“Na dhuroi emocione për dekada”/ Presidenti Meta reagon për ndarjen nga jeta të Vladimir Grillos: Përcolli vlerat më të arrira sportive

Dec 30, 2021 | 21:14
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe komentatorit sportiv, Vladimir Grillo. Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se ai do të kujtohet për emocionet e veçanta që dhuroi për dekada me radhë.

meta-grillo

Teksa i shprehu ngushëllime familjes, Presidentit Meta thotë se Valdimir Grillo përcolli vlerat më të arrira sportive.

“Me shumë trishtim mësova për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe komentatorit të mirënjohur sportiv, mjeshtrit të mikrofonit, Vladimir Grillo.

Do të kujtohet nga të gjithë për emocionet e veçanta që na dhuroi për dekada, duke përcjellë me profesionalizëm dhe timbrin e veçantë të zërit, në familjet dhe ambientet tona shoqërore, vlerat më të arrira sportive.

Në këto momente të vështira ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve për këtë humbje të pazëvendësueshme. Të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta.

Vitin e kaluar, më 2 korrik 2020 Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Vladimir Grillo “Për kontributin dhe vlerat e veçanta në përcjelljen me cilësi të veprimtarive sportive, duke promovuar arritjet në disiplina të ndryshme sportive, si një komentator sportiv i spikatur në Radio-Televizionin Shqiptar, me vlera estetike e qytetare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura