“Ju rrëfej kush e vrau Mehmetin, ç’zbulon letra e fundit për Enverin”

Dec 23, 2016 | 14:08
SHPËRNDAJE

Myslim Pasha, koloneli në lirim, profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës, shprehet se Mehmet Shehu është viktimë e sistemit të ngritur edhe nga ai vetë.

myslym-pasha+-mehmeti

Duke folur 35 vjet pas vetëvrasjes së Shehut, në një intervistë për “Panorama” Pasha thotë se ai ishte i veshur me një lloj miti dhe askush nuk mund të mendonte se ishte një poliagjent që donte të eliminonte Enver Hoxhën.

“Ato që u thanë pas asaj nate, ishin të gjitha sajesa të qepura në mendjen demoniake të Enver Hoxhës, ishte sinoptikë vrastare mbi një popull të tërë të gënjyer, të depersonalizuar”, shprehet Pasha në një intervistë për gazetën “Panorama”.

Duke u bazuar në rrëfimet dhe përjetimet e bashkëkohësve të Mehmet Shehut, Pasha zbulon dhe një anë pak të njohur të Mehmet Shehut.

Sipas tij, Shehu ishte depresiv dhe kishte obsesion pushtetin, të cilin kërkonte ta arrinte me çdo kusht. Në muajt e parë pasi ishte kthyer nga kampi i Përqendrimit të Francë, Mehmet Shehu shfaqet melankolik dhe aspak optimist për të ardhmen.

Edhe 35 vjet pas vetëvrasjes/vrasjes së ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehut, ende nuk është zgjidhur dilema nëse atë e vranë apo u vetëvra nën presionin e madh të Byrosë Politike. Në gjykimin tuaj, që lidhet edhe me origjinën e përbashkët me Mehmet Shehun, por dhe me statusin e ish-ushtarakut, kemi të bëjmë me një vetëvrasje apo vrasje?

Unë flas si intelektual ushtarak me gjymtyrë në të dyja sistemet, në moshën e atyre që lindën pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk jam historian, por gjeohartograf, kolonel, me veprimtari të drejtpërdrejtë në hartografimin e Shqipërisë gjatë sistemit të diktaturës së proletariatit në Shqipëri. Dëshmitë e gjithsecilit, përjetimet dhe perceptimet për atë kohë janë shumë të gjalla, jetësore, por dhe dramatike.

Ato nuk shprehen plotë- sisht, rrinë të fshehura se kështu e ka natyra njerëzore, ato nuk zbulohen kollaj dhe për shkak të plot komplekseve që i duhej të përballej njeriu shqiptar në përvojat e totalitarizmit që erdhi dhe u rrit, brenda ëndrrës utopike të një sistemi të njerëzve të barabartë… etj., etj. E rrotull këtij qerthulli të kësaj shoqërie, u përpinë prej vetvetes tragjike, në vorbullën e luftës së klasve. 35 vjet pas vetëvrasjes/vrasjes së Mehmet Shehut, për masën e gjerë, duhet thënë se ai ishte gong paralajmërues e goditës, në vetëdijen e secilit se kish ndodhur një thyerje e rëndë dhe e frikshme. Pra, për t’u ndalur, për të pyetur veten se ku jemi e ç’ndodhi.

Një naivitet tërësor shkonte dhe vinte se si do t’ia bënte Enver Hoxha pa Mehmet Shehun. Se Mehmet Shehu, si dhe për shumë të tjerë, ishte figura e veshur me një lloj miti. Por askurrë nuk mund të përfytyrohej se ai ishte armik e poliagjent, sikur ai të qe njeriu që gjithë jetën kishte vuajtur për të eliminuar Enver Hoxhën dhe pas kësaj ta shiste Shqipërinë etj., etj. Tabloja ishte goditëse, aty fillonin përjetimet e dyshimit të ndarjes, të dyzimit, te të cilat s’ishte besuar.

Për këtë kumt të parë, as kish dyshim se Kryeministri ishte vetëvrarë; mbasi çdo kumt që vinte nga lart për ne, domosdo që duhej besuar. Edhe pse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, ndikimi i kohës me faktorë të shumtë mbi shqiptarët nën diktaturë vijon ende, duke i mëshuar në mënyrë intriguese atij besimi se Enver Hoxha e ka vrarë Mehmet Shehun, duke e shkallmuar të Parin për të pranuar figurën e Mehmetit, duke harruar plojën e madhe që kish ndodhur në jetën e gjithë shqiptarëve. Ato që u thanë pas asaj nate ishin të gjitha sajesa të qepura në mendjen demoniake të Enver Hoxhës, ishte sinoptikë vrastare mbi një popull të tërë të gënjyer, të depersonalizuar.

Sipas jush, Mehmet Shehun e vranë, apo u vetëvra?

Kjo pyetje do të jetë e tillë edhe për një kohë të gjatë. Sot e kësaj dite dëgjojmë se hulumtuesit ende kërkojnë nëse “X” faraon i Egjiptit ka vdekur vetiu, apo e kanë eliminuar pasardhësit që donin pushtetin. Për Hitlerin gjithashtu. Kësisoj, në shekullin e kaluar ndodhi vrasja e John Kenedit dhe ende ka hamendje se nuk është gjetur e vërteta. Ismail Bej Vlorën thonë se e helmuan, por ende nuk thuhet diçka e saktë. Për enigmën “Mehmet Shehu” po tirren aq shumë fije, për tridhjetë vjet me radhë, e këto fatkeqësisht nuk hulumtojnë të vërtetën, por luajnë me një nga ngjarjet e shëmbëllimit tragjik të fundit të ciklit social-komunist të diktaturës në Shqipëri.

Ndryshe e shpjegon Nexhmije Hoxha, teksa afër saj rrinte edhe Ramiz Alia; ndryshe e shpjegojnë klasat e përmbysura dhe të vuajturit nën diktaturë; ndryshe e shpjegojnë nostalgjikët e pashëruar të sistemit; ndryshe e shpjegoi bashkëshortja e Mehmet Shehut, dëshmitarja e cila nën trysni makbethiane u thinj brenda një nate; ndryshe e shpjegon historiani, i cili flet dhe analizon mbi dokumente e ngjyrimet bashkëshoqëruese; ndryshe e shpjegon Duro Shehu, i vëllai, i cili nuk di se ku ndodhet! Po ama, ndryshe, e shpjegon i biri i tij, Bashkim Shehu. Ndërkaq, kjo është lënda më e mirë për mitologët e Mehmet Shehut…

Ky spektër brendashqiptar, nuk bën gjë tjetër veçse shpjegon tragjedinë e vetvetes të shformuar keqas, kur sinjali i vetëvrasjes së Kryeministrit ishte shpërthimi fatal i fundit të sistemit. Lexoni letrën e Mehmet Shehut para se të vetëvritej, për të parë se si ai shfaq për herë të parë me sinqeritet, se si ishte deformuar e se si kish përfunduar miti i tij, aty do të dalloni se ç’erupsion frojdian bartte në vete, me mundimin e Sizifit, ndaj nuk e donte më veten, e s’kish kohë që t’i lutej Perëndisë që “t’i merrte ymrin”( si në vitin 1938), por ngriti armën dhe goditi zemrën e tij të lodhur, duke iu përgjëruar faraonit të tij: Enver Hoxhës.

Është një dëshmi tanimë e njohur e letrës që ka gjetur historiani Paskal Milo?

Letra që ka prezantuar Paskal Milo është një vërtetësi shkrimore, e provuar në bukurshkrimin, gatimin arsyetimor dhe psikologjik të paraveprimit antijetë të Mehmet Shehut. Është një hartim i keq, por shumë domethënës, në vështrimin psikologjik, jo vetëm që s’i afrohet atij karakteri që kemi njohur, por as prirjes së tij prej poeti dhe shkrimtari, ajo është dëshmia që e zbulon figurën e tij, Mehmet Shehun tjetër, aty ndodhet një njeri i reduktuar, i shformuar, që nuk ka asnjë përqasje me mitin e tij të ngritur në vite.

Kur e kemi parë dhe lexuar atë letër, filluam të besonim se ky ishte një nga aktet më dëshmuese, si një regjizurë e vetë djallit, një vepër e pavetëdijes, që me forcë e shfaq erupsionin e saj fatal. Shqipëria në qerthullin e saj shënonte fundin e sistemit si një shfaqje makabre, ai sistem pas të cilit brezi im ish përpjekur dhe kish shpresuar shumë.

Dëshmia e të birit, Bashkim Shehut, është ndoshta ndër më kryesoret, apo jo?

Nëse letra është e autorit, Mehmet Shehut, një libër aq tronditës është ai i të birit të Mehmet Shehut, shkrimtarit të njohur Bashkim Shehu, i cili nuk përdor asnjë mjeshtëri, asnjë shtrydhje të sforcuar, por ditarin tragjik të fundit të Mehmet Shehut, që kishte frikë nga gjithçka rrotull, që përgjohej, që s’kishte guxim ta merrte në telefon Enverin.

Pra kush e ngriti armën?

Ai vetë! Dora ideologjike e Partisë së tij dhe Enverit. Kësilloj të gjitha hamendjet e ardhjeve natën dhe ditën, e zhurmave, e jehonave të krismës, e kumteve të natës së zezë, e tunelit apo llagëmit, që ne mendonim me naivitet trushpëlarës, gjithçka kish ardhur natyrshëm në kronikë, në mbyllje të ciklit.

Tragjedia antike vijon ashtulloj në Ferr, sa brenda natës, duke dëshmuar tadhtinë e të shoqit, Fiqirete Shehu thinjet, që i afrohet vdekjes (Enver Hoxha i thotë së resë, “ma hiqni se nuk dua ta shoh…!” si në botën shekspiriane, dhe djali tjetër shkruan një letër aq të rëndë për opinionin tonë… e gjithë familja drejt shuarjes. Përfytyroni, në besim të plotë të ideologjisë e në emër të saj u kryen aq krime të rënda. Dhe ja njëri nga personazhet e kreut të “kështjellës: ndëshkon vetveten në mbyllje të ciklit. Vetë shoqëria ka prirjen e saj, që ashtu në ceremoni dasme të përgatisë dhe tragjedinë, vetiu.

Por në një shkrim botuar në “Panorama”, kohë më parë ju keni sjellë në vëmendje edhe një anë të dobët të karakterit të Mehmet Shehut, pesimizmin apo depresionin në rininë e tij të hershme pas luftës së Spanjës, duke rrëzuar në këtë mënyrë mitin e ngritur ndaj tij si një njeri me karakter të fortë. Ndoshta këtu mund të kërkojmë edhe motivin e aktit vetëvrasës të tij?

Për natyrën e Mehmetit është parë ana e jashtme, sikur ai ishte njeri me një karakter të fortë. Në të vërtetë, ai synonte me ngulm, kërkonte lartësi dhe pushtet, ai i shpërfillte të tjerët, ai s’mund të pranonte kritika dhe as ndonjë nënvlerësim… sepse ishte ylli i tij i pushtetit, ishte guri i Sizifit të tij. Për këtë ai përballi vuajtje dhe dështime të mëdha në jetë, ai i afrohet qëllimit dhe rrëzohet dhe i duhet që të ngrihet prapë. Enver Hoxha, përmes dilemash të mëdha, ia dha këtë mundësi, sepse e njohu që vlerat e tij do t’i shërbenin aq shumë dhe ashtu ndodhi. Po obsesionet dhe depresioni kanë qënë pjesë e personalitetit të tij.

Në vjershat e para, ka melankoli, në poemën e Spanjës ka pika shikimi aq komuniste sa vetëmohimi është kryesor. Ndërkaq, pas luftës zhgënjyese në Spanjë, dhe kampeve të përqendrimit në Francë, vjen një moment rënieje e pesimizmi që ai e shpreh në një letër të vitit 1938, të cilën e ka zbuluar historiania Ana Lalaj. Ai i ka dërguar një letër një shoku të tij, ku i thotë: “Unë ankohem kurdoherë për fatin tim, se shokët e mi ndodhen në universitete… Jam aq pesimist kundrejt avenirit tim, sa e shoh veten si një krimb që gërmon e s’di ku vete…

Në një moment melankolik e të pamendtë, kam thënë duke iu lutur Zotit, ja të më merrte ymrin, ja të më nxirrte në dritë, si gjithë shokët e mi”. Një nga shokët e vetëm historikë të Mehmetit ka qenë Nako Spiru, i cili u vetëvra. Shoku gjen shokun. Pas kësaj ngjarjeje, i vinte radha Mehmetit dhe ai mund të bënte ndonjë marrëzi. Këtu ai ishte në buzë të greminës. Kur Shkoi në Mallakastër, i rënë në depresion, u tha se ‘do fillojmë luftën nga e para.” Ai s’donte të binte, nuk i shmangej atij yllit të tij. Historiania Lalaj hap paralele edhe për rastin “Sokrat Bufi”, i cili ish sekretar i parë i Partisë së Fierit, student në Moskë, i kishte shkruar Hoxhës se, sipas tij, Mehmet Shehu ishte provokator, karrierist, antisovjetik etj.

Fiqreti i shkoi në zyrë Enver Hoxhës për t’i treguar se ç’ndodhte me burrin e saj që ishte mbyllur në shtëpi, as hante dhe as pinte. Liri Belishova, i pat thënë: “Kujdes me Mehmetin, se edhe unë nuk e ruajta dot Nakon.” Vetëvrasja si kulm është spikama e karakterit të tij, por edhe e sistemit ku ai pati në dorë atë pushtet të madh si Kryeministër.

Si duhet vlerësuar Mehmet Shehu nga historiografia jonë sot?

Flitet përherë sot për rishkrimin e historisë. Kalohet deri në ekstremizma. Shfrytëzohet turpshëm nga një ndarje “bardh e zi”, “etër e bij” dhe është ngecur në vend, në atë llum ku e ka çuar sot politika Shqipërinë. Shoqëria shqiptare, kultura, ka nevojë ta rishkruajë historinë e vërtetë edhe të figurës së Mehmet Shehut për gjurmët e tij në histori. Duhet të pranojmë se për tridhjetë e pesë vjet ka qenë një shtet shqiptar, një sistem shoqëror social-komunist, kanë udhëhequr figura të njohura. Historia e një shteti totalitar e kish marrë arketipin te “Sovjetiku” dhe kështu u fillua.

Ngjashmëritë dhe modelet komuniste skulpturuan figurat tipike, çka u ndikuan jo më pak dhe nga karakteret e tyre. Këto duhen shkruar realisht se si rrodhi historia e krijimit të shtetit të diktaturës së proletariatit, dhe të luftës së klasave, ku Enver Hoxha ishte njeriu kryesor që u bë edhe idhull, edhe “perëndi”. Mehmet Shehu gjurmoi vetë një jetë me ngjitje dhe ulje si Sizifi, një fshatar Mallakastre, me shpirt kryengritës, gjithnjë synues për të arritur sa më lart dhe për të ushtruar pushtet. Ai është arkitekt edhe i dhunës, edhe i terrorit mbi klasat e përmbysura e në këtë udhë ai u shndërrua në të kundërtën e ideve të para të lirisë e drejtësisë, përkah së cilave u nis.

Por, të mos harrojmë se pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore ishte vepër e madhe e paharruar, një sakrificë që solli krenari historike. Se u krijua shteti dhe zhvillua ekonomia, se arsimi e shëndetësia pësoi ndryshime të mëdha, mbasi pothuajse u filluan nga “zeroja”. Ndodhën krime, masakra, gjatë luftës dhe më pas ku ai ka dorën e tij. U krijuan armiq dhe u izolua Shqipëria në një paranojë të llahtarshme, duke e përfytyruar vetveten si kështjellë e Marksizmit në botë, një autarki e lemerisur. Këtu është edhe dora e Mehmet Shehut. Për të gjitha këto duhet vlerësim real se ku janë veprat e mira dhe ato të këqija. S’mund të ketë fshirje, as mohim. Nëse do të mohohet e tërë kjo periudhë, atëherë kjo është si pjesë e atavizmit.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura