Muzaka: Nuk duam mbështetje për shkak të Kombëtares, duke hequr vetullat mund të nxjerrim sytë

Oct 18, 2017 | 13:01
SHPËRNDAJE

Gjergji Muzaka nuk u druhet serbëve. Mesfushori i Skënderbeut ka dalë dje para mediave, duke shfaqur optimizmin e tij në prag të ndeshjes me Partizanin e Beogradit.

“Jo vetëm me Partizanin, por çdo ndeshje, nëse hyn në fushë për objektivin e marrjes së tri pikëve në një takim, është e vështirë, si nëse luan me Partizanin, ashtu edhe me Lushnjën që sapo kaluam. Partizani i Beogradit është një ekip i fortë dhe kjo nuk ka dyshim. Ne në takimet e luajtura në Europa Ligë kemi treguar se nuk jemi të trembur përballë çfarëdo kundërshtari që të luajmë.

muzaka-vangjeli-kale-665x400

Edhe ata kanë treguar se kanë pika të forta si ne, por kanë edhe pikat e tyre të dobëta, të cilat do të mundohemi që t’i shfrytëzojmë në maksimum për të marrë rezultatin që e kemi si objektiv. E kemi studiuar mjaft dhe besoj se e kemi potencialin për të kaluar me sukses këtë takim. Nëse jemi grup dhe të përqendruar ia dalim të marrim tri pikët.

Objektivi ynë për këtë sezon është i qartë dhe, mbi të gjitha, është kampionati. Por sigurisht që në Europë duam të lëmë shenjë në histori. Është e domosdoshme që të hyjmë për tri pikë dhe të shkojmë te fitorja. Pasi një fitore është një hap i madh. Për sa u përket tifozëve, pas asaj çka ndodhi me kombëtaren e futbollit mund të them se duhet të kemi mbështetjen e tifozëve vetëm për atë që japim në fushë.

Ne e luajmë takimin në fushë dhe duam të përkrahemi vetëm për fushën e lojës. Duhet të jemi të kujdesshëm për atë çka bëjmë, pasi siç e thotë edhe shprehja ‘duke dashur të heqim vetullat, mos heqim dhe sytë…’. U bëj thirrje të gjithë tifozëve që të jenë sa më të qetë dhe të mbështesin ekipin për objektivin e vetëm marrjen e trepikëshit”, deklaroi Muzaka.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura