Nacionalizëm aguridh

May 27, 2015 | 12:41
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ISLAMI

    Politika e jashtme, me inspirim “osman”, për “zero-probleme” me fqinjët, e kopjuar për të treguar se “do të ndjek modelin qeverisës të vllaut” dhe e prezantuar me narcizëm naiv e anadollak, nga kompleksi i inferioritetit, u shemb brenda dhjetë ditëve të majit 2015, duke u kthyer në marrëdhënie “sherresh me të gjithë” e “zhgënjim e shqetësim” për partnerët strategjikë. Fizikisht i “siguruar” në “bunkerin” e Surrelit, ai ndodhej tanimë, atje ku pritej prej kohësh, në “strofkën e fundit të maskarenjve”, në “strofkën e nacionalizmit ekstrem radikal e të rrezikshëm”, duke kontribuar si asnjëherë tjetër më parë, në këta 25 vjet, me kaq intensitet e negativitet në përkeqësimin e marrëdhënieve me fqinjët e rajonin.

Dhe të gjithë këtë do t’ua shiste shqiptarëve pa shpresë, që po linin vendin, si “patriotizëm” i pashembullt e i paparë ndonjëherë tjetër më parë. Kjo që ndodhi s’ishte as e çuditshme dhe as e papritur, kjo lloj sjelljeje “karakteriale” kishte ndodhur me armët kimike në Tiranë, pasi partneri strategjik ishte “siguruar” ndryshe në Uashington, kishte ndodhur me rastin e “shfaqjes teatrale” me Vuçiç në Beograd, pasi ishte “siguruar” ndryshe partneri tjetër strategjik, Berlin. E njëjta sjellje me “partnerin e ri strategjik” turk që, pasi doli nga takimi, la të kuptohej se “kishte marrë garanci” për gjithçka kishte kërkuar dhe, vetëm dy ditë më pas, do të dëgjonte qëndrimin ndryshe nga ai premtuar. Njëlloj me Maqedoninë. Po ashtu me Greqinë. Dhe për të gjitha këto aspak transparencë. Por vetëm mania e madhështisë nga kompleksi i inferioritetit, provokime nga frika e humbjes për shkak të dështimeve. Pasojat s’ka si të jenë ndryshe: shuplakë e fortë për provokatorin dhe zhgënjim për rolin e Shqipërisë…

1. Arsyeja është e thjeshtë… Maxhoranca e kriminalizuar ka dështuar në qeverisje…
Kjo maxhorancë, e cilësuar e “interesave të korrupsionit, oligarkisë dhe krimit” nga shqiptarë, vepër të cilën Parlamenti Europian ka kërkuar që Kuvendi të ndërmarrë procesin e dekriminalizimit, jo vetëm po keqqeveris, por ajo nuk përfaqëson as interesat e socialistëve të zhgënjyer, por as edhe të shumicës së qytetarëve që, për shkak se u ka humbur shpresa, po largohen masivisht nga vendi. Legjitimiteti i kësaj maxhorance oligarkike është i dëmtuar rëndë, për të mos thënë që ai s’ekziston. Për këtë arsye, drejtuesi i saj ka vendosur të kryejë një fushatë elektorale negative për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, bazuar në 3 shtylla: i) kërcënim i votuesve që të mos votojnë kandidatët e opozitës ose të mos marrin pjesë në zgjedhje me tezën e “bllokimit” të fondeve, nëse fitojnë kandidatët opozitarë (tezë antikushtetuese, e dënueshme penalisht dhe ideologjikisht e ngjashme me tezën bolshevike “të gjithë pushtetin sovjetëve”); ii) ofendime, sharje dhe shpifje ndaj kandidatëve opozitarë dhe iii) shpalosje e kartës nacionaliste duke krijuar marrëdhënie të tensionuara me të gjithë fqinjët dhe zhgënjyer partnerët ndërkombëtarë. Asnjë element pozitiv nuk ka në fushatën e drejtuesit të maxhorancës, as për sa i përket mbajtjes së premtimeve dhe as për sa i përket programit për menaxhimin e bashkive.

2.Qëndrimet nacionaliste, për të zhvendosur vëmendjen e shqiptarëve e provokuar fqinjët…
Përmes kartës nacionaliste synohet 1) largimi i vëmendjes së shqiptarëve nga hallet, shqetësimet dhe problemet e tyre për të cilat qeveria s’ka asnjë përgjigje dhe pamundësisë për t’i mashtruar për herë të dytë; dhe 2) arratisje nga zgjidhja e problemeve me fqinjët ose shmangia nga premtimet e dhëna atyre naivisht… Natyrisht kjo qasje e pazakontë për një vend demokratik shpjegohet edhe me arrogancën,  sjelljet autoritare tipike për drejtuesin e një maxhorance “oligarkike e të kriminalizuar” apo komplekset e tij të inferioritetit, që shpesh përkthehen në mani të madhështisë.

3. Nga “politika e zero-problemeve” në “politikën e sherreve” me fqinjët
Qëndrimet, sjelljet apo provokimet që kanë çuar në tensionim/zhgënjim të marrëdhënieve me vendet fqinje, mund të cilësohen pa asnjë mëdyshje: tipike mediokre, të pamatura, të çoroditura dhe të rrezikshme, cinike e perverse, veçanërisht për marrëdhëniet me fqinjët dhe sigurinë e stabilitetin e rajonit. Nga politika e “zero-problemeve” me fqinjët, një qëndrim narcist, për të përfunduar në politikën e “sherreve” me fqinjët… Të gjitha këto kanë krijuar shqetësim e zhgënjim jo vetëm në kryeqytetet e vendeve fqinje, por edhe në kryeqytetet e partnerëve strategjikë, deri reagime agresive të padobishme e dëmtuese për imazhin e rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, për të cilin Shqipëria është vlerësuar dhe shpërblyer prej 25 vjetësh. Ndoshta tërheqja e vëmëndjes apo shqetësimi i tyre është edhe një nga qëllimet narciste, por që rezulton me pasoja shumë të rënda për vendin dhe perspektivën e tij.

4. “Bashkimi kombëtar brenda ose jashtë BE”, tezë aguridhe…
Së pari, teza për “…Bashkim kombëtar brenda ose jashtë BE…” është një tezë nacionaliste e denjë për një drejtues aguridh dhe populist naiv. Një tezë që as ai vetë s’e beson. Për më tepër ajo është një tezë kundraproduktive që frenon/dëmton procesin e njohjes së Kosovës dhe ul shpejtësinë e integrimit të saj në NATO e BE, duke krijuar pengesa të reja edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu, nëse kjo tezë është hedhur për të kërcënuar kundërshtarët e pavarësimit të Kosovës apo sfiduar kritikët e maxhorancës së kriminalizuar, mund të thuhet pa hezitim se kjo qasje narciste do të konsiderohej sa mediokre aq edhe naïve, sidomos ndaj partnereve strategjike. Dhe, së fundmi, ajo mund të konsiderohet e turpshme dhe ordinere, përderisa formuluesi i saj përpiqet ta paraqesë konfidencialisht në qarqe të ngushta si një tezë të konsultuar me partnerët strategjikë!!!! Dhe akoma më e turpshme është se ndërkohë që tërhiqet nga “bashkimi kombëtar jashtë BE” me justifikimin qesharak se “u kemi dhënë fjalën partnerëve ndërkombëtarë”, vazhdon të insistojë me kokëfortësi në “budallallëkun” e “bashkimit kombëtar brenda BE”, që ndoshta edhe s’e kupton…

5. Politikë e “mësallës me dy faqe” me Turqinë…
Së dyti, qëndrim me dy faqe e përfundimisht zhgënjyes, i ngjashëm me atë të armëve kimike me SHBA, është aplikuar në takimin me Kryeministrin e Turqisë. Gjithçka është biseduar në takimin me partnerin strategjik s’është bërë transparente për publikun, veçanërisht kërkesa për çështjen “Gylen”, për të cilën u la të kuptohet se është marrë “garanci”. Trajtimi i kësaj çështjeje po ashtu si ajo e ndërtimit të Parlamentit shqiptar me fonde nga Turqia përbëjnë qëndrime pa vizion e të padenja, sjellje amatore e infantile, kompleks inferioriteti… Sjellje që kanë zhgënjyer partnerin strategjik dhe çuar për rrjedhojë në humbje të besimit dhe dëmtimin e marrëdhënieve me një vend mik.

6. Gafë e rëndë, që rrezikon sovranitetin e integritetin e Maqedonisë
Së treti, qëndrimi për veton e Shqipërisë ndaj “anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, me kushtin e respektimit të Marrëveshjes së Ohrit”, ndonëse dikujt do t’i tingëllonte si “dorë e fortë e një nacionalisti/narcisti primitiv që punon për të mirën e shqiptarëve të Maqedonisë”, përbën një sjellje të pamatur, amatoreske e të rrezikshme për fatet e Maqedonisë, sovranitetin e integritetin e saj me pasoja për rajonin. Një tezë e marrosur, që do ta vendoste Maqedoninë në të njëjtat pozita si dikur Ukraina apo Gjeorgjia, të cilave u është cenuar sovraniteti e integriteti territorial edhe nga pamundësia për të qenë anëtare të NATO. Po ashtu, kjo do të ishte një tezë shumë e rrezikshme provokuese, nëse ajo ka synuar të frikësojë partnerët strategjike me rolin apo veprimet e faktorit shqiptar ne Maqedoni, në rast të moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit…

7. Nga “zero-probleme” me Greqinë në marrëdhënie të tensionuara
Se katërti, mungesa e një vizioni e angazhimi serioz apo vonesat e pajustifikuara për zgjidhjen në kohë e me dinjitet, sipas normave ndërkombëtare të çështjes së kufirit me Greqinë, partnerin strategjik fqinj, anëtar të NATO e BE si dhe qëndrimet amatoreske e të çoroditura, kanë tensionuar në mënyrë marrëdhëniet dypalëshe dhe kanë ulur nivelin e shkëmbimeve me partnerin fqinj strategjik… ndërkohë që gjatë të gjithë kohës janë mburrur me narcizëm për “zero probleme” me fqinjin jugor, ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh… Dhe, më tej, me një kompleks të thellë inferioriteti s’kanë guximin të veprojnë për gjetjen e zgjidhjes…

8. Në vend të një përfundimi…
Ndërkohë që premtimet e pambajtura të 2013-s dhe mungesa e rezultateve në periudhën 2013-2015 po shoqërohen në fushatën elektorale të 2015-s me kërcënime ndaj qytetarëve dhe ofendime e sharje ndaj kandidatëve opozitarë, politika e jashtme konstruktive e Shqipërisë në rajon ua ka lënë vendin tezave të rrezikshme nacionaliste, që kanë çuar nga “zero-probleme” me fqinjët në “sherre” me të gjithë dhe tensionim të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkaktuar shqetësime e zhgënjim te partnerët strategjikë. Një zhvillim i paprecedentë në një rrugë të gabuar apo arratisje në drejtim të paditur.
*Ish-ministër i Jashtëm

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura