“Na gënjeu të gjithëve, e rrëzoi nga fiku Enveri”- Debati për dënimin e ish-Gjeneralit! Dorëshkrimi i Hysni Kapos për shkarkimin e sekretarit të Parë të Dibrës në ‘66

Aug 20, 2022 | 20:47
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ “Partinë e bëjmë më vitale kur shfrytëzojmë kontributin e elementit antiparti”. Kauza e padëgjuar më parë në praktikën e organeve të partisë ishte bërë kryefjala e punës së sekretarit të Parë të rrethit të Dibrës.

nuSDLF3O

Në vitin 1966, kur po bëheshin dy dekada nga goditja e Koçi Xoxes, në Peshkopi konstatohej një tjetër model i tij, po aq i rrezikshëm sa ai ish- ministrit të Brendshëm që kishte vënë Sigurimin mbi Partinë.

Gjeneral Zoi Themeli, një nga ish-funksionarët e lartë të Sigurimit të Shtetit, që kohët e fundit ishte caktuar me detyrën e sekretarit të Parë të Dibrës, kryqëzohej në vjeshtën e vitit 1966 për ato që ish-miku dhe eprori i tij, Koçi Xoxe, kishte shkruar para skuadrës së pushkatimit në fundin e viteve ‘40. Dorëshkrimi i Hysni Kapos, ish-numrit dy të Partisë që i referohet ngjarjes, përmban epilogun e saj me çastet finale të debateve të Themelit në zyrën e Enverit, në mesin e shtatorit të vitit 1966.

Gjenerali zullumqar që kishte sfiduar një fushatë të tërë me ekipe kontrolli, mbledhje, ballafaqime e analiza të drejtuara nga KQ-ja, vinte përballë “Njëshit” të Partisë, jo thjesht për të matur forcat. Strategjia e ndjekur me njerëzit e këtij të fundit, duke i hedhur degë më degë, nuk do t’i funksiononte më tej.

Hoxha që ishte regjur me prerje kokash të rivalëve politikë dhe elementëve antiparti, nuk do ta kishte të vështirë, siç shkruan Kapo, të rrëzonte nga fiku përbindëshin e Peshkopisë. Po çfarë kishte ndodhur me ish-gjeneralin, që ishte bërë problem serioz për kupolën e Partisë?

Zoi Themelit i ishte besuar detyra e sekretarit të Parë të Dibrës, kur kishte “shkëlqyer” për 20 vite me radhë në postin e drejtorit të Zbulimit Politik dhe zëvendësministrit të Brendshëm.

Ai do të rishkëlqente në funksionin e ri me praktikat konspirative në drejtimin e Partisë, duke u mbështetur jo te të zgjedhurit politikë, por te kontingjentët e Sigurimit, të cilët i mendonte asete të pazëvendësueshme të punës së Partisë. Në një letër dërguar organizatave bazë, Themeli orientonte shmangien nga veprimtarët e organeve të Partisë dhe mbështetjen e punës drejtuese të elementëve negativë e me vese, të cilët prej kohësh kontribuonin fshehtas për Policinë Sekrete.

faksimile44

Kjo “risi” e gjeneralit famëkeq kishte ngjallur revoltën e armatës së komunistëve, të cilët e kishin përcjellë shqetësimin tek udhëheqja e Partisë. Kjo e fundit kishte nisur ekipin e parë të kryesuar nga Piro Kondi, drejtor i Drejtorisë së Propagandës në KQ, i cili nga verifikimi në terren nuk konstatoi ndonjë shkelje serioze.

As në letrën e Themelit për organet dhe organizatat e Partisë, për të dërguarin e Enverit, nuk kishte frymë antiparti. Të tilla vlerësime sollën në Tiranë dhe dy dërgatat e tjera. Sidoqoftë, Enveri nuk u mjaftua me kaq. Kërkoi t’i sillnin në zyrë protokollet e mbledhjeve të organizatave të Peshkopisë ku ishte diskutuar letra e Themelit dhe filloi t’i studiojë me kujdes.

Ajo që u kishte shpëtuar ekipeve të njëpasnjëshme, nuk mund t’i shpëtonte syrit të udhëheqësit. Betejën së pari e nisi me të dërguarit e tij. Piro Kondi nga ky moment nuk do të ishte më anëtar i Plenumit të Partisë dhe do largohej nga aparati i KQ-së.

Po kështu, dhe Leka Shkurti, ndihmësi i tij. Pastaj do vinte radha e Themelit, betejën me të cilin do ta zhvillonte në zyrën e vet në selinë e KQ-së. Me kaq u jep fund Kapo shënimeve për gjeneralin e ndëshkuar në dorëshkrimin e tij.

Ajo çfarë ndodhi me të pas kësaj, është bërë publike në propagandën e kohës ku Themeli trajtohej si një element antiparti. Pjesa tjetër e kujtimeve të Kapos që botojmë sot fokusohet në debatet në zyrën e Enverit për ta lënë përfundimisht jashtë partisë Zoi Themelin…

SHËNIM I DATËS 13 SHTATOR 1966

Në takimin që pata sot me Zoi Themelin, mësova mbi gjendjen serioze të krijuar në organizatën e Peshkopisë. Nuk më pëlqen aspak qëndrimi i Zoit, ai është në rrugë të gabuar.

Letra që ka lëshuar Byroja e rrethit për organizatat (me firmën e Zoit dhe me përmbajtje thellësisht antiparti) dhe protokollet prej 100 faqesh të mbledhjeve të organizatave bazë, ku kundërshtohet fryma joparimore e letrës, të cilat i lexova deri natën vonë, më revoltuan. Më duket se Zoi ia ka hipur kalit mbrapsht. Sidoqoftë çështjen e tij do ta shqyrtojmë me kujdes.

SHËNIM I DATËS 14 SHTATOR 1966

Çështja që më preokuponte, që e shqetësoi shokun Enver, ishte informacioni që i dhashë mbi situatën e krijuar në Peshkopi. Atje Zoi Themeli që kryen detyrën e sekretarit të Parë të rrethit ka krijuar një kaos të madh. Vendosëm të takohemi në KQ ne, tre sekretarët me Zoi Themelin.

Dëgjuam me vëmendje Zoin dhe Hajriun (Hoxhën). Qëndrimi i Zoit është revoltues. Megjithëse është shumë i varfër nga mendja, i duket se di shumë, qesh me ironi dhe mospërfillje, kur Hajriu dhe shokët kundërshtojnë ndonjë mendim të tij.

Ai është bërë si Koçi Xoxe në Peshkopi, por mundohet të justifikohet para shokëve me djallëzi. Taktika nuk i shkoi deri në fund. Zoi ra nga fiku kur ndërhyri shoku Enver.

Në sipërfaqe u duk se e kuptoi gabimin, por në të vërtetë mendjemëdhenjtë zor të njohin gabimet. Sidoqoftë, Partia nuk mund ta lërë me kaq punën e tij…

** Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura