Na ishte një herë…

Apr 24, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

EDMOND TUPJA

Kështu fillojnë shpesh për rallat e moçme shqiptare: “Na ishte një herë…” dhe fëmijët e vegjël që u besojnë përrallave (Sa ka ende të tillë në Shqipërinë e internetit dhe të betonit?) hapin veshët e mezi presin, duke fërgëlluar nga kureshtja, që gjyshja apo gjyshi t’u tregojnë përrallën e radhës që me siguri do t’i mrekullojë e do të jehojë në imagjinatën e tyre pa kufi kur të bien për të fjetur…

Gjithsesi, meqë lexueset dhe lexuesit e mi të së dielës nuk janë më fëmijë, sot do të rrekem t’u tregoj një përrallë aspak të moçme, por fringo të re, të sajuar enkas për ata, ose më saktë, për nipërit e mbesat e tyre ende të palindur, madje, në fund të fundit, pse jo, edhe për stërnipërit dhe stërmbesat që, me shumë gjasë, do t’u vijnë në jetë në Shqipërinë tmerrësisht demokratike mbas dy apo tri dekadash, në mos më shumë.

Pra, na ishte një herë, para shumë e shumë vjetësh, një kryeqytet që ende quhej Tiranë, në një vend që ende quhej Shqipëri. Tirana na kishte një liqen, që ende quhej liqen. Ky liqen ishte i bukur, i rrethuar me pemë dhe plot me lëndina të blerta, ku kryeqytetasit vinin të merrnin pak ajër më të pastër se ai rreth e qark banesave të tyre; pleqtë e fëmijët, burrat e gratë, të tërë shëtisnin ose rrinin një copë herë mes gjelbërimit; këta njerëzit, që e donin natyrën, e konsideronin parkun e liqenit si mushkërinë e qytetit të tyre jo pak të ndotur nga pluhurat dhe gazrat e makinave, por edhe të politikës konfliktore shqiptaro-shqiptare.

Njëkohësisht, na ishte një herë edhe një plis dheu me bar, bir i një lëndine buzë liqenit, por edhe një grusht betoni, bir firmash betoni.

Pak a shumë si midis dy protagonistëve në fabulën e frëngut La Fonten me titull “Qypi prej balte dhe qypi prej hekuri” (me sa duket, në shekullin XVII, betoni ende nuk ishte shpikur), për një apo disa arsye që i dinte vetëm kryebashkiaku i kryeqytetit me ithtarët e tij, grushti me beton të freskët i propozoi plisit të dheut me bar lëndine të rrinin bashkë në breg të liqenit e të kundronin, me mallëngjim 24 karat, fëmijët e lumtur te një kënd lodrash të pandjeshëm e të patundur ndaj faktorëve atmosferikë, ndaj ndërrimit të stinëve, ndaj diellit e vesës, ndaj qetësisë e paqes që mbretëronte rreth e rrotull;

mirëpo ndodhi si me dy qypat e La Fontenit: ai prej hekuri i premtoi atij prej balte se do ta mbronte nga përplasjet me sende të forta, por u përplas vetë me atë (me apo pa dashje, ec e merre vesh), pra, e theu dhe e bëri copë e çikë. Kështu, grushti i betonit, për lumturinë e një apo disa firmave të betonit, zhduku plisin e dheut me bar lëndine, dhe kjo për fatkeqësinë e këtij të fundit. Rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, përralla ime vazhdon kështu, jo vetëm për të vegjlit, por edhe për të rriturit e pasardhësit e tyre ndër dekada:

“Sot, na është një liqen i rrethuar nga një park i gjelbër që po ngushtohet si lëkurë shagreni (do të thoshte Balzaku, një tjetër shkrimtar frëng, veçse i shekullit XIX, kur betoni tashmë ishte shpikur, besoj), një liqen që e ndien veten të dënuar me vdekje nga Gjykata e Lartë e Sektit Betonik i cili, përveç betonit, këtij armiku të betuar të blerimit, prodhon edhe një hi ideologjik special që po ia hedh falas syve pjesës më të madhe të kryeqytetasve, të cilët opiumin bashkipartiak po e shijojnë si elikzir parajse”.

Me gjithë protestat e pjesës më të vetëdijshme të shoqërisë civile shqiptare, ky dënim me vdekje, me sa duket, po konfigurohet si një vendim i formës së prerë. Kjo është arsyeja që dikush tjetër përrallën në fjalë duhet ta vazhdojë, me shkrim apo me gojë, për brezat e ardhshëm, si vijon:

“Na ishte një herë një liqen, ndjesë pastë, me ujë e me peshq, ndjesë paçin, i rrethuar me drurë e gëmusha, ndjesë paçin, ku zogjtë, ndjesë paçin, cicërinin dhe i gëzoheshin jetës në gjirin e natyrës duke u hedhur degë më degë dhe duke i vështruar njerëzit si miqtë e tyre, të cilëve këmba ende u shkelte butë-butë mbi barin e lëndinave, ndjesë paçin, të cilat tashmë po rrezikoheshin haptas nga babëzia e betonit në aleancë me krenarinë cinike të një grushti njerëzish të tipit të pamëshirshëm homo albanicus, që e pandehnin veten të përjetshëm në pushtet, ndjesë mos paçin!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura