Mustafa sot në Bruksel: Do të ishte ndryshe sikur të votohej Specialja

Jun 29, 2015 | 9:42
SHPËRNDAJE

Kosova dhe Serbia do të provojnë të arrijnë marrëveshje për telekomunikacionin, të ashtuquajturin Park të Paqes, energjinë dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.


Dy delegacionet, ai i Kosovës, i prirë nga kryeministri Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, i prirë nga Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të shefes së diplomacisë evropiane, Frederica Mogherini, do të takohen sërish brenda më pak se 7 ditësh.

Për dallim nga herët e tjera, sot pritët që raundi i ri i dialogut në nivelin më të lartë mes Kosovës dhe Serbisë të nisë më herët dhe pritët që ai të zgjasë së paku deri në orët e vona të pasdites, por kësaj radhe në BE shpresojnë se vërtet do të ketë rezultate konkrete, të cilat munguan në takimin e fundit, javën e kaluar. Atëherë u tha se kanë arritur “përparim të dukshëm”, por jo edhe marrëveshje konkrete për katër temat për të cilat ishte biseduar.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa para nisjes ka thënë se kjo vizitë në Bruksel e një ditë më pas në Berlin do të ishte ndryshe sikur Kuvendi i Kosovës ta votonte Gjykatën Speciale. Por ka thënë se presin që të ketë përparime në takimin e sotëm. Edhe kryeministri Vuçiq ka theksuar se Serbia është e gatshme për kompromis.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura