Nafta, Cani: S’e ulim taksën, mos përdorni automjetet

Apr 1, 2015 | 23:15
SHPËRNDAJE

Shkelqim Cani ne komision sot

Qeveria ka pranuar që rritja e taksës së qarkullimit ka dhënë efekt të konsiderueshëm te të ardhurat në buxhet dhe si e tillë nuk mund të ulet, sikurse propozon opozita. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, mbrojti argumentet kundër të qeverisë për kërkesën e Partisë Demokratike dje në Komisionin e Ekonomisë, duke theksuar se efekti në buxhet për këtë taksë është 12 miliardë lekë. Ministri pranoi gjithashtu se 67 lekë në një litër karburant që blihet shkojnë si taksë dhe kjo pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar, por tha se këtë e paguajnë vetëm ata që përdorin makinë. Pra në logjikën e qeverisë është ideja që kujt ia mban xhepi të mbajë makinë, duhet të marrë parasysh që të paguajë këtë taksë. Kujt s’ia mban xhepi nuk do ta përdorë dhe si efekt nuk do ta paguajë.

MINISTRI

“Është e vërtetë që kemi akcizën 37 lekë, kemi dhe taksën e qarkullimit 27 lekë, kemi edhe 3 lekë për naftën taksë karboni dhe 1.5 lekë për benzinën po taksë karboni. Kështu që në tërësi, pa përfshirë TVSH-në, themi që: po, është 67 lekë për litër niveli i taksave për naftën. Ne e quajmë një taksë të drejtë që është e barabartë dhe që baraspeshon elementë të ndryshëm, por ajo që ne i qëndrojmë është: kushdo që përdor makinën dhe harxhon një litër naftë paguan 67 lekë, kurse ai që e përdor makinën zero, paguan zero lekë”, ishte argumenti i ministrit dje në Komisionin e Ekonomisë. Ministri pranoi se efekti i masës që kërkon opozita është 120 milionë dollarë, kurse ajo e TVSH-së për energjinë në 6 për qind efekt 180 milionë dollarë, çka në total do të bënin një gropë të ndjeshme te pjesa e të ardhurave. Cani e cilësoi nismën e opozitës si populiste dhe me synimin për të marrë vota në zgjedhjet e ardhshme.
OPOZITA

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi që qeveria të çojë taksën e qarkullimit në nivelin e mëparshëm, pra pa dy rritjet e fundit me nga 10 lekë. Sipas saj, kjo do të ketë efekt pozitiv te konsumatorët me të paktën 30 lekë. Tabaku tha se kjo është mënyra e gabuar që ka zgjedhur qeveria për të rritur të ardhurat dhe një në pesë lekë të mbledhura nga taksat vijnë nga hidrokarburet. “Të ardhurat nga karburantet arrijnë në rreth 700 milionë USD në vit. Së paku 1 në pesë lekë taksa të mbledhura vijnë nga hidrokarburet. Taksa e qarkullimit në 2014 dhe 2015 sjell të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit 112 milionë dollarë. Në këtë logjikë, si Grup Parlamentar ne kemi kërkuar që kjo taksë të shkojë të paktën në nivelin e mëparshëm duke rezultuar me rënie me të paktën 30 lekë për litër, që përkthehet në përfitim direkt për konsumatorët” tha Tabaku. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, nga ana tjetër u shpreh se situata që ka krijuar qeveria me energjinë dhe karburantet po rrit indeksin e kushtimit dhe po e bën biznesin vendës aspak konkurrues, të paktën krahasuar me rajonin. Në fund, propozimi i opozitës u rrëzua nga votat e maxhorancës u rrëzua nga votat e maxhorancës.

Debati në Komisionin e Ekonomisë

Jorida Tabaku: Në datën 27 janar të 2015-s, Paria Demokratike paraqiti pranë Kuvendit dy amendime të cilat lidhen me ndryshime në ligjet përkatëse që sot po diskutojmë. Që në dhjetor 2014, ne kemi ndjekur me shumë interes dhe insistim lëvizjen në tregje për çmimin e karburanteve, ndërkohë që në bursat ndërkombëtare çmimet ranë ndjeshëm duke arritur në 40 dollarë për fuçi, nga 120 që ishte më parë. Maksimumi i uljes që u pasqyrua në Shqipëri ishte 165 lekë, duke mos reflektuar aspak tendencat që kjo kishte në tregun ndërkombëtar. Sipas analizës që ne propozuam, por edhe sipas analizës që shumë ekspertë të ekonomisë dhe shoqata e hidrokarbureve reflektoi, 59 për qind e vlerës së çmimit të karburantit për litër ishte taksa. Vendosja dhe rritja e taksës së qarkullimit në dy vite radhazi pa ndjekur asnjë logjikë ekonomike, duket si një vendim i pamenduar mirë nga Ministria e Financave, por nga pikëpamja e të ardhurave sigurisht që për këtë ministri ka kuptim. Të ardhurat nga karburantet arrijnë në rreth 700 milionë USD në vit. Së paku 1 në pesë lekë taksa të mbledhura vijnë nga hidrokarburet. Taksa e qarkullimit në 2014-n dhe 2015-n sjell të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit 112 milionë dollarë. Në këtë logjikë, si Grup Parlamentar ne kemi kërkuar që kjo taksë të shkojë të paktën në nivelin e mëparshëm duke rezultuar me rënie me të paktën 30 lekë për litër, që përkthehet në përfitim direkt për konsumatorët.
Ervin Koçi: Këshilli i Ministrave është njohur me këtë nismë dhe ka dhënë mendimin për të mos e pranuar si propozim, pasi modeli aktual i taksimit për çdo litër karburant të përdorur për makinën është i barabartë, duke përfshirë gjithë efektet negative që sjell përdorimi. Niveli i akcizës është 37 lekë për litër dhe është niveli më i ulët i akcizës i përcaktuar në direktivën europiane. Të ardhurat nga kjo taksë përbëjnë një nivel të konsiderueshëm në të ardhurat e përgjithshme dhe reduktimi i tyre do të pakësojë mundësinë për investime në projekte të rëndësishme në ekonomi. Relacioni i projektligjit nuk përmban një efekt buxhetor. Realizmi i objektivave është detyrim me FMN-në dhe ndryshimi në mes të vitit mund të cenojë treguesit e rënë dakord. Do t’u propozoja deputetëve mos ta votonim pasi vjen në kohë të papërshtatshme.
Shkëlqim Cani: Në fakt, në argumentet e paraqitura lidhur me këtë propozim kishte shumë politikë dhe pak argument. Nëse do t’i vëmë qëllim vetes për politika populiste dhe për t’i treguar këtë popullit, atëherë po. Ne e dimë një regjim nga i cili erdhëm dhe e kishte taksën zero, kështu që nuk besoj se do ta hajë kush më që t’i rikthehet populizmit dhe ta hajë populizmin në këto nivele. Sido që të jetë, le të marrim me radhë disa ide dhe qëndrime që kemi si qeveri për këtë propozim. E para, propozimi ka një efekt në buxhet prej 12 miliardë lekësh, po të bashkohet dhe me propozimin tjetër që ka bërë opozita që shkon mbi 18 miliardë lekë. Duhet të dimë që ky efekt është afërsisht 2/3 e gjithë masës së investimeve me fondet e brendshme nga buxheti dhe është një efekt i ndjeshëm. Kështu që e quaj edhe këtë propozim të radhës si efekt elektoral në dëshirë për më shumë vota, por besoj që nuk do të ketë asnjë influencë në vota.
Jorida Tabaku: E falënderoj ministrin që na kujtoi kohën kur ishim edhe pa taksa. Sigurisht që ju, duke qenë vendimmarrës atëherë, e keni të lehtë të na i kujtoni edhe ne, që nuk jemi të përfshirë. Nëse ka diçka dhe ka diçka reale sigurisht që lidhet me atë që, qëllimi kryesor i qeverisë ka qenë të mbledhë taksa. Pra, rritja e taksës së qarkullimit ka pasur si qëllim të shtojë vetëm të ardhurat në buxhetin e shtetit. Dhe nga gjithë thelbi i diskutimit tuaj, kjo ngel pra 112 milionë USD shtesë në buxhetin e shtetit. Propozimi jonë ju mendoni që ishte politik? Argumentet ishin aty brenda, por s’keni dashur t’i lexoni. Përgjigjen që ka sjellë Ministria e Financave unë e marr si ofendim ndaj anëtarëve të këtij Komisioni, një paragraf që i referohet akcizës, ndërkohë që në propozimin tonë nuk e përmendim fare.
Edmond Spaho: Sot çmimi i naftës në Shqipëri është pothuaj i barabartë sa në Gjermani. Detyrimisht lind pikëpyetja pse ndodh dhe do të futemi të gjejmë arsyet. Dy janë opsionet: o është situatë monopol, o struktura e taksave. Po t’i referohesh vendeve të rajonit, të gjitha e kanë çmimin më të ulët se ne. Logjika të çon te taksat, se në dy vitet e fundit e keni rritur dy herë.
Erjon Braçe: Unë kam thënë vetëm një gjë, dhe i qëndroj nga fillimi në fund, si në opozitë dhe tani dhe mbase jam i vetmi që e them: që ajo Shoqata e hidrokarbureve operon në kushtet e kartelit. Por kur ne e diskutuam këtë ti (i drejtohet Edmond Spahos) gjete mundësinë të ikje që këtu. Tani dy gjëra ka: o me qytetarët, o me tregtarët. Zgjidhni me kë jeni! Nëse jeni me tregtarët, u rrini në kokë e mbrojini deri në fund, nëse jeni me qytetarët kërkoni të rikthehet konkurrenca në treg.
Ridvan Bode: Së pari, taksat dhe politikat fiskale janë pjesë e politikave që bëjnë partitë përmes shumicave në Parlament, është një e vërtetë absolute në gjithë vendet demokratike dhe nëse mendohet se po bëjmë politikë, po e themi me zë të lartë: Po, po bëjmë politikë dhe po e themi kush janë qëllimet e kësaj politike. Sepse nëse politika nuk bëhet përmes taksave e instrumenteve të tjerë, atëherë për çfarë do të bëhet? Po ne vijmë propozojmë një masë që ka sens politik. Ajo që ne na tmerron sot është që ne karburantet i kemi me çmim më të lartë në rajon dhe ky nuk është konstatim. Kjo mund të ishte një zgjedhje e politikave të qeverisë, por ne mendojmë që është e gabuar. Nuk është e duhura. Po të shikoni raportimet për konkurrencën e mallrave dhe produkteve në indeksin e kushtimit që raporton INSTAT dhe BSH vërehet një rritje të indeksit të kushtimit, ndërkohë që indeksi i konsumit nuk është i tillë. Sepse energjetika në kostot e biznesit zë një pjesë të rëndësishme, si karburanti dhe energjia dhe të dyja janë rritur dukshëm dhe ne po humbasim kapacitetin konkurrues në rajon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura