Na ishte njëherë Shëngjini, Amazona e vogël e Adriatikut

Sep 12, 2018 | 12:43
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJzogaj Në një studim për detin dhe bregdetin e Adriatikut, inxhinier Xhevahir Ngjeqari, studiuesi i pashoq i resurseve natyrore të vendit tonë, e quante gjirin e Shëngjinit dhe vijimin e tij drejt plazhit të Tales “Amazona e vogël e Adriatikut”. “Nuk ka asnjë hapësirë litorale në detin Adriatik,- thotë Ngjeqari,-ku natyra, brenda një hapësirë të kufizuar, ka dyndur gjithë relievet detare, bregdetare, tokësore, ranore, kodrinore, shkëmbore, lagunore, ligatinore, gjelbërimin e florës dhe lulëzimin e faunë si në Gjirin e Shëngjinit”. Përgjatë dekadave dhe shekujve, shumëllojshmëria e habitateve natyrore kishte krijuar në këtë zonë kushtet e duhura për një florë dhe faunë nga më të pasurat: 277 lloje bimësh të ndara në 67 familje dhe 202 gjini. Fauna ka numëruar deri në 341 lloje gjitarësh, shpendësh, insektesh, peshqish dhe reptilësh, ku në vend të parë kanë qenë gjithnjë shpendët me 196 lloje. Inxhinier Ngjeqari i ka thurur lavde edhe rërës së bregdetit Shëngjin-Tale, duke e krahasuar me dyshekun “Dormeo”. Është vërtetë një rërë speciale, prodhim i pastër i një deti në punë të pandalshme, ku prurjet inerte që nisen nga malet nuk kanë kohë të treten rrugës për arsye se lumenjtë që i sjellin nuk kanë gjatësi të madhe. Ngjeqari ka përgjigje prej studiuesi për të gjitha karakteristikat dhe veçoritë e detit dhe bregdetit të Shëngjinit: për trashësitë e rërës, për thellësitë e larmishme të shelfit detar, për fenomenin e rërës së hedhur, për florën dhe faunën e pasur si të kishim të bënim me një kopsht botanik dhe zoologjik natyror. Janë shtjellat e vazhdueshme antiorare të rrymave detare, janë prurjet e bollshme ujore, klima dhe trëndafili i erërave ato që kanë përcaktuar pak a shumë konfigurimin e kësaj “amazone” të vogël, nga më të bukurat e Adriatikut. Kështu ka qenë gjithmonë, që nga kohërat iliroromake…

laguna

Por, nuk është më krejt kështu. Llojet e bimëve dhe shpendëve dhe ndoshta edhe të insekteve nuk janë më aq sa shkruhet në libra e studime të kahershme. Janë më pak. U janë sakrifikuar lakmive barbare për troje e ndërtime. Kanë fluturuar në habitate të tjera sepse habitatin e shekujve po ua prishin. Dhe gjasat janë që kjo gjëmë ekologjike, dhe jo vetëm, të vazhdojë derisa “amazona” të zhduket fare si e tillë, nëse lakmia dhe papërgjegjshmëria e ndërtuesve, grabitësve dhe shkatërrueseve të ekosistemit lejohet të kafshojë ku të mundet e sa herë të mundet. Tashmë, një copë jo e vogël e kësaj “amazone”, bregdeti dhe laguna e segmentit Shëngjin-Kune, është zhdukur bashkë me florën dhe faunën e përmendur. Vendin e tyre e kanë zënë mbushjet dhe ndërtimet rëndom pa kriter, pa urbanizim, gati si në xhungël. Me ngjeshjen e ndërtimeve, herë si cigaret në kuti dhe herë si rraqet në një thes, Shëngjini ofrohet lehtë dhe gratis për t’u krahasuar me Kandaharin e Afganistanit si personifikim i qytetit xhungël.

shengjin

Biodiversiteti në këtë gji ka ardhur duke u dëmtuar vit pas viti nga pak. Ka filluar përpara hapjes demokratike me devijimin e lumit Drin në lumin Buna, duke e shndërruar zgjatimin e Drinit drejt në grykëderdhjes historike në Ishull të Lezhës në kolektor ujërash të zonës, gjë që pa diskutim ka goditur ekuilibrat mjedisorë të krijuar ndër shekuj. Ka vazhduar në vitet e demokracisë në çdo qeveri. Por goditjen më të madhe Shëngjini -qytet, bregdeti dhe laguna e tij e kanë marrë dekadën e fundit dhe sidomos gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Ndërtimet me të shumta nga pikëpamja numerike dhe vëllimore në këtë hapësirë janë bërë në pesë-vjetshin e Rilindjes. Duket paradoksale në pamje të parë, kur kujtojmë se Rama erdhi në pushtet duke i mëshuar një premtimi që pak ishte dëgjuar dhe tingëllonte shumë origjinal për këtë shkak: administrimin e territorit të shkatërruar nga qeveria paraardhëse. Me këtë premtim pati ekzaltuar shumë vetë, ndër ta edhe mikun tim Shpëtim Nazarko. Sot, nëse shkon në Shëngjin dhe dikush i tregon ndërtimet e kësaj periudhe Shpëtimi që noh unë do të vinte duart në kokë. Shëngjini është vetëm një prej shembujve të shumtë ku retorika elektorale e Ramës e sheh vetën të sfiduar keq nga realiteti. Nuk ka asnjë paradoks në fakt. Kështu është qeverisja propagandistike. Të tjera janë fjalët, krejt të tjera veprat. “Misteri” i Shëngjinit qëndron në një fakt tjetër. Gjatë gjithë këtyre viteve, “lejet” në seri të ndërtimit kanë shpërthyer sikur janë dhënë nga zyrtarët dhe zyrat vendore të mëparshme. Ka ekzistuar e funksionuar pushteti i mbaruar, herë me dorën e ishzyrtarëve të vërtetë, herë duke u falsifikuar firmat e vulat. Me dorën e pushtetit të mbaruar janë dhënë leje e ndarë toka në të katër anët. Pushteti i mbaruar ka rezultuar më i pushtetshëm de fakto se pushteti vendor në fuqi. Kjo është “shpikja” më groteske shqiptare: një ish-pushtet që merret në përdorim dhe përdoret me cikël të mbyllur, duke i bashkangjitur zyrat e Hipotekës, legalizimeve e tjerë, nga malavita, nga ryshfetxhinjtë dhe kush të ngrihet i pari.

Po qeveria që ka për detyrë të administroje territorin dhe të garantojë zbatimin e ligjit, me se është marrë? Kush i ruan këto vreshta, në mos qeveria e para. Si nuk i ka bërë përshtypje Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij ç’po ndodh në Shëngjin? Në fakt, Rama e di shumë mirë ç’ka ndodhur. E ka lënë vetë, me koshiencë, që gjendja të degradojë, siç ka degraduar. Ai shkoi para disa ditësh, në mbyllje te sezonit të verës, te resorti “Princi” të Rana e Hedhur. Falë pozicionit dhe vështirësive për të shkuar atje, Rama e Hedhur ka shpëtuar deri me sot nga invazioni i ndërtimeve pa kriter që do ta shkatërronin si destinacion turistik. Vetë “Princi”, në pronësi të sipërmarrësve Dede Maluta e Hasan Zalli, është një shembull i administrimit me profesionalizim e kërkesa të larta në shërbim të pushuesve në çdo stinë, një reklamë e gjallë e turizmit cilësor, e natyrës së mrekullueshme. Rama bëri shumë mirë që shkoi për të promovuar një shembull që me siguri e ka befasuar kur e ka parë. Ka edhe Lezha perla turistike. Më ketë rast mund të këtë menduar e reflektuar për nevojën e masave mbrojtëse me qëllim që Rana e Hedhur të mos ketë fatin e bregdetit të Shëngjinit. Por, si Kryeministër, Rama duhej të shkonte dhe të përballej me “Kandaharin” aty pranë, me veprën e përmbushur për keq në qeverisjen e tij. Kryeministri nuk është vizitor, është në punë, në veprim. Përveçse është sterrënduar me ndërtime me leje abuzive, false apo pa leje fare, që i marrin frymën njëra-tjetrës dhe ulin çdo vit cilësinë e turizmit atje, Shëngjini ka edhe problemin e rrugës. Rruga që të çon në Shëngjin ka mbetur aty ku e la qeveria “Berisha 1” në vitin 2009, me dy korsi të gjera në dy të tre tretat e saj, por që vjen e ngushtohet si gryka e një shisheje në pjesën tjetër, që përkon me shmangien nga rruga nacionale, gjë që e bën torturuese shpeshherë hyrjen dhe daljen nga Shëngjini. Zgjerimi i pjesës së papërfunduar të rrugës ekzistuese dhe hapja e një rruge të re për Shëngjin premtohet çdo vit pasi mbaron sezoni nga qeveria Rama. Përsëri u premtua në fund të muajit gisht. Të shohim a do të realizohet deri në qershorin e ardhshëm. Shpresojmë se po, duke qenë se do të mbahen zgjedhjet vendore dhe qeveria mund ta zgjidhë qesen edhe për projekte që i ka parë si të njerkës.

Pavarësisht vonesave, rruga do të bëhet. Nuk ka alternativë tjetër. Por Shëngjini, bregdeti, gjiri në formën e elipsit, laguna e dëmtuar dhe lagunat e padëmtuara të Vainit e Kunës thërrasin për ndërhyrje të tjera emergjente. Për mbrojtje pikësëpari nga kafshimet e lakmive jashtë kontrollit.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura