Naço letër zyrtare Nishanit: Propozo nënkryetarin e KLD

Apr 25, 2015 | 13:46
SHPËRNDAJE

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, kërkon nisjen e procedurave për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ditën e djeshme, ministri Naço i është drejtuar përmes një shkrese zyrtare Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, duke kërkuar që në rendin e ditës të mbledhjes së radhës të KLD-s të përfshihet propozimi për zgjedhjen e zv.kryetarit të Këshillit.

Presidenti Nishani dhe ministri Naço

“Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço, i ka kërkuar zyrtarisht Presidentit të Republikës të përfshijë në rendin e ditës të mbledhjes së radhës të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, propozimin për zgjedhjen e zv/kryetarit të këtij këshilli”, njoftoi Ministria e Drejtësisë. Kjo kërkesë e ministrit Naço vjen më shumë se gjashtë muaj pasi Kuvendi shkarkoi nga detyra ish-nënkryetarin të KLD-së, Elvis Çefa.

Kërkesën e tij drejtuar Presidentit Nishani e bazon në ligjin e ndryshuar për organizimin e funksionimin e KLD-së, ku parashikohet se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtareve të zgjedhur nga Kuvendi një zëvendëskryetar”.

Po ashtu, Naço i referohej edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 10 prillit 2015, që rrëzoi pretendimet e Presidentit të Republikës në lidhje me shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 7 të ligjit për disa shtesa të ligjit për KLD-në. Aktualisht, tre anëtarët e KLD-së të zgjedhur nga ana e Kuvendit janë Albana Shtylla, Vangjel Kosta dhe Sokol Çomo.

Në të njëjtën shkresë, ministri Naço i sillte në vëmendje Presidentit të Republikës se ligji e ngarkon zv/kryetarin me një sërë detyrash si të kujdeset për veprimtarinë normale të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në lidhje me organizimin dhe drejtimin e Inspektoratit dhe të administratës së KLD-së, në lidhje me verifikimin e ankesave dhe të dhënave për Gjykatën, apo dhe për zbatimin e detyrave të ngarkuara nga Këshilli në rastet e procedimeve disiplinore të nisura nga Ministri i Drejtësisë.

Në vendimin e shpallur më 10 prill 2015, i botuar në Fletoren Zyrtare në 21 prill, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se zëvendëskryetari i KLD-së mund të jetë vetëm një prej anëtarëve të zgjedhur nga ana e Kuvendit të Republikës.

“Nisur nga përcaktimi ligjor i detyrave të zëvendëskryetarit të KLD-së dhe standardeve të mësipërme kushtetuese, Gjykata çmon se funksioni i zëvendëskryetarit të KLD-së nuk mund të ushtrohet njëkohësisht nga një mbajtës i funksionit të ministrit apo gjyqtarit. Gjykata çmon se anëtarët KLD-së, për shkak funksioni (ex officio): kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë dhe 9 gjyqtarët e zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, nuk mund të zgjidhen në këtë funksion”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura