroi në maj të këtij viti se do të kufizojë sasinë e karburantit që mund të importohet pa taksa në serbatorë të lëvizshëm në jo më shumë se 200 litra për rrugë.

Rëndimi i karburanteve me taksa në mënyrë disproporcionale mendohet se pengon gjithashtu rritjen ekonomike për shkak se qarkullimi i mallrave dhe njerëzve në ekonomi shtrenjtohet, gjë që sjell rënie konsumi.

BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura