Muzikanti Vlashent Sata sjell “Hanën e plotë” në Tiranë

May 20, 2016 | 20:22
SHPËRNDAJE

Kur jeton larg Shqipërisë, seç vjen një moment që të merr malli për rrugicat e lagjes, për portën prej dërrase, kumbullat jeshile, gjunjët e vrarë, për fëmijërinë e varfër e të pasur…

Edhe Vlashent Sata, i larguar nga Shqipëria në një moshë të re, u gjend përpara kësaj vale nostalgjie, që e nxitën që të hidhte ca nota e të krijonte një muzikë ndryshe.

Në mendje i vërshuan dhjetëra kujtime, që u kthyen në vargje dhe u bënë më pas këngë.

Këngë aspak të thirrura, por të buta, si një mërmërimë, që fëmijët këndojnë vetmevete, teksa luajnë.

Vlashent Sata

Ndoshta sot nuk është më kështu, por Vlashenti është ai fëmija i dikurshëm, ai është pak nga të gjithë ne, që jetuam në “dy kohë”, para dhe pas ’90-s.

“Kisha kohë që e kisha mendue, sot,/due m’u kthy n’shpi me shkue/ Veten time,/ At’ që lashë gjithmonë atje nuk kam harrue,/ due m’e e gjet prap’, m’iu bashkue”.

Kështu këndon Vlashent Sata, që rikthehet pas një viti në Tiranë për të dhënë koncertin “Hana e plotë”.

Artisti, tashmë i njohur për stilin e tij unik, do të performojë live “jetën e tij” në një koncert recital, të realizuar nga Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol). Koncerti mban të njëjtin titull me albumin, që me këtë rast ai ia prezanton publikut kryeqytetas.

Ai i paraprin promovimit të albumit shqip dhe koncertit “Hana e plotë” në Francë, në datën 3 qershor në “Le Palace”, një nga skenat më të njohura ku kanë interpretuar artistë me emër, si Sting apo Stevie Wonder, Michael Jackson apo Madonna.

“Ndihem i privilegjuar që Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol) më bëri ftesën për të dhënë këtë koncert që do të shoqërohet edhe me albumin ‘Hana’, për dy net me radhë në sallën ‘Shekspir’.

Më pëlqen që do të jap koncert aty, pasi teatri dhe salla prej druri të krijojnë një atmosferë ku ndihesh si në shtëpi.

Kontakti i publikut me artistin dhe i artistit me publikun është kaq i afërt, madje unë adhuroj sallat e vogla dhe të rrumbullakëta”, shprehet kantautori Vlashent Sata. Koncerti që do të organizohet në datat 25- 26 maj në sallën “Shekspir”, vjen në vazhdën e strategjisë dhe projekteve që QKT ka për të promovuar vlerat më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare, pas koncertit “JalbaniaZZ Society” të Gent Rushit dhe koncertit “Ritual Moods” nga poli-instrumentisti Robert Bisha.

Gjatë koncertit Vlashent Sata, i cili do të interpretojë në piano, do të shoqërohet nga muzikantët Gent Rushi në fizarmonikë, Ermal Rodi në klarinetë, Kiril Tufekcievski në kontrabas, Emiljan Dhimo në bateri dhe Denis Hima në kitarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura