Naço kërkon shkarkimin e gjyqtarit Ibrahim Hoxha

Dec 4, 2013 | 17:18
SHPËRNDAJE

Ministri Nasip Naço

TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i ka propozuar sot Këshillit të Lartë të Drejtësisë procedimin disiplinor si dhe marrjen e masës disiplinore “shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ibrahim Hoxha.

Në bazë të deklaratës së ministrisë së Drejtësisë, gjyqtari Ibrahim Hoxha, në mënyrë të përsëritur ka shkelur rregullat procedurale përgjatë gjykimit të çështjes penale në ngarkim të shtetasit Paro Laçi, ku ndër të tjera ka vendosur: “Pezullimin e ekzekutimit të ekstradimit të të pandehurit, Paro Laçi, nga Shqipëria drejt Italisë, ndërkohë që kjo kompetencë është e drejtë ekskluzive e Ministrit të Drejtësisë, si dhe ka vendosur ndryshimin e masës së sigurimit nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpie” duke urdhëruar lirimin e tij .

Kështu, si rrjedhojë e vendimmarrjes së gabuar të gjyqtarit Ibrahim Hoxha, shtetasi Paro Laçi i është shmangur procedurave të ekstradimit, duke bërë të pamundur ekzekutimin e ekstradimit.

Sipas ministrisë së Drejtësisë, veprimet e kryera nga Hoxha janë shkelje shumë të rënda, akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si; “c) shkelja e pajustifikuar dhe e përsëritur e dispozitave urdhëruese procedurale, kur këto shkelje kanë passjellë ose mund të sillnin pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë;”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura