Muzikaliteti piktural i Giuliano Lanza

Nov 24, 2021 | 8:19
SHPËRNDAJE

HELIDON-HALITI.-PROMO-PIC-e1599580361862

HELIDON HALITI

Kemi që në 2015 që organizojmë me pasion e sukses bienalet e akuarelit, edhe pse nisja ishte me shumë skepticizëm pasi përballë nesh kishim një nga festivalet më të njohura në botë ku mblidhen artistë nga e gjithë bota dhe ku ftoheshin mjeshtrit më me zë të akuarelit, e famshme gjithashtu për demonstrimet live e festat e artistëve. Flasim për Fabriano, Itali, një qytezë përballë Durrësit, e famshme dhe për prodhim e letrës Fabriano të akuarelit.

Por sot nuk do t’i referohem Fabrianos apo Italisë, pasi të gjithë e kemi pranuar si djep të kulturës europiane dhe botërore, si një ushqim shpirtëror e artistik për artistët dhe të dashuruarit pas artit. Këtë herë do ndalem te një artist, Giuliano Lanza, një artist që është mjek në profesion, ka vite që i përkushtohet artit dhe një zhanri të artit formalist abstrakt në disa mediume, do ndalem te një artist që e sheh artin si një mjet shprehës, por dhe relaksues, sikur do të kujtojmë shprehjen e Josef Boys që “Çdo njeri i thjeshtë mund të bëhet artist i madh”, dhe këtë mundësi na e japin sot mjetet bashkëkohore dhe evoluimi i njerëzimit si një tendencë për të zhdukur “mitet” dhe për ta bërë artin më të prekshëm nga të gjithë. I pasionuar pas artit, ai posedon një galeri të njohur në qendër të Padovës, në pjesën me antike të qytetit.

Ky artist luan shumë ndjeshëm me mediumet dhe ngjyrën, ndjesi që i buron nga brenda. Unë do të veçoja akuarelet e tij, duke pasur parasysh se në bienalet tona, ku kemi shumë artistë që vijnë nga Italia dhe shumica e tyre janë autodidaktë dhe sot janë bërë të njohur dhe përfaqësojnë Italinë e Mikelanxhelos, Da Vincit dhe Rafaelit dhe këtu kam parasysh Urbinon, qytetin ku ai e shikoi si një projekt dhe sot ende është një projekt, dhe në këtë qytet zhvillohet një festival akuareli, i cili organizohet nga një amatore, e cila vjen në Itali si një emigrante dhe sot është asimiluar, duke organizuar një festival tejet të njohur. Pra, jetojmë në epokën e artit të përfaqësuar nga të vetëmësuarit, të cilët janë po aq të suksesshëm, si Anna Masinisa, Anxhela Barbi, Masimiliano Iocco e shumë të tjerë, që kemi pasur mundësinë t’i kishim prezentë dhe në Tiranë gjatë ditëve të Bienales.

Artisti Giuliano Lanza ka një mori veprash dhe surpriza e këndshme m’u bë para një jave, ku m’u dhurua një katalog i artistit nga miku im Bashkim Zeneli,l me të cilin njiheshim që në Greqi, ku me ngrohtësinë dhe elegancën e një diplomati e njohës ekselent i artit, arriti të ngrejë emrin e shqiptarëve në vendin fqinj e jo vetëm, me aktivitetet artistike të shumta që organizuam në Athinë.

Katalogu i Giulianos “I paesaggi dell’anima”, ishte tejet elegant siç vetëm italianët dinë t’i bëjnë. Piktura fliste me një gjuhë, me atë të ndjenjës ndaj ngjyrës dhe elegancës ndaj teknikës me një kulturë artistike, të cilën e ka çdo italian dhe kjo ndihet aq prezente. Pikturat formaliste në teknikën e akrelikut kishin të njëjtën brishtësi me atë të akuarelit, tepër të ndjeshme, dydimensionaliteti bie në sy, qielli dhe toka janë në të shumtën e tablove, diku dielli dhe deti, dhe ajër, kudo shumë ajër, si një dëshirë ndaj jetës dhe një adhurim ndaj artit. Artisti është frymëzuar nga bota natyrore. Tema të poezisë së penelit të Giulianos janë dashuria, pasioni, nostalgjia për kohën që kaloi, natyra në çdo stinë etj.

Bie shumë në sy eleganca në akuarel. Në këtë teknikë, transparenca është me prezente si një nevojë, por dhe një mundësi që të jep teknika. Ndihet qartazi që autori e shijon pikturimin dhe se përditë ndjehet me i sigurt dhe i qartë, me një siguri që ndonjëherë nuk ta jep as shkolla, por për më së shumti ta jep dashuria për artin, dashuria për t’u ndjerë i vyer dhe për të arritur të lërë një gjurmë evidente në këtë botë me aq shumë plagë, por me gishta fare pak.

Ngrohtësia e koloritit bie në sy tek akuarelet, ndriçimi i mediumit, freskia e efekteve të tij, gjithçka me një ekuilibër të brendshëm, i cili ndonjëherë në tablo arrin harmoninë më shumë së vetë gjendja fizike. Në artin pikturesk kur të dridhet dora, peneli krijon vibracione dhe muzikalitet, disonancat të mbajnë gjatë në tablo dhe të bëjnë të ndalesh përpara tyre dhe pikërisht këtë pret dhe publiku artdashës. Në shumicën e tablove të artistit, ai vjen si një Mone me plot ngjyrë e dritë, por më i thjeshtëzuar e më i abstraguar se mjeshtri francez.

Gioliano ka çelur me sukses disa ekspozita brenda dhe jashtë Italisë dhe sinqerisht u gëzova kur mora vesh se një ekspozitë e artistit do vijë së shpejti në Tiranë, gjë që më emocionon, pasi ndjej që e bën sadopak botën të kthejë kokën nga Shqipëria dhe ajo të bëhet një pikë referimi për bienalen e akuarelit.

I uroj mirëseardhje artistit në Tiranë dhe artdashësve të ndjekin këtë ekspozitë me kaq shumë emocion, duke na zbuluar një botë të tijën me plot muzikalitet.

*Artist, Pedagog në Universitetin e Arteve, Tiranë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura