Muzikë, sport dhe modë, Leao: Fillimi te Milani ishte tmerr

Sep 22, 2022 | 20:25
SHPËRNDAJE

Sportist i talentuar, potencialisht kampion, por edhe i apasiunuar pas modës dhe muzikës. Ndoshta ka edhe anë të tjera të pazbuluara te Rafael Leao, që së fundmi ka dhënë një intervistë shumë të veçantë mbi fillimet e tij, por edhe synimet që i ka vënë vetes.

LEAO

Ta nisim me muzikë. Cila këngë mendoni se ju përkufizon më mirë?

E vështirë. Më lini të mendohem pak… “Giovane Fuoriclasse” (Kampion i ri) nga Kapo Plaza.

Përse dukeni kaq i heshtur?

Sepse nga atje prej nga vi të gjithë jemi si të padukshëm. Kur rritesh në një lagje problematike është normale të bëhesh i tillë. Askush nuk të sheh sepse askush nuk dëshiron të të shohë. Nëpërmjet futbollit, muzikës dhe modës mundohem t’u tregoj fëmijëve që vinë nga lagje si e imja që mund t’ia dalin mbanë në jetë. Sidoqoftë, nuk duhet harruar kurrë se nga kemi ardhur.

Sa e vështirë ka qenë për ju të mbërrini në këto nivele?

Shumë. Më kujtohen të gjitha orët e kaluara nëpër trena me tim atë për të shkuar në stërvitje. Ishte e vetmja mënyrë udhëtimi, por ne as që dinim se si paguhej bileta. Nuk ka mbrëmje që nuk kujtoj mundimet e babait që në shtëpi të mos mungonin gjërat bazike. Ëndrra ime ishte futbollit dhe familja ma bëri realitet duke më mbështetur.

Edhe tani vazhdon të jetë e fortë ajo lidhje me familjarët apo jo?

Sigurisht. Sakrificat e tyre më ndihmojnë të qëndroj me këmbë në tokë. E di fort mirë që fama dhe suksesi janë kalimtare. Për të mos humbur mes luksit dhe miqësive të rreme nevojitet ndërgjegje. Kjo është një arsye më shumë që jam i lumtur për atë që përfaqësoj dhe bëj të pamundurën për familjen.

Way45 është emri juaj i artit. Na thoni diçka mbi Leaon këngëtar.

Muzikën e kam dashur gjithmonë, por pasioni për të arriti kulmin pasi u transferova në Francë. “Fajtor” është Xhonatan Ikone, i cili më njohu me repin francez që e dëgjoj edhe sot. Falë muzikës mësova frëngjishten dhe meqë pasioni u rrit shumë, vendosa të regjistroj këngët e mia. Edhe përpara se të publikoja këngët, shokët te Milani dëgjonin muzikën time në dhomat e zhveshjes. Disa më ngacmojnë, por pa dashakeqësi. Gjithmonë e kam pasur mbështetjen e tyre edhe për këtë pasion timin.

leao

Futbollist, muzikant e tashmë edhe stilist. Linja juaj “Son is Son” po bën namin…

“Son is Son” do të thotë “Një bir mbetet bir”. Kështu është, pavarësisht se bëhet 20, 30 apo 50 vjeç. Zgjodha këtë emër sepse babai im është shumë i dhënë pas modës. Për mua është një metaforë. Unë vërtet u largova nga varfëria, por ajo mbetet brenda meje. Kur isha i vogël nuk më linin të dilja nga shtëpia pa u krehur ose pa qenë i rregullt në veshje. Mamaja është parukiere, por flokët gjithmonë m’i priste babai. Linja ime e re është e thjeshtë, por besoj unike. Jo rastësisht kam zgjedhur që çmimet të jenë të lira në mënyrë që të jetë një veshje e arritshme për këdo.

Cilat janë pasionet e tjera që keni?

Futbolli, moda e muzika dihen, por më pëlqen shumë fotografia dhe koleksionimi i revistave. Tani që jam një futbollist i njohur gjërat janë më të lehta, por karriera është e shkurtër e më duhet të kem një plan për atë që do të vijë më pas.

Si ka qenë përvoja juaj te Milani?

Dy vitet e para kanë qenë një tmerr i vërtetë. Vija nga një qytet si Lila ku gjithçka ishte më e vogël dhe jeta më e thjeshtë. Te Milani presin që të jesh fitimtar. Sheh mure me fotografi kampionësh që kanë mbajtur të njëjtën fanellë e kanë fituar shumë. Vlerën e Milanit e kupton sapo kalon kangjellat e klubit. Pas një momenti të parë hutimi nisi faza e ambientimit dhe unë ndryshova si njeri e si futbollist.

LEAO

Kush ju ka ndihmuar më së shumti në momentet e vështira?

Familja, Ibra dhe trajneri Pioli. Zlatani më mësoi të isha kërkues çdo ditë ndaj vetes. Që të qëndroja i fokusuara në punën time, madje edhe kur shkoja në shtëpi. Ai më flet gjithmonë. Nuk më konsideron koleg, apo profesionist. Për të jam një burrë që duhet të marrë përgjegjësi çdo ditë.

Cili është plani juaj atëherë?

Që të shfrytëzoj çdo mundësi që do të më jepet. Që të jem protagonist me ekipin tim dhe të jem titullar i kombëtares portugeze. Më mirë akoma nëse do të kem fatin të ngre edhe ndonjë trofe.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura