Koha për primare brenda opozitës

Feb 17, 2015 | 12:21
SHPËRNDAJE

BESNIK MUSTAFAJ

   Për vetë të rejat që mbartnin, zgjedhjet e afërme për pushtetin vendor janë kësaj here një moment veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë dhe demokracinë e saj. Ato do të zhvillohen mbështetur në hartën e re të ndarjes territoriale. Do të shihet, pra, sa në interes të publikut ishte kjo reformë, domethënë do të provohet gjatë katër viteve të ardhshme sa efikas dhe më afër komunitetit do të jetë pushteti vendor jo vetëm krahasuar me përvojën e mëparshme, por sidomos krahasuar me problematikën e zhvillimit. Kjo është një arsye e madhe për t’u dhënë këtyre zgjedhjeve një rëndësi të posaçme. Arsyeja e dytë madhore, e cila më duket se duhet mbajtur mirë parasysh, lidhet me zhvillimet thelbësore, që kanë ndodhur brenda Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, e cila ka tashmë një udhëheqje të re në të gjitha nivelet. Parë nga ana organizative, mund të thuhet me plot gojën se kjo parti ka tashmë fizionominë e kryetarit të saj, Lulzim Basha.
Partia Demokratike vjen në këto zgjedhje në një situatë kur pakënaqësia popullore ndaj shumicës qeverisëse dhe personalisht ndaj Kryeministrit Rama është e madhe dhe në rritje. Problemi shtrohet që Partia Demokratike, bashkë me aleatët e vet opozitarë, të bëhen mishërues të aspiratave legjitime të të pakënaqurve. Dhe kjo gjë nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi. Jo vetëm shkenca e politikës, por edhe historia jonë elektorale na mëson se vota e të pakënaqurve nuk është “forfait” për opozitën. Edhe kjo votë duhet fituar me mundim dhe seriozitet të madh. Të pakënaqurit e bashkojnë lehtë kritikën e tyre, madje edhe zemërimin e protestën me opozitën. Opozita u shërben atyre natyrshëm për ta bërë më të dukshëm e më shungullues mospajtimin e tyre me politika të caktuara qeverisëse. Ndërsa përpara kutisë së votimit qytetarin e përshkon një refleksion tjetër. Ai kërkon me atë rast bartësin e shpresës.
Është i shtruar, pra, problemi se sa do të arrijë Partia Demokratike dhe opozita të bëhen bartëse të shpresës në zgjedhjet për pushtetin vendor, të cilat po afrohen me shpejtësi. Kanë mbetur vetëm katër muaj e ca ditë. Këtë herë më duket e nevojshme të tërhiqet vëmendja mbi disa rrethana krejt të posaçme, në të cilat gjendet Partia Demokratike. Më kryesorja: përballë opinionit publik ajo nuk është mirëfilli në opozitë. Partia Demokratike ka drejtuar gjatë katër vjetëve të fundit më shumë se gjysmën e bashkive e komunave, përfshirë këtu edhe Tiranën. Dhe po ashtu, gjatë dy vjetëve të parë të këtij mandati Partia Demokratike ka pasur dhe frenat e pushtetit qendror. Që do të thotë se edhe vetë fryma kritike kundrejt qeverisjes së keqe të “Rilindjes”, parë në shërbim të fushatës, duhet të shfaqet doemos ndryshe deri në zgjedhjet e qershorit. Të tillë e bën fakti se përfaqësuesit demokratë gjatë fushatës do të bartin doemos edhe një bilanc me arritjet dhe dështimet e veta. Zgjedhësit do të gjykojnë dhe do të nxjerrin përfundimet e veta me ndikim mbi votën nga qëndrimi që do të mbajnë demokratët ndaj këtij bilanci, domethënë nga analiza që do t’i bëjnë ata vetvetes. Ata do të bëhen bartës së shpresës vetëm duke i dhënë kësaj analize një frymë thellësisht realiste. Shqiptarët janë të lodhur e të zhgënjyer nga premtimet e fryra, boshe dhe nga fshehja e politikanëve pas karikaturës së kundërshtarit. Sjellja e një fryme realiste në qëndrimin ndaj bilancit të vet në qeverisjen vendore do të shënonte një risi thelbësore në mënyrën e bërjes së politikë në Shqipëri, duke krijuar kështu kundërshembullin e asaj që bëjnë sot socialistët, gjë që do t’i afronte demokratët natyrshëm me komunitetin, do t’u jepte atyre besueshmëri. Kjo nuk do të thotë aspak se duhet zbutur kritika ndaj qeverisë. Unë jam i bindur në parimin se edhe teprimi në kritikë është shumë më i shëndetshëm për demokracinë se mungesa e kësaj kritike apo qoftë edhe squllja e saj. Demokratët nuk duhet të shkojnë në këto zgjedhje me prapamendimin se votat do të vijnë në kutinë e tyre pse gjithsesi janë e keqja më e vogël. Të tillë fitimtarë në të vërtetë nuk janë të përgatitur për të qeverisur.
Në tërë këtë proces, rëndësi të dorës së parë do të ketë edhe personaliteti i kandidatëve që do të paraqesë opozita. Thuhet se Partia Demokratike ka filluar të bëjë sondazhe në qytete të mëdha për të matur popullaritetin e kandidatëve për kryetarë të bashkive. Nëse kjo është e vërtetë, unë nuk e di si bëhen këto sondazhe, nuk e di kush i bën. Pra, nuk jam në dijeni as të emrave të shqyrtuar, qoftë edhe për Tiranën, ku jam votues. Por, apriori nuk besoj se kjo është rruga për të vënë gishtin mbi kandidatin më të përshtatshëm. Sondazhet do të ishin një mënyrë kryesisht për të gënjyer veten. E gjithë opozita, me në krye Partinë Demokratike, ka kësaj here rastin për të sjellë një risi tjetër thelbësore në jetën politike shqiptare. Dhe është ende në kohë. Fjala është për të zhvilluar primare brenda vetes, duke shmangur kështu tryezat midis kryetarëve të partive, të cilat nuk dalin dot nga parapëlqimet më së shpeshti subjektive dhe klienteliste të një grushti kryetarësh.
Zhvillimi i primareve është krejtësisht i mundshëm dhe do të kishte vetëm të mira për opozitën. Veçanërisht për Partinë Demokratike. Do të mbillej besimi se kjo parti është një hapësirë gare për anëtarët e saj që duan të bëjnë rrugë politike, gjë që nuk u arrit në verën e vitit 2013 gjatë zgjedhjes së kryetarit me parimin “një anëtar-një votë”. Një besim i tillë, i cili është besim te meritokracia, do të ishte frymëzues posaçërisht për të rinjtë që e kanë me dëshirë politikën. Vetëm kështu do të përmbushej plotësisht qëllimi për ripërtëritjen e Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, siç edhe e kemi parë të ndodhë rëndom në vendet demokratike, primaret janë një rast fatlum për lulëzimin e projekteve lidhur me zhvillimin e territorit dhe zgjidhjen e halleve konkrete të komunitetit. Pjesëmarrësit në garën e primareve, bashkë me ekipet që do të ngrinin do të sillnin një pasuri të tillë propozimesh e projektesh, që Partia Demokratike apo cilado parti qoftë, nuk do të ishte kurrë në gjendje ta krijonte me strukturat e saj elektorale. Fituesi i primareve do të kishte mundësi ta pasuronte platformën e vet duke bërë sintezën e të gjitha prurjeve. Nuk ka asnjë dyshim se fituesi i primareve, i legjitimuar si kandidat i opozitës në njërën apo në tjetrën njësi vendore, do të vinte në këto rrethana me një program shumë më të plotë e më afër njerëzve. Ndërkaq, edhe fushata e tij do të zhvillohej ndryshe. Gjatë garës së primareve ai do të kishte pasur mundësi edhe ta shfaqte personalitetin e tij përpara komunitetit, duke fituar kohë për ta shpalosur më mirë e më në thellësi programin e vet gjatë takimeve elektorale.
Primarët do ta shkundnin e gjallëronin gjithë anëtarësinë dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, do të brumosnin tek ata një vetëdije të re për rëndësinë që ka secili në jetën politike të komunitetit, por edhe të mbarë vendit. Kjo fushatë, edhe më shumë se të gjitha fushatat elektorale gjatë 24 vjetëve, ka nevojë për pjesëmarrjen e gjerë dhe dinamike të të gjithë demokratëve për të shpjeguar kokë më kokë jo vetëm programin e rastit, por edhe ndryshimin cilësor në sjelljen ndaj qytetarit dhe të interesit publik, që ka pësuar Partia Demokratike pas humbjes dramatike në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2013. Shkurt fjala, ky është rasti për t’u shpjeguar shqiptarëve në fjalë dhe me veprime se Partia Demokratike ka nxjerrë sinqerisht dhe ndershmërisht mësime nga degradimi moral dhe politik që kishte pësuar veçanërisht gjatë mandatit të saj të dytë qeverisës (2009-2013). Por këto shpjegime nuk mund të jepen vetëm nga tribunat e mitingjeve. Javët e primareve do të shërbenin kështu si një periudhë shumë e dobishme për ngrohjen e shpirtit luftarak të demokratëve dhe për të kryer atë që quhet “korrigjim i shënjestrës”.
Javët e fundit kemi parë Agron Dukën të shprehte gatishmërinë e tij për të kandiduar në Durrës. Agron Duka është deputet i Partisë Republikane dhe askush nuk e vë dot në dyshim që ai ka fituar me votat e tij. Madje, sipas statistikave zyrtare, i ka dhënë një numër të konsiderueshëm votash edhe koalicionit të djathtë, që do të thotë se pa “tepricat” e tij, me shumë gjasa Partia Demokratike do të kishte një deputet më pak në qarkun e Durrësit. Ky është një shembull i qartë, që nxjerr në vëmendje faktin se jo gjithmonë gjenden brenda Partisë Demokratike personalitete lokale më popullore. Do të ishte gabim me pasoja sikur Partia Demokratike ta shpërfillte këtë fakt. Por nuk ka mënyrë më të sigurt për të arritur te këto personalitete se një primare e ndershme e gjithëpërfshirëse për mbarë opozitën, madje një primare e hapur edhe ndaj shoqërisë civile. Sepse profili i kryebashkiakut, për vetë specifikat e punës së tij, është natyrshëm më pak i ngjyer politikisht e ideologjikisht se profili i një deputeti. Çdo mbajtje e procesit për identifikimin e kandidatëve të opozitës në suazën e negociatave midis kryetarëve të partive përmban rrezikun e gabimit dhe çon në fuqizimin e dëmshëm të pushtetit personal të kryetarëve të partive.
Të gjitha shenjat janë se në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera, do të ketë kandidatë të pavarur me origjinë politike kryesisht nga Partia Demokratike. Kam dëgjuar madje emra, të cilët kanë filluar përgatitjet. Është shpejt për të marrë me mend se cili prej tyre përfaqëson ndonjë alternativë serioze. Por nuk është shpejt për të marrë me mend dëmin që do i bëjnë opozitës kandidaturat disidente. Sigurisht që primaret nuk do e shmangin tërësisht këtë fenomen. Sepse ka pasur dhe do të ketë gjithmonë aventurierë, të cilët nuk kanë përmbajtje politike. Fjalën unë e kam për ata, të cilëve përvoja dhe ambicia u jep besim se mund ta lënë një gjurmë të dukshme në këtë fushatë, një gjurmë që do t’u shërbente për ta rikonceptuar të ardhmen e tyre në politikë. Ata shtyhen drejt këtij hapi pikërisht pse brenda Partisë Demokratike apo qoftë edhe brenda opozitës nuk gjejnë hapësirën e nevojshme për garë të ndershme, sepse nuk bëjnë pjesë në rrethin e të parapëlqyerve të kryetarit apo të ish-kryetarit.
Unë i mirëkuptoj ata, sado që ky mirëkuptim nuk më qetëson në ndjeshmërinë time prej demokrati. Vetëm primaret do të bënin të mundur që edhe ata të përfshiheshin në valën e ringritjes së qendrës së djathtë përmes këtyre zgjedhjeve. Sepse kjo ringritje është jetike për demokracinë në Shqipëri. Në kushtet kur e majta zotëron më shumë se tri të pestat e vendeve në Parlament, marrja edhe e shumicës së drejtimit në pushtetin vendor do t’i jepte asaj një fuqi shumë të rrezikshme për ekuilibrat e përfaqësimit të popullit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura