“Na u qelb vetja me këtë muzikë”/ Zbardhet relacioni sekret për Komitetin Qendror që e arrestoi Sherif Merdanin pas Festivalit të 11

Aug 30, 2021 | 10:28
SHPËRNDAJE

sherif-merdani-770x433

DASHNOR KALOÇI

Sherif Merdani kishte qenë gjithë kohës i përgjuar. Qasja e tij ndaj muzikës dhe publikut nuk po i pëlqente udhëheqjes.

“Memorie.al” publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një relacion që i përket vitit 1973, i titulluar “Informacion mbi disa parulla armiqësore”, ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Librazhdit, Marko Xega, informon Komitetin Qendror të PPSH-së lidhur me arrestimin e disa personave apo goditjen e disa “grupeve armiqësore” në rrethin e Librazhdit, ku me emër përmendet vetëm këngëtari i njohur Sherif Merdani, për të cilin në raport-informacionin në fjalë, midis të tjerash shkruhet:

“Ka pasur edhe raste që kanë thënë se na u qelb vetja duke dalë në skenë me këtë muzikë dhe tani ndihet vetëm daullja etj.

Këto janë shprehur nga Sherif Merdani, i cili për krimet kundër shtetit në formën e agjitacionit e propagandës ditët e fundit është arrestuar. Veç këtij kemi edhe dy persona të tjerë, cilët janë propozuar për t’u arrestuar”.

Por duket se Sherif Merdanit nuk i erdhi “e keqja” vetëm nga Librazhdi, pasi ai ishte piketuar që në Tiranë për t’u goditur dhe dënuar. Veç të tjerash këtë na e bën të ditur prof. dr. Sadik Bejko, i cili në atë periudhë kohe ishte redaktor i teksteve të këngëve në Radio-Tirana dhe kishte njëfarë shoqërie me Sherif Merdanin.

Lidhur me këtë, Sadiku kujton: “Pak ditë pas Festivalit të 11-të, më thirri në zyrë drejtoresha e radios, Nefo Myftiu, dhe në konfidencialitet të plotë më tha që ta takoja Sherifin dhe t’i thosha veçmas: ‘Të ketë kujdes me ato këngë që këndon andej lart e poshtë nga shkon, se nuk mundem ta mbroj dot më’.

Prof. Bejko kujton se e takoi Sherifin dhe ia tha “porosinë” e drejtoreshës dhe përgjigjja e tij ishte: “Për Nefo Myftiun, unë hidhem nga kati i pestë”.

Sadiku ia ktheu: “Ti mos u hidh nga asnjë kat, por mbaje parasysh këtë porosi të saj” dhe aty ai u nda me Sherfin për të mos u takuar më deri në fillimin e viteve ’90-të, pasi, siç dihet, Sherif Merdani përfundoi burgjeve të regjimit politik të Enver Hoxhës, sa në Spaç, Burrel, Qafë-Bari e Ballsh (u ridënua përsëri në burg), për t’u liruar vetëm në vitin 1990, kur regjimi komunist ishte në agoninë e tij.

***

Relacioni sekret i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Gramshit, Marko Xega, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE

SEKRET

KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT EKZEMPLAR. NR. 1

LIBRAZHD

Librazhd, më 22/6/1973

Lënda: Informacion mbi disa parulla armiqësore

KOMITETIT QENDROR P.P.SH. TIRANE

Gjatë muajit maj dhe ditët e para të muajit qershor 1973, në rrethin tonë kemi pasur disa parulla armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit. Kryesisht, këto parulla kanë të bëjnë me fjalimin e shokut Enver të 15 marsit 1973 dhe probleme të tjera.

Disa nga parullat kanë qenë në këto drejtime: Këta na mburren se kanë dritë elektrike, por shtetet e tjera e kanë bërë më parë këtë gjë të tillë. Heqja e antenave të televizorëve u bë me të vetmin qëllim që populli të mos dijë dhe të merret vesh se çfarë bëjnë shtetet e tjera.

Enver Hoxha e ngriti këtë problem më 15 mars dhe këto nuk janë gjë tjetër veçse masa shtrënguese dhe Enver Hoxha, në qoftë se është i mençur, duhet ta dorëzojë vetë detyrën, se do të vijë dita ta shkarkojnë vetë shokët e tij.

Ata të qeverisë tani po ndiejnë se populli nuk i don, prandaj flasin vetëm për gatishmëri dhe vigjilencë. Punët nuk shkojnë mirë, se edhe të mëdhenjtë po grinden me njëri-tjetrin. Në Byronë Politike ka grindje dhe nuk ka unitet.

Kështu ka kundërshtuar Fadil Paçrami, pra, ka debate, grindje, përçarje. Fadil Paçrami e Todi Lubonja kanë qenë njerëz me pozita, por u shkarkuan se ishin bërë të pakënaqur dhe nuk e duan këtë parti, ashtu siç nuk e do dhe populli.

Masa e marrë për ta nuk është e drejtë se ata janë koka të mëdha, se vendi ynë duhet të ecë me kohën dhe vendet e tjera të Europës dhe nuk duhet të rrinë mbrapa dhe masat që janë marrë dhe po merr Partia, janë shumë të rrepta dhe këto janë kufizime lirie që i bëhen popullit. Punojmë gjithë ditën, por nuk marrim gjë dhe tani jemi bërë si bagëtitë, porse kjo nuk do të zgjasë shumë etj.

Revolucioni kultural në Kinë ka qenë një blof se Kina e ndryshoi qëndrimin e saj. Ajo u lidh me Amerikën. Mao Ce Duni nuk ekziston dhe vendin e tij e luan një aktor. Shtetet e tjera janë shumë të forta, kanë armatime që nuk i kemi etj.

Ka pasur edhe raste që kanë thënë se na u qelb vetja duke dalë në skenë me këtë muzikë dhe tani ndihet vetëm daullja, etj. Këto janë shprehur nga Sherif Merdani, i cili për krimet kundër shtetit në formën e agjitacionit e propagandës ditët e fundit është arrestuar.

Veç këtij kemi edhe dy persona të tjerë, cilët janë propozuar për t’u arrestuar.

Këto parulla janë bërë nga elementë keqbërës dhe armiq, të cilët janë në përpunim. Nga këto ne kemi nxjerrë detyrat tona. Sipas rastit në takime me sekretarë organizatash bazë, kuadro, popull si në fshat ashtu dhe në qytet, në zona të ndryshme kemi folur për kujdesin që duhet të tregojmë, për rritjen e vigjilencës, për të goditur çdo shfaqje të huaj armiqësore.

Meqenëse këto janë në përpunim nuk kemi përmendur emra. Mendojmë që mbasi të arrestohen edhe dy të tjerët, do të bëjmë edhe demaskime publikisht. Është për t’u theksuar se kohët e fundit, megjithëse të pakta, por ka sinjalizime edhe nga organizatat bazë të partisë. Kështu ka qenë rasti nga byroja e organizatës bazë të partisë në kooperativën e bashkuar Hotolisht, se një grua nga familja e saj me qëndrim jo të mirë politik desh të mbillte një pemë në ish-arën e saj dhe kur i është thënë se përse e mbjell, ajo është përgjigjur se është ara ime dhe do të vijë dita jonë. Kjo u kap menjëherë nga organizatat bazë dhe vetë brigade dhe u demaskua në popull.

Gjithashtu, kemi pasur edhe disa raste të zbutjes së luftës së klasave. Kështu, në katundin Funares, dy komunistë, njëri kryetar i këshillit të fshatit bashkuar dhe tjetri zv.sekretar i organizatës bazë të partisë dhe arsimtar, fill mbasi bënë konkluzionet e fjalës së shokut Enver të 15 marsit, shkojnë për darkë në dhëndurët e kulakut (dy vëllezër, kanë marrë dy bijat e kulakut) dhe aty ia shtrojnë me të ngrëna dhe me të pira, me dolli, kanë marrë nëpër gojë komunistë e tjerë, ku mbas pijes dhe janë rrahur.

Raste të pirjes dhe të zbutjes së luftës së klasave këta kanë pasur edhe herë të tjera dhe janë këshilluar nga organizata bazë, por ata nuk kishin nxjerrë mësime. Një kandidate partie u martua me të bijën e ish-kulakut, të dy djemtë e tij kanë qenë në burg. Këto raste u analizuan në byronë e Komitetit të Partisë rrethit dhe karshi tyre u mbajt qëndrim duke i përjashtuar nga partia.

Është për t’u theksuar se këtë vendim të Byrosë Komitetit Partisë, masa e popullit e ka pritur mirë. Gjatë kësaj kohe kemi pasur edhe thashetheme dhe intriga në zona të ndryshme për të futur grindje e përçarje, në këto ka pasur edhe komunistë, siç është rasti i sekretarit të organizatës bazë të fshatit Rrajcë, i cili me qëllim që të diskretitojë brigadierin, njeri shumë i ndershëm dhe që kërkon llogari, duke mos bërë lëshime, shpif kundër tij për marrëdhënie me një shoqe të brigadës. Vetë brigada e demaskoi.

Organizata bazë u mblodh menjëherë dhe mbajti qëndrim ndaj tij, duke e kthyer nga anëtarë në kandidat partie. (Byroja e Komitetit të Partisë akoma nuk ka vendosur). Nga këto dhe raste të tjera ne ia kemi bërë problem jo vetëm të organizatës bazë të partisë, por edhe të popullit. Një gjë është pozitive se kur i shtron drejt në popull, ay jo vetëm të kupton drejt, por edhe mban qëndrim të drejtë.

Më datën 16 qershor 1973, në rrethin tonë u zbuluan dhe u kapën dy persona nga shokët e Degës së Brendshme të rrethit tonë në bashkëpunim edhe me disa punonjës të tjerë të ndërmarrjes së ndërtimit dhe fshatarë të fshatrave Lunik, Zdrajsh e Funarë, që kishin vjedhur bankën e Belshit në rrethin e Elbasanit. Të dy këta persona janë nga rrethi tonë.

Është për t’u theksuar se Dega e Punëve të Brendshme të rrethit të Elbasanit nuk kishte vënë fare në dijeni Degën e rrethit tonë për ngjarjen e Belshit. Kapja u bë se për ta dyshohej si njerëz jo të mirë dhe që vitin e kaluar kanë pasur tentativë arratisjeje. Bashkë me personat që u arrestuan, u gjetën edhe 240.000 mijë lekë. Hetimet vazhdojnë.

Për të gjitha këto probleme, ne kemi nxjerrë detyrat tona duke intensifikuar punën politike dhe ideologjike, me qëllim për t’u prerë rruga shfaqjeve të tilla./Memorie.al

SEKRETARI I, I K.P. RRETHIT

Marko Xega

Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët në diktatin komunist” i autorit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura