‘Na kanë bërë pisllëqe’, zbardhen përgjimet që çuan në pranga ish-deputetin e PS

Oct 23, 2018 | 21:23
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, njëkohësisht edhe ish-deputet i Partisë Socialiste, u arrestua të dielën nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet të jetë përfshirë në afera korruptive gjatë kohës që ishte në detyrë.

arben_cuko-433x300

Bëhet fjalë për marrje ryshfetesh për transferime në burgje për të dënuarit. Emri i tij ka dalë në përgjimet e Prokurorisë për grupin e drogës në Shijak dhe më pas është vënë gjithashtu në përgjim edhe ish-drejtori i Burgjeve, Çuko.

“Panorama” siguron një pjesë të përgjimeve në dosjen me 108 faqe që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda për Çukon. Sipas përgjimeve, ai komunikon me drejtorin aktual të Burgut të Burrelit, Fatjon Kurtin, i cili i kërkon që të kryejë transferimin e një personi të dënuar si vrasës me pagesë.

Faksimile e përgjimeve të Çukos
Faksimile e përgjimeve të Çukos

Bëhet fjalë për shtetasin Olsi Karagjozi, i njohur ndryshe me nofkën “Olsi i Qamiles”. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsi Karagjozi ka dashur të transferohet në një burg tjetër dhe ka kontaktuar të arrestuarin Artur Balla.

Pasi është rënë dakord për çmimin e transferimit, Balla i ka dhënë një shumë prej 3 mijë eurosh shtetasit Denis Llaftiu dhe ky i fundit ia ka dorëzuar atë Qerim Mashës, i cili është edhe shoferi i Arben Çukos, që ka luajtur rolin e ndërmjetësit.

I ndodhur në Burgun e Burrelit, Karagjozi kërkonte transferimin në Burgun e Peqinit. Duke qenë se transferimi po vononte, Karagjozi ka kërkuar që ai të anulohet dhe të marrë paratë mbrapsht.

Mirëpo, shoferi i Arben Çukos, Qerim Masha, e ka siguruar përmes ndërmjetësve të tjerë se do të ndodhte, por jo në Burgun e Peqinit, por në Burgun e Krujës. Më pas, ka qenë drejtori i Burgut të Burrelit, Fatjon Kurti, që ka telefonuar Arben Çukon, duke e pyetur për transferimin e mundshëm të Karagjozit.

Madje, në përgjime shprehet edhe frika nëse dy bashkëbiseduesit mund të ishin në përgjim dhe shoferi i Çukos ndryshoi numrin për këtë arsye.

PËRGJIMI

Fatjon Kurti: Alo, drejtor përshëndetje, Fatjoni jam.

Arben Çuko: Kush Fatjon o burrë?

Fatjon Kurti: Fatjoni jam, drejtori i Burrelit.

Arben Çuko: Hë Fatjon, më thuaj.

Fatjon Kurti: Nuk kemi ndonjë problem, situata e përgjithshme është e qetë, a mundet të vij nesër të bisedoj për nja dy çështje të vogla?

Arben Çuko: Nuk e di a m’i thua dot në telefon…?

Fatjon Kurti: T’i them edhe në telefon, por doja të vija të takoja e të të uroja. Mirë drejtor doja të flisja edhe për këtë, për një transferim të një të paraburgosuri që të kishim biseduar.

Arben Çuko: Ça është?

Fajton Kurti: Është ky Karagjozi…për arsye sigurie më shumë…

Arben Çuko: Po Olsi Karagjozi.

Fatjon Kurti: Më kanë dërguar…

Arben Çuko: Prit ta vendos unë se kam digju llafe të tjera për këtë lloj. Ata që më kanë ndërhyrë mua më duket se më kanë bërë pisllëqe.

Fajton Kurti: Mirë.

Arben Çuko: Prit ta vërtetoj unë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura